Kryefaqja Të rinjtë Aktivitete Barazia gjinore në vendin e punës: ‘Gruaja duhet të jetë më vendimmarrëse’

Barazia gjinore në vendin e punës: ‘Gruaja duhet të jetë më vendimmarrëse’

0
Shpërndaje

Elona Tereziu / Shëndeti Online dhe gazeta ‘Shëndet+’

“Të promovojmë barazinë gjinore në marrëdhëniet e punës dhe formimin profesional” ishte tema e aktivitetit të organizuar nga shoqata “Together for Life” në kuadër të Fushatës Ndërkombëtare UNiTE “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, e mbështetur nga UNDP dhe UN Women në Shqipëri, me fonde të Qeverisë Suedeze.

Në Ditën Portokalli të muajit shkurt, ky aktivitet u zhvillua pranë ambienteve të kompanisë “Age Call” në kryeqytet, drejtuesit e së cilës vendosën të bashkëpunojnë në drejtim të kësaj kauze, në mënyrë që punonjësit e tyre të kenë më tepër informacion lidhur me barazinë gjinore dhe të drejtat e tyre në vendin e punës.

Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësues të shoqatës “Together for Life”, të rinjtë u informuan dhe sensibilizuan lidhur me rëndësinë e barazisë gjinore në vendin e  punës, pse është e rëndësishme që arritjet profesionale dhe rritja në detyrë të jenë në bazë të meritave dhe aftësive, dhe jo në bazë të stereotipeve gjinore, dhe se pse barazia gjinore është një hap drejt një shoqërie më të mirë.

Arbër Shkurti, zv. administrator pranë kësaj kompanie tregon se si arrin ta menaxhojë barazinë gjinore me punonjësit e tij.

 “Age Call’’ ka 3 qendra, prej të cilave dy janë në Shkodër dhe një në Tiranë. Në total jemi diku tek rreth 90 punonjës, ku pjesa dërrmuese 65% janë vajza dhe 35% djem. Ky është telemarketing dhe për ne nuk ka aspak rëndësi gjinia apo pamja fizike, mjafton që punonjësi të ketë kriteret që ne duam. Sigurisht secila gjini ka karakteristikat e veta, për shembull, një zë mashkullorë mund të jetë më i qetë  dhe më bindës në komunikim, por femrat kanë imagjinatë dhe janë më insistuese, pra secila gjini ka të mirat e veta”.

 

Anisa Gjoni, operatore pranë kësaj kompanie, tregon se sektori ku ajo punon është i atillë që nuk të lejon të bësh diskriminime gjinore në punë, megjithëse pranon që në Shqipëri ky është një fenomen për të cilin duhet ende shumë punë.

‘’Në vendin ku unë punoj, nuk është se jam ndierë ndonjëherë e diskriminuar në sensin se ‘ti je vajzë dhe nuk e bën dot këtë sepse je vajzë’. Madje unë mendoj se vajzat janë shumë më të zonja, më bindëse dhe më punëtore, aq më tepër në sektorin ku ne punojmë. Ne punojmë me italian dhe persona të tillë mund të ‘urdhërohen’ vetëm nga një zë femëror. Megjithatë, përtej punës tonë, sigurisht që pabarazia gjinore ekziston si në sensin e punës ashtu edhe për të drejta të tjera”.

Nertil Luxhi, operator pranë kësaj kompanie, tregon se vajzat janë po qa të afta sa meshkujt.

“Ndoshta është pak absurde të flasësh për pabarazi gjinore sot, por të gjithë e dimë që ky është një fenomen që ekziston. Ndoshta në Tiranë haset më pak, për shkak se vajzat kanë fituar një lloj ‘pavarësie’ ekonomike dhe janë të mirë-arsimuara, por që në qytete të tjera, ku ende ekziston ajo familja e fortë patriarkale, është e vështirë të flasësh për këtë lloj barazie”.

Ndriçime Hoxha, operatore: ‘Gruaja duhet të jetë me vendimmarrëse’.

‘’Në sektorin ku unë punoj, nuk ka ndodhur ndonjëherë që kolegët e mi  të favorizohen me delegimin e posteve më të lartë vetëm sepse ata janë djem. Ky është një sektor i atillë ku e vetmja gjë që ka rëndësi janë aftësitë e tua. Në qoftë se do të flasim në tërësi, sigurisht që pabarazia gjinore ekziston. E nisim që nga politika. Pse në Parlamentin e Shqipërisë pjesa dërrmuese janë burra, dhe shumë më pakë gra?! Megjithatë, unë mendoj që dhe vetë duhet të bëjmë më shumë për të drejtat tona, duhet të jemi më të guximshme, më luftarake dhe vendimmarrëse’’.

Ndërkohë që tema të tjera që u diskutuan gjatë këtij bashkëbisedimi ishin edhe numri i vogël i grave sipërmarrëse, pse atyre u delegohen kaq pak pozicione drejtuese, arsimimi dhe pavarësia ekonomike.

Ajo çka ra në sy gjatë këtij aktiviteti ishte dëshira e mirë e të rinjve për bashkëpunim,  në ‘luftën’ ndaj një kauze kaq të fortë të shoqërisë tonë, ku pavarësisht se fuqizimi i grave  dhe roli i tyre vendimmarrës është rritur, kur flitet për vendin e punës, ‘një burrë është gjithmonë më i fuqishëm’./ https://shendeti.com.al/

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here