Siguria ushqimore ishte në qendër të vëmendjes në konferencën e zhvilluar në datat 7 dhe 8 prill në Tiranë, organizuar nga OBSH, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Bujqësisë.
Ledia Lazeri, përfaqësuese e Organizatës Shëndetësore të Shëndetësisë në Shqipëri, u shpreh se “shëndeti është një burim dhe pasuri e madhe shoqërore”. Si i tillë, shëndeti i mirë është thelbësor për zhvillimin ekonomik dhe ssocial, një shqetësim vital për jetën e çdo personi, si dhe gjithë familjeve dhe komuniteteve.
Në konferencë e morën fjalën edhe ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe koordinatorja e përhershme e OKB-së në Shqipëri, Zineb Touimi-Benjelloun. Të gjithë vlerësuan rolin e sigurisë ushqimore, ndërsa theksuan se siguria ushqimore përmban veprime që garantojnë që i gjithë ushqimi të jetë sa më i sigurtë.
Politikat dhe veprimet e sigurisë ushqimore duhet të mbulojnë të gjithë zinxhirin e furnizimit të ushqimeve, duke filluar me mjedisin e duke kaluar tek prodhimi parësor, përpunimi, shpërndarja, përgatitja dhe konsumi.
Këto veprime përfshijnë marrjen e masave që sistemet e duhura të sigurisë ushqimore – duke përfshirë rregulloret dhe standartet e duhura, inspektimet e ushqimit dhe kapacitetet laboratorike – të ngrihen dhe të mbahen për të kontrolluar dhe reaguar ndaj rreziqeve kundër sigurisë ushqimore përgjatë zinxhirit të sigurimit ushqimor, duke përfshirë emergjencat. Prodhuesit e ushqimeve janë në radhë të parë përgjegjës për të garantuar sigurinë e prodhimeve të tyre, por edhe përpunuesit e ushqimit dhe konsumatorët kanë rolin e tyre.
Për një parandalim dhe kontroll të sëmundjeve të prejardhura nga ushqimet me kosto efektive, sektorë të tillë si shëndeti publik, shëndeti i kafshëve dhe bujqësia duhet të bashkëpunojnë si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij, nëpërmjet komunikimit efektiv, shkëmbimit të informacionit dhe veprimeve të përbashkëta.
Sëmundjet e prejardhura nga ushqimet
Sëmundjet e prejardhura nga ushqimet janë zakonisht me natyrë infektive ose toksike dhe shkaktohen nga bakteret, viruset, kërpudhat, prionet, parazitët ose substancat kimike që hyjnë në organizëm nëpërmjet ushqimit ose ujit të ndotur. Ato janë tepër të zakonshme dhe shkaktojnë një barrë të madhe, madje edhe në vendet më të zhvilluara
Sëmundja akute e prejardhur nga ushqimet (që shpesh quhet helmim ushqimor) shkaktohet rëndom nga ngrënia e ushqimit të ndotur nga bakteret, si psh. nga Salmonella, Campylobacter, Clostridium perfringens, Staphylococcus aureus, Bacillus cereusose Escherichia coli (E. coli), ose nga një virus, si psh. norovirus.
Ngrënia e ushqimit të ndotur mund të ketë pasoja tepër të rënda, disa nga të cilat mund të jenë me afat të gjatë, duke përfshirë dëmtim të veshkave dhe mëlçisë, çrregullime të trurit dhe nervave, artrit reaktiv, kancer, septicemi e madje edhe vdekje.
Simptomat dhe trajtimi i sëmundjet akute të prejardhura nga ushqimet
Në varësi të sëmundjes, simptomat mund të fillojnë nga në më pak se një orë deri në disa javë pas ngrënies së ushqimit të ndotur, dhe mund të përfshijnë: marramendje, vjellje, diarre dhe/ose dhimbje barku. Shumica e njerëzve me helmim ushqimor përmirësohen pa trajtim mjekësor.
Ata duhet të pushojnë e të pijnë sa më shumë lëngje.
Njerëzit me simptoma të rënda, me temperaturë mbi 38°C dhe/ose që janë shumë të dehidratuar duhet të kërkojnë trajtim mjekësor.Bebet dhe foshnjat duhet të marrin gjithmonë trajtim mjekësor. Tek ata që kanë më tepër gjasa të përjetojnë një reagim të fortë ndaj sëmundjes me prerjardhje nga ushqimi përfshihen pleqtë, fëmijët dhe bebet, gratë shtatzana dhe njerëzit me imunitet të kufizuar.


