Eriola Çuko
Buxheti i këtij viti për shëndetësinë paraqitet më i lartë se vitet e tjera, ndërkohë që synohet realizimi i një sërë projektesh të rëndësishme. Buxheti i shëndetësisë për vitin 2014 është 38,7 miliardë lekë (në vitin 2013 buxheti i shëndetësisë ishte 36,3 miliardë lekë), ose 2,77 % e PBB, niveli më i lartë i shpenzimeve publike për shëndetësinë në më shumë se 10 vitet e fundit.
Në buxhet pasqyrohet dhe angazhimi programor për fillimin e kontrollit bazë në grupmoshën 40-60 vjeç. Në këtë grupmoshë, janë rreth 760 mijë vetë rezidentë në Shqipëri, ndërkohë që në kujdesin shëndetësor parësor janë programuar 5 milionë dollarë për kontrollin bazë, që pritet të nisë realisht në gjysmën e dytë të vitit. Tashmë, është ngritur grupi i punës dhe ka fillluar puna për hartimin e paketës së kontrollit bazë.
Gjatë këtij viti vëmendje e madhe do t’u kushtohet spitaleve, të cilat zënë dhe peshën më të madhe të fondeve të buxhetit 2014. Kështu, këtë vit parashikohen të kryhen pagesat përfundmitare për rikonstruksionin e spitalit neurologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (1 milion USD), për ndërtimin e spitalit “Shefqet Ndroqi” (600 mijë USD, për rikontruksionin e maternitetit “Koço Glozheni” (350 mijë USD), për bunkerin e akseleratorit linear në shërbimin e neurokirurgjisë. Po kështu do të vijojnë pagesat për ndërtimin e spitalit të ri psikiatrik në Vlorë (600 mijë USD), do të hartohet projekti i zbatimit për kirurgjinë e re në QSUT, për rehabilitimin e spitalit onkologjik në QSUT dhe atij të Pediatrisë, si dhe Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT dhe ndërtimit të spitalit të ri rajonal në Qarkun e Fierit.
Në shërbimin shëndetësor parësor do të ketë përmirësime të qendrave shëndetësore, me një vlerë rreth 5 milionë USD, që do të jenë në zonat urbane dhe rurale, duke përfshirë Tiranën, Korçën, Gjirokastrën, Peshkopinë dhe Durrësin.
Gjatë këtij viti do t’i kushtohet vëmendje kujdesit për sëmundjet tumorale dhe ato kardiovaskulare. Buxheti parashikon rritje me 2.5 herë të fondeve për furnizimin e Spitalit Onkologjik me barna citostatikë, duke arritur në nivelin e rreth 8 milionë USD, si dhe do të ndërtohet një bunker i ri për akselaratorin linear pranë tij. Ndërkohë, me fondin rreth 700 mijë USD do të blihen edhe dy mamografë të lëvizshëm, me qëllim që të shkojmë sa më pranë grave në zonat rurale.
Sa u takon sëmundjeve kardiovaskulare, fondet për furnizimin e shërbimeve me materiale mjekësore do të 3-fishohen, si dhe do të plotësohet reanimacioni në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, me qëllim që shërbimi i hemodinamikës të ofrohet edhe në këtë siptal. Në shërbimin e kardiokirurgjisë do të investohen 50 milionë lekë për të përmirësuar sallat e operacioneve. Specialistët po punojnë ndërkohë për hartimin e paketave të shërbimeve të hemodinamikës, me qëllim që këto shërbime të paguhen me para publike edhe pranë institucioneve shëndetësore jopublike.
Gjithashtu, me buxhetin e vitit 2014 do të bëhet e mundur të financohen edhe transplantet e veshkës dhe të mëlçisë.
Sa i takon dixhitalizimit të shëndetësisë, gjatë këtij viti, Ministria e Shëndetësisë synon realizimin e hartimit të kornizës afatgjatë të strategjisë së zhvillimit të e-health në Shqipëri. Po kështu, do të fillojë zbatimi i projekteve të dixhitalizimit në spitalin rajonal të Shkodrës, dixhitalizimit në QSUT, të përdorimit të telefonisë mobile për të komunikuar paraprakisht vaksinimin e fëmijëve dhe faza e parë e zbatimit të recetës elektronike



