Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka flet për kujdesin shëndetësor, raportet me mjekun, diagnostikimin, ushqimi dhe sportin.
Pasioni i veçantë për palestrën dhe ecjen në natyrë
Të drejtosh një sipërmarrje është tejet e vështirë; është një aktivitet plot stres që padyshim merr edhe nga shëndeti. Për pasojë, është e lehtë të gjesh biznesmenë të shëndoshë dhe në raste të rralla gjen biznesmenë të shëndetshëm; me linja të rregullta, me peshë normale, me trup që gjeneron gjithë energji dhe lëvizje plot shkathtësi. Kur flitet për kreun e Dhomës së biznesit të kryeqytetit, padyshim që ai listohet në grupin e dytë. Një imazh që shfaqet plot sqimë dhe kujdes deri në detajin më të vogël; paçka se nuk mungojnë rastet kur e lëshon veten për hir të sakrificës që kërkojnë angazhimet e përditshme në biznes, familje apo miqësi. “Shëndet Plus” zhvilloi një bisedë me kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, zotin Jaka, në një format krejt ndryshe nga ç’jemi mësuar që ta shohim, dhe ai tregohet i kujdesshëm; madje, herë-herë heziton të japë përgjigje, por këtë e bën edhe në këmbim të sinqeritetit me veten dhe lexuesin.
Afërmendsh, z. Jakaj ka arritur një mënyrë jetese që e ndihmon për ti shërbyer vetvetes, paçka se kjo nuk e pengon të shohë rrotull, çdo ditë, modele dhe standarde sa më të kohës. .
Hap pas hapi në bisedën tonë, zbulojmë detaje interesante të një njeriu që përtej imazhit publik që përcjell në publik, është ka thjeshtësinë dhe natyrshmërinë e familjarit me pasione dhe misione; që i pëlqen edhe të gatuajë në çdo lloj rrethane; edhe nëse do të vinte nevoja, që vaktin pranë tavolinës së familjes e ka dëshirë të pazëvendësueshme, etj.. Por, sporti është një pasion i veçantë për Nikolinin: “Frekuentoj palestrën dhe njëkohësisht asnjëherë nuk mungojnë një palë atlete në çantën time të udhëtimit, pasi sa herë prek një vend të huaj, ecja në parqe është gjëja që e bëj me zell dhe kuriozitet të jashtëzakonshëm”. Po ashtu, ai ndan edhe një këshillë me lexuesit e “Shëndet Plus”: “Sa më shumë kujdes për veten! Mundohuni të shmangni çdo gjë që dëmton shëndetin tuaj, qoftë dhe duke larguar stresin e ditës, e duke marrë kënaqësitë e vogla të saj”. Për më shumë, na ndiqni….
Shëndetin, ia dedikoni kryesisht përkujdesjes, apo genit?
Janë të alternuara të dyja. Geni më lejon të kem një metabolizëm të shëndetshëm që i pranon të gjithë ushqimet. Madje, organizmi im ka nevojë për 40 për qind karbohidrate, 30 për qind yndyrë dhe 30 për qind fruta, perime etj. Në këtë mënyrë, përkujdesja për veten nuk bëhet e vështirë, edhe pse përpiqem të jem i kujdesshëm në atë që konsumoj dhe në ushtrimin e aktivitetit fizik.
Cilat janë ushqimet tuaja të preferuara?
Produktet që mbeten kryesore në tryezën time janë kryesisht ato BIO, por nuk pengohem të konsumoj dhe produktet e detit apo të mishit, të shoqëruar me një gotë verë, në darkë në tryezën e familjes time.
Preferoj të konsumoj atë çfarë del e gatuar nga kuzhina familjare. Por, impenjimet e ndryshme të punës që bëj, angazhimet, si kryetar i Dhomës së Tregtisë me çojnë shpesh në restorante ku drekat dhe darkat e biznesit janë të pashmangshme. Madje, nga aty vijnë marrëveshjet më të mira. Siç duket, dhe në këtë rast funksionon shprehja; “Dashuria vjen nga stomaku” dhe një drekë biznesi në restorant kthehen në një pjesë normale të punës së përditshme. Natyrisht, që preferoj ato restorante ku produktet ushqimore janë të freskëta dhe vijnë cilësisht të gatuara mirë. Pastaj një drekë mes miqsh të vjetër dhe të rinj, një fundjavë me familjen, apo vizitat jashtë shtetit detyrimisht të çojnë dhe në konsumimin e ushqimit jashtë kuzhinës së ngrohtë familjare.
Do tu pëlqente të gatuani?
Në një farë mënyre po. Jo se jam ndonjë specialist në kuzhinë, por nëse do të duhej të gatuaja për familjen time, do e bëja me shumë kënaqësi. Por, dhe nëse do të lindë nevoja në rrethana jo normale, do të gjeja mënyrën për të gatuar, qoftë ky gatim për të shuar urinë e një vakti.
A ju pëlqen të përdorni çajin?
E konsumoj çajin në mënyrë të vazhdueshme. Shumë prej nesh kanë kafenë si konsumin më të madh të tyre, por unë preferoj më mirë një filxhan çaj sesa një kafe. Një filxhan çaj jeshil është gjithmonë prezent në konsumin ditor timin.
Po suplementet dietike?
Deri më tani e ndjej veten plot shëndet, me shumë energji dhe i besoj ushqimeve BIO për të pasur një trup në formë dhe me dinamizëm gjatë gjithë kohës.
A merret Nikolini me gjimnastikë? Shkoni në palestër, apo preferoni ecje në natyrë?
Palestra është pjesë e pashmangshme e aktivitetit tim fizik. Megjithëse, unë mbetem i dëshiruar për ecjen në natyrë. Shfrytëzoj çdo udhëtim jashtë shtetit për ta bërë këtë, pasi për fatin tonë të keq, në vendin tonë, nuk ka një infrastrukturë që të na e mundësojë këtë. Në çantën time të udhëtimit asnjëherë nuk mungojnë një palë atlete, dhe nuk më ka ndodhur që të shkoj jashtë dhe të mos di ku janë parqet e atij vendi e të mos bëj një shëtitje të gjatë herët në mëngjes.
Sa i kushton vëmendje pamjes së jashtme (estetike)?
Jam i kujdesshëm në vëmendjen që i kushtoj pamjes së jashtme. Ka ditë të tëra që dal nxitimthi nga shtëpia për shkak të impenjimeve të ndryshme, por nuk harroj të zgjedh ngjyrat e përshtatshme të veshjes për atë aktivitet që do bëj gjatë ditës. Dhe në ikje e sipër mundohem të mos harroj detajet e vogla. E nëse nuk e bëj do të thotë që vërtetë dita është tmerrësisht e ngarkuar.
Dikur shikonim biznesmenë të shëndoshë. Sot shihen biznesmenë të shëndetshëm. Por shohim, sërish edhe nga ata të parët. Sa të lejon dhe sa të pengon një biznes të kujdesesh për shëndetin?
Të jesh sipërmarrës në Shqipëri mendoj se është një ndër profesionet më të vështira. Stresi, ngarkesa nëse sot do i dilet punës në krye apo jo, pa diskutim që kanë krijuar probleme në shëndetin e tyre. Ndaj nëse shihen biznesmenë të shëndoshë, nuk janë të shëndetshëm në gjendjen e tyre trupore.
Sot po i kushtohet shumë rëndësi edukatës shëndetësore të familjes. Sa ndihet kjo në familjen tuaj?
Ka një sensibilitet më të madh në kujdesin ndaj shëndetit, edhe pse prapë kjo mbetet në përqindje minore. Megjithatë, përpjekjet informuese për të pasur një kujdes më të madh për veten, shqiptarët pak rëndësi i kushtojnë shëndetit të tyre. Por, për hir të së vërtetës, në familjen time kjo gjë funksionon ndryshe. Nuk lëmë kurrë pas dore as shqetësimin më të vogël shëndetësor dhe këtë jemi përpjekur tua përcjellim respektin dhe kujdesin ndaj shëndetit dhe fëmijëve tanë.
