Kryefaqja Aktualitet Celuloid, mjekësia në Durrës në kohën e Princ Vidit

Celuloid, mjekësia në Durrës në kohën e Princ Vidit

0
Shpërndaje
Edit Durham me malësorët

Koha e sundimit të princit austriak është pikërisht periudha kur u konsolidua shërbimi i parë spitalor serioz i shtetit shqiptar

Mark Brunga

Qyteti i Durrësit ka një histori të lashtë mijëravjeçare. Por duke qenë në një udhëkalim ku kryqëzoheshin linjat e Perëndimit dhe të Lindjes, Durrësi ka qenë edhe shesh betejash për të cilat është shkruar shumë. Betejat, krahas zulmës historike, janë shoqëruar edhe nga ushtarë të vrarë, të plagosur, por që kanë pasur edhe një infrastrukturë ndihme shëndetësore. Dhe kjo jo vetëm në kohë lufte. Edhe në kohë paqësore, që

Spitali anglo-gjerman në Durrës, pranverë 1914
Spitali anglo-gjerman në Durrës, pranverë 1914

zakonisht nuk zgjasnin. Por edhe për qytetarët në sëmundjet e vazhdueshme dhe epidemitë e rastit. Që ishin të shpeshta. Jo më kot në kujtesën historike ka mbetur emri i një mjeku të shquar Filonid Dyrrahini, i cili ka lënë të shkruara disa traktate mjekësