Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu ka prezantuar në Komisionin e Shëndetësisë prioritetet e projektbuxhetit për vitin 2027, duke bërë të ditur se fondi për sektorin do të arrijë në 117.8 miliardë lekë, rreth 4.7 miliardë lekë më shumë krahasuar me planin e vitit 2026.
Nga buxheti i parashikuar, 84.2 miliardë lekë do të shkojnë për shëndetësinë dhe 33.5 miliardë lekë për mirëqenien sociale dhe ish-të përndjekurit politikë. Rreth 5.4 miliardë lekë janë parashikuar për investime në të dy sektorët.
“Për vitin 2027, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale parashikohet të arrijë në 117.8 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 4.7 miliardë lekësh, krahasuar me planin e vitit 2026. Ky financim përfaqëson 12.1% të Buxhetit të Shtetit dhe rreth 4% të Produktit të Brendshëm Bruto. Nga ky buxhet, 84.2 miliardë lekë parashikohen për sektorin e shëndetësisë dhe 33.5 miliardë lekë për mirëqenien sociale dhe ish-të përndjekurit politikë. Ndërkohë, shpenzimet e skemës së sigurimeve shëndetësore, të administruara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, parashikohen në 70.8 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 1.6 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2026. Për vitin 2027 parashikohen gjithashtu rreth 5.4 miliardë lekë investime në shëndetësi dhe mirëqenie sociale. Dua të theksoj një element thelbësor: rritja e financimit duhet të shoqërohet me rritjen e efektivitetit të shpenzimeve”, tha ministrja.


