Barazia gjinore në përzgjedhjen e profesionit. Gjithçka nis nga bankat e shkollës!

Elona Tereziu, gazeta Shendet +

“Të promovojmë barazinë gjinore në shkollat e mesme dhe arsimin profesional” ishte tema e aktivitetit të sotëm të organizuar nga shoqata “Together for Life” në kuadër të Fushatës Ndërkombëtare UNiTE , e mbështetur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri dhe me fonde të Qeverisë Suedeze.

Ky aktivitet u zhvillua në ambjentet e shkollës ”Teknike Ekonomike” në Tiranë dhe kishte si qëllim promovimin e të drejtave në përzgjedhjen e karrierës, pavarësisht prirjeve gjinore që ka shoqëria jonë. Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë, përfaqësuesit e shoqatës “Together for Life” shpërndanë pankarta, slogane dhe informacione edukative lidhur mbi të drejtat e tyre në përzgjedhjen e profesionit dhe karrierës. Ndërkohë që drejtuesit e këtij institucioni përcollën mesazhe mjaft interesante duke dhënë dhe shembuj se si i edukojnë këta të rinj me frymën e barazisë. Një ndër to është dhe profesoresha e lëndës së turizmit, Alma Ferhati, e cila theksoi se kur bëhet fjalë për përzgjedhjen e profesionit, karrierës dhe vendit të punës, meshkujt dhe femrat duhet të kenë të drejta të barabarta, ndërkohë që e rëndësishmë është që të rinjtë të edukohen me këtë frymë që në bankat e shkollës.

“Aktualisht kjo shkollë regjistron 1054 nxënës, nga të cilët 551 janë femra. Pra jemi në raporte thuajse të njëjta, çka do të thotë që secili është në ‘vendin’ që dëshiron. Ndoshta kjo dhe për shkak të profilit që shkolla jonë ka, mjaft mirë i përshtatshëm si për meshkujt ashtu dhe për femrat, por që në shkolla të profileve të tjera, besoj që ndihet disbalanca. Megjithatë unë mendoj se barazia duhet parë në shumë aspekte, duke nisur që nga gjërat më elementare. Po ju tregoj vetëm një shembull: Në fillim nxënësit e mi rebeloheshin që pastrimin duhet ta bënin vetëm vajzat, me argumentin e thjeshtë, meshkujt nuk janë për këtë punë. Unë përpilova një listë dhe i ndava në mënyrë të barabartë, për ato që rebeloheshin, parashikoja dhe masa ‘ndëshkimore’ të tilla si ‘ti që rebelohesh do e kryesh pastrimin dy herë radhazi’. Pra, janë gjëra të vogla në dukje, por mjaft të rëndësishme që këta të rinj të rriten me këtë frymë.

Një nga pikat më të forta që prek kjo fushatë është dhe promovimi i barazisë gjinore në arsimin profesional. Ky aktivitet ka për qëllim shpërndarjen e fotove që do të realizohen, shpërndarjen e mesazheve që ju të gjithë do të jepni si një mënyrë mbështetje për të gjitha ato vajza që duan të ndjekin arsimin profesional pa u ndikuar nga paragjykimi gjinor. Të gjithë e dimë se në Shqipëri edhe pse gratë dhe vajzat kanë arritur nivele të larta të edukimit, progres në tregun e punës dhe në jetën publike përsëri pabarazia gjinore mbetet një shqetësim për shoqërinë, u shpreh Elena Beta, koordinatore e shoqatës Together for Life.

Aktiviteti u pasua edhe me diskutime dhe pyetje nga të rinjtë lidhur me problemet që sjell dhuna në shoqëri dhe në mbarëvajtjen e jetës së gjithsecilit. Ajo çka ra në sy ishte dëshira e madhe e të rinjve për bashkëpunim në të ardhmen, lidhur mbi këtë çështje kaq të mprehtë të shoqërisë tonë.

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Angjinarja: Perimi i pranverës që forcon kockat dhe zemrën