Po me mjekun personal, si i keni marrëdhëniet?
Një marrëdhënie konstante, që do të thotë është prezent dhe jemi në kontakt me të në mënyrë të rregullt. “Një marrëdhënie” që funksionon shumë mirë dhe është e reflektuar dhe në shëndetin që gëzojnë anëtarët e familjares time.
A bëni kontrolle të rregullta mjekësore, apo vetëm kur keni rekomandimin e mjekut?
Jo. Vetëm kur marr rekomandimin e mjekut; por, mundohem të bëj kontroll të përgjithshëm dy herë në vit me të gjithë analizat e domosdoshme për të evituar çdo lloj risku të mundshëm shëndetësor. Këtu, pa përjashtuar edhe analizat e kontrollit të metabolizmit apo jo, të di si reagon organizmi nga viti në vit, për tu privuar nga ndonjë ushqim, apo për të shtuar një tjetër (qesh).
Shqiptarët nuk njihen për një edukatë shëndetësore të veçantë. Nga nota 1 deri në 10, si do ti vlerësonit shqiptarët, referuar edhe fakteve që konstatoni gjatë ushtrimit të aktivitetit tuaj të përditshëm?
Dua të jemë realist dhe i saktë. Me notën 1.5. Ka një mungesë të theksuar të kujdesit ndaj vetes. E lënë veten deri në pikën e fundit për t’ju drejtuar urgjencës. Jeta është gjëja më e shtrenjtë dhe nëse nuk kujdesemi për shëndetin tonë, nuk vlerësojmë jetën dhe kështu nuk jemi në gjendje të vlerësojmë as njerëzit që na rrethojnë.
A keni ndonjë këshillë apo mesazh për lexuesit e “Shëndet Plus?
Ka shumë këshilla për ta, po vallë, sa munden ti realizojnë. Megjithatë, sugjeroj sa më shumë aktivitet fizik dhe, në mungesën e theksuar të parqeve apo këndeve sportive, të gjejnë mundësinë për tu kujdesur dhe treguar vëmendje në çdo moment për shëndetin.
Intervistoi: Albert Gjoka
USHQIMI
Produktet që mbeten kryesore në tryezën time janë kryesisht ato BIO, por nuk pengohem të konsumoj dhe produktet e detit apo të mishit, të shoqëruar me një gotë verë, në darkë në tryezën e familjes time
GATIMI
Në një farë mënyre po. Jo se jam ndonjë specialist në kuzhinë, por nëse do të duhej të gatuaja për familjen time, do e bëja me shumë kënaqësi. Por, dhe nëse do të lindë nevoja në rrethana jo normale, do të gjeja mënyrën për të gatuar
ÇAJI
E konsumoj çajin në mënyrë të vazhdueshme. Shumë prej nesh kanë kafenë si konsumin më të madh të tyre, por unë preferoj më mirë një filxhan çaj sesa një kafe. Një filxhan çaj jeshil është gjithmonë prezent në konsumin ditor timin
SHËNDETI I SIPËRMARRËSIT
Stresi, ngarkesa nëse sot do i dilet punës në krye apo jo, pa diskutim që kanë krijuar probleme në shëndetin e sipërmarrësve shqiptarë. Ndaj nëse shihen biznesmenë të shëndoshë, nuk janë të shëndetshëm në gjendjen e tyre trupore
RAPORTI ME MJEKUN
Një marrëdhënie konstante, që do të thotë është prezent dhe jemi në kontakt me të në mënyrë të rregullt. “Një marrëdhënie” që funksionon shumë mirë dhe është e reflektuar dhe në shëndetin që gëzojnë anëtarët e familjares time
MESAZHI
Ka shumë këshilla për ta, po vallë, sa munden ti realizojnë. Megjithatë, sugjeroj sa më shumë aktivitet fizik dhe, në mungesën e theksuar të parqeve apo këndeve sportive, të gjejnë mundësinë për tu kujdesur dhe treguar vëmendje në çdo moment për shëndetin




