Kryefaqja Box 5 Bronkiti, shkaqet dhe trajtimi

Bronkiti, shkaqet dhe trajtimi

0
Shpërndaje

Denisa Canameti

Bronkiti është një sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes e cila shkakton inflamim (pezmatim) të membranës së mukozës së rrugëve bronkiale në mushkëri. Meqë membrana e irrituar gungëzohet dhe bëhet më e trashë, kjo i ngushton ose i mbyll rrugët e vogla të frymëmarrjes në mushkëri, duke sjellë periudha bronkit 1kollitjesh që mund të shoqërohet nga gëlbazë dhe vështirësi në frymëmarrje. Altin Habazaj, mjek pneumolog pranë Spitalit Universitar të Traumës shpjegon për lexuesin e gazetës “Shëndet+”, problemet e bronkitit dhe mënyrën e kurimit.

Doktor, çfarë është sëmundja e bronkitit?

Bronkiti është inflamacioni i mukozës bronkiale, rrugët ajrore të mëdha dhe të mesme që çojnë fluksin e ajrit prej trakesë, drejt pjesëve më distale të parenkimës pulmonare.

Cilat janë llojet e bronkitit?

Bronkiti ndahet në dy kategori: akut dhe kronik

Bronkiti akut

Bronkiti akut karakterizohet nga zhvillimi i kollës, me ose pa prodhim të pështymës (mukus që nxirret përmes kollës prej traktit respirator). Simptoma të tjera janë tharje fyti, dispne, lodhje, rrjedhje hundësh, kongjestion nazal, temperaturë, dhimbje pleurale, dobësi trupore.

BronkitiBronkitit akut zhvillohet shpesh gjatë periudhave të sëmundjeve virale akute, si: gripi apo i ftohti i zakonshëm. Viruset janë shkaktarët më të shpeshtë të rasteve me bronkit akut (rreth 90%). Viruset më të shpeshta janë: rinoviruset, koronaroviruset, adenoviruset, virusi paragripal, gripi. Bakteret janë shkaktarë më të rrallë (rreth 10%).

Grupmoshat më të prekura janë ato ku dhe imuniteti është më i dobët, si: fëmijët, të moshuarit, personat me sëmundje kronike, veçanërisht sëmundje pulmonare.

Bronkiti mund të konstatohet nga mjeku gjatë ekzaminimit fizik. Për shkak të shenjave dhe simptomave jospecifike mund të nevojitet kryerja e radiografise së toraksit për të përjashtuar një pneumoni të mundshme, kulturë e sputumit për të përjashtuar kollën e mirë ose infeksione bakteriale të tjera, testet funksionale pulmonare për të përjashtuar astmën apo emfizemën pulmonare.

Trajtimi i bronkitit akut është kryesisht simptomatik. Antiinflamator josteroid mund të përdoren për të kuruar kollën dhe tharjen e fytit. Edhe pa trajtim shumë raste të bronkitit akut zgjidhen shpejt. Meqenëse shumica e rasteve të bronkitit akut shkaktohen nga viruset, antibiotikët nuk rekomandohen, sepse nuk janë efektive ndaj viruseve. Nga ana tjetër përdorimi i tyre në këto raste sjell zhvillimin e baktereve rezistente ndaj antibiotikëve që mund të çojnë në morbiditet dhe mortalitet më të lartë. Sidoqoftë edhe në rastet e bronkitit viral antibiotikët mund të këshillohen në disa rrethana për të parandaluar zhvillimin e infeksioneve bakteriale dytësore.

Altin Habazaj
Mjeku Altin Habazaj

Bronkiti kronik

Bronkiti kronik konstatohet në kuadrin e sëmundjes pulmonare obstruktive kronike dhe përkufizohet si kollë produktive që zgjat më shumë se tre muaj përgjatë një viti për dy vjet rresht në mungesë të ndonjë sëmundje tjetër pulmonare.

Simptomat e bronkitit kronik mund të përfshijnë fërshëllima në gjoks dhe mungesë të frymëmarrjes, veçanërisht gjatë aktivitetit, dhe ulje të oksigjenit në gjak. Kolla është shpesh e përkeqësuar herët në mëngjes pas zgjimit dhe sputumi mund të ketë ngjyrë të verdhë ose jeshile ose të jetë me rrema gjaku.

Shumica e rasteve të bronkitit kronik shkaktohen nga duhanpirja. Faktorë të tjerë janë thithja kronike e ajrit të ndotur, ekspozimi kronik ndaj pluhurave apo tymrave irritues prej ekspozimit profesional si në miniera, industrinë tekstile,fermat e bagëtive etj.

Acarimi akut i bronkitit kronik ndodh atëherë kur pacienti ka përkeqësim të simptomave të tij përtej variacioneve ditore të zakonshme. Mund të shkaktohet prej viruseve apo baktereve.

Individët me bronkit kronik mund të paraqesin ngushtim të rrugëve të ajrit dhe çrregullime në testet funksionale pulmonare.

Të dhënat tregojnë se ndërprerja e duhanpirjes mund të ngadalësojë rënien e funksionit të mushkërive në individët me bronkit kronik. Bronkiti kronik trajtohet në mënyrë jofarmakologjik: rehabilitimi pulmonar, reduktimi kirurgjikal i volumit pulmonar, si dhe farmakologjik: kortikosteroide, bronkodilatator me veprim të shkurtër dhe të gjatë, antikolinergjik, mukolitik/ekspektorante si oksigjen suplemental në raste të reduktimit të oksigjenit në gjak.

Kur duhet të paraqitemi te mjeku?

Duhet drejtuar tek mjeku në rast të temperaturës së lartë që nuk bie me masat e marra në shtëpi, ethe dhe kollë produktive me sputum me ngjyrë të verdhë, jeshile, me rrema gjaku, marrje të frymës. Kujdes më i madh (dhe për rrjedhojë një vizitë sa më e shpejtë tek mjeku) duhet treguar nëse personi është  fëmijë, i moshuar, me sëmundje kronike, veçanërisht sëmundje të mushkërive.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here