Kryefaqja Aktualitet AstraZeneca: Të dhënat paraprake tregojnë se doza e tretë ndihmon kundër Omicron

AstraZeneca: Të dhënat paraprake tregojnë se doza e tretë ndihmon kundër Omicron

0
Shpërndaje

AstraZeneca deklaroi të enjten se nga të dhënat paraprake të një testimi, u konstatua që vaksina COVID-19 e prodhuar nga kjo kompani, Vaxzevria, solli një rritje të antitrupave kundër Omicron dhe varianteve të tjera kur aplikohej si një dozë e tretë përforcuese.

Shtimi i përgjigjes imunitare, edhe ndaj variantit Delta, u identifikua nëpërmjet analizave të gjakut të njerëzve që ishin vaksinuar më parë me Vaxzevria ose me një vaksinë tjetër me mRNA, tha prodhuesi i barnave, duke shtuar se do t’ua dorëzonte këto të dhëna agjencive rregullatore shëndetësore në mbarë botën, duke marrë në konsideratë nevojën urgjente për dozat përforcuese.

AstraZeneca arriti ta zhvillonte vaksinën e saj nëpërmjet studiuesve nga Universiteti i Oksfordit. Studimet laboratorike të kryera nga ky universitet muajin e kaluar kanë zbuluar se aplikimi i tre dozave të Vaxzevria rrit nivelin e antitrupave në gjak kundër variantit Omicron, i cili po përhapet me shpejtësi.

Kjo deklaratë e dhënë ditën e enjte, e cila nuk përfshinte të dhëna specifike, ishte e para nga AstraZeneca lidhur me aftësinë mbrojtëse të Vaxzevria si një vaksinë përforcuese, pas aplikimit të dy dozave fillestare të një vaksine me mRNA ose të vetë Vaxzevria. Vaksinat e bazuara në teknologjinë mRNA janë prodhuar nga BioNTech-Pfizer dhe Moderna.

Kompania tha se këto gjetje “përforcojnë provat që mbështesin Vaxzevria si një vaksinë për dozën e tretë përforcuese, pavarësisht nga vaksinat e aplikuara më parë”.

Këto të dhëna mbi potencialin mbrojtës të Vaxzevria kur aplikohet si një dozë përforcuese erdhën si rezultat i një analize krahasuese gjatë një prove ku po testohej një vaksinë e ridizenjuar që përdor teknologjinë vektoriale të Vaxzevria, por që targeton specifikisht variantin Beta. AstraZeneca po përpiqet të demonstrojë se kjo vaksinë specifike për variantin Beta ofron mbrojtje edhe nga variantet e tjera. Gjatë gjysmës së parë të këtij viti pritet të publikohen më shumë të dhëna nga provat e kryera.

Universiteti i Oksfordit dhe AstraZeneca muajin e kaluar filluan punën në mënyrë të pavarur për një vaksinë që targeton posaçërisht variantin Omicron, megjithëse Astra – ashtu si edhe prodhues të tjerë të vaksinave që kanë nisur projekte të ngjashme zhvillimi – ka deklaruar se nuk ishte ende e qartë nëse ishte një vaksinë e tillë do të ishte e nevojshme.

Një testim i përmasave të mëdha i kryer në Britani gjatë dhjetorit zbuloi se vaksina e AstraZeneca rriste nivelin e antitrupave kur aplikoj si një doze përforcuese pas vaksinimit fillestar me vetë vaksinën e AstraZeneca ose me atë të Pfizer, por ky testim ka ndodhur përpara përhapjes së variantit Omicron.

Sidoqoftë, studimi në atë kohë arriti në përfundimin se vaksinat me mRNA të prodhuara nga Pfizer dhe Moderna ofronin një rritje më të madhe të antitrupave kur aplikoheshin si dozë e tretë.

AstraZeneca dhe partnerët e saj të prodhimit kanë ofruar në total mbi 2.5 miliardë doza të kësaj vaksine, edhe pse ajo nuk është e miratuar në Shtetet e Bashkuara, ndërsa BioNTech-Pfizer ka ofruar në total rreth 2.6 miliardë doza./ Reuters

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here