Autizmi: “Respekt, Pranim, Përfshirje”

autizmi1

2 Prilli shënon Ditën Botërore të Autizmit dhe në këtë ditë vëmendja kthehet edhe një herë tek personat të cilët e mbartin atë. Autizmi, nga greq. αυτός , avtos – vetë, është çrregullim neurobiologjik që veçohet me vështirësi në komunikim, ndërveprim shoqëror dhe sjellje të përsëritura, dhe rreze të kufizuar interesash.
Simptomat e autizmit fillojnë të shfaqen para moshës tre vjeçare dhe shkalla e dëmtimit të këtyre tri fushave dallon nga individi në individ.

Autizmi përkufizohet si një çrregullim që karakterizohet nga:

  • Dëmtim cilësor i marrëdhënieve sociale
  • Dëmtim cilësor i komunikimit
  • Karakter të kufizuar dhe stereotipik të sjelljes

Llojet e autizmit
Në çrregullimet e spektrit të autizmit hyjnë: Autizmi , Sindroma Asperger, Sindroma Rett, Çrregullimi desintegrativ i fëmijës, Çrregullimi i zhvillimit pervaziv i pa specifikuar

Simptomat

Autizimi shfaqet me tri simptoma të ndara. Triada përfshin vështirësi në socializim, probleme komunikimi dhe një numër të kufizuar interesash kombinuar me sjellje përsësitëse.

Një nga simptomat e para të autizmit është shmangia e kontaktit me sy, ku fëmija i largohet çdo lloji kontakti me sy, si me fëmijët e tjerë po ashtu edhe me prindërit. Shpeshherë kjo shpjegohet në mënyrë të gabuar se “fëmija ka turp”, ku në vend që t’i përgjigjet kontaktit me sy, shikon anash, apo në shumicën e rasteve lart mbi kokën e personit kontaktues.

Përgjithësisht, fëmijët me çrregullime të spektrit autik, shfaqen me një zhvillim të fushave të inteligjencës më të zhvilluar se moshatarët, duke përfshirë të lexuarin, gjuhën, muzikën apo aftësitë hapësinore, ku shfaqen në shkallë të tilla që konsiderohen si “talente” në këto fusha. Kjo mendohet si balancim me vonesat e dukshme në fusha e tjera të zhvillimit.

Tema e këtij viti: “Respekt, Pranim, Përfshirje”

Diskriminimi është një nga barrierat më të mëdha me të cilat përballen personat që vuajnë nga Çrregullime të Spektrit Autik. Shpesh, ai vjen si rezultat i mungesës së të kuptuarit lidhur me atë që do të thotë në të vërtetë të jesh autik. Barrierat për sa i përket qëndrimeve, stereotipeve dhe paragjykimeve, vështirësojnë pjesëmarrjen e personave autikë në shoqëri. Është koha që shoqëria duhet të kuptojë më mirë autizmin, në mënyrë që të fillojë të largojë barrierat të cilat i pengojnë ata që të përfshihen.

Mesazhet kyçe për këtë vit

  • 1% e popullsisë në botë preket nga autizmi. Në ditët e sotme, shumë njerëz janë të ndërgjegjësuar për autizmin, por shumë pak e dinë se çfarë do të thotë të jetosh me një person autik.

Një nga barrierat më të mëdha me të cilat përballen personat që vuajnë nga autizmi është diskriminimi dhe mungesa e të kuptuarit të eksperiencës së tyre të përditshme.

  • Të kuptuarit e personave me autizëm është hapi i parë drejt ndërgjegjësimit të shoqërisë për të qenë më pranuese dhe gjithëpërfshirëse

Njohja e vështirësive të caktuara të personave autikë kur ata marrin pjesë në aktivitete në komunitet, mund të ndihmojë njerëzit të shkojnë në drejtimin e duhur për heqjen e barrierave të cilat i izolojnë ata.

  • Personat me autizëm apo sindromën Asperger, mund të duket se sillen në mënyrë të pazakontë.

Shumë persona autikë mund ta kenë të vështirë të procesojnë informacionin ndjesor të përditshëm si tingujt, aromat, imazhet. Kjo quhet si vështirësi në integrimin sensor, ose ndjeshmëria sensore. Ajo mund të ketë një efekt të fuqishëm në jetën e personit si dhe të shkaktojë reagime jo të zakonshme.

  • Personat me autizëm mund të kenë disa talente dhe aftësi. Çelësi është sesi të nxiten ata që t’i shfaqin këto talente dhe aftësi në mënyrë që, të arrijnë të shpalosin potencialin e tyre të plotë.

Personat me autizëm ka më tepër të ngjarë të jenë të papunë krahahasuar me të tjerët. Megjithatë, ata kanë shumë për t’u ofruar bizneseve dhe gjithë shoqërisë. Në botë ka disa kompani që kërkojnë të punësojnë persona autikë, por këto raste janë akoma shumë të rralla.

  • Të gjithë duhet të mendojnë sesi komuniteti, vendi i punës/shkolla të jenë një vend miqësor për personat autikë, dhe një vend ku atyre t’u jepet mundësia të shpalosin potencialin e tyre të plotë.

Shpesh ofrohen pak mundësi për një akomodim të përshtatshëm për nevojat e personave autikë.

Postime të ngjashme

8 fruta me përmbajtje të ulët sheqeri
Shpërthimi i Ebolas, OBSH shpall emergjencë globale
3 gjëra që duhet të bëni për të pasur lëkrë me shkëlqim
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
5 mite dhe të vërteta rreth sëmundjeve venoze
“Sterilizimi”/ Shtyhet gjyqi për ish-ministrin Ilir Beqaj, ja kur do të mbahet seanca e radhës
Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi
Polifenolet: Sekreti i të ushqyerit të shëndetshëm dhe mirëqenies