Është i njohur konflikti në të cilin u përfshi ministri i Shëndetësisë me Urdhrat për shkak të testimit të bluzave të bardha. Këto dy institucione hodhën “baltë” mbi njëri-tjetrin, pasi nuk arritën në një marrëveshje. Sabri Skënderi, President i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, është shprehur se ministria tejkaloi kompetencat e veta dhe se për asnjë vendim të marrë nuk ka komunikuar me ta.
Këtë irritim Skënderi e ka shprehur në shumë dalje për shtyp si dhe në shumë intervista të dhënë. Urdhri përveç të tjerash e çoi vendimin e Ministrisë për testim, në gjykatë.
Para disa ditësh Gjykata e hodhi poshtë kërkesën e Urdhrit duke legjitimuar kërkesën e Ministrisë. Këtë e pohon edhe vetë ministri: “Nuk e ka më kush kasavetin nëse procesi i testimit është apo nuk është i ligjshëm. Këtë e kemi hequr mënjanë. Tani, është mirë që të bëjmë një proces sa më të shëndetshëm, me qëllimin kryesor që t’i shërbejë të ardhmes dhe rritjes së cilësisë”, tha Beqaj.
Duket se pas këtij vendimi të gjykatës gjakrat mes këtyre dy institucioneve janë ulur, edhe pse nuk është “lidhur” miqësi midis tyre.
“Herën e parafundit, në fakt, që unë kam qenë me Sabriun (Sabri Skënderi, president i Urdhrit të Infermierëve), kemi qenë palë të ndryshme, ishim në gjyq dhe fakti që jemi këtu sot nuk do të thotë që kemi hequr plotësisht dorë nga qëndrimet që kishim, por jemi për një gjë të vetëdijshëm: që na duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët që, meqënëse kemi të njëjtin mision, pavarësisht nga pozicionet e ndryshme, për të rritur cilësinë e shërbimit edhe në Infermieristikë”.
Kjo fjalë e ministrit edhe në prani të vetë Skënderit heq çdo “kasavet” për çështjen e testimit. Testimi do të bëhet dhe Urdhri nuk ka çfarë bën më për këtë.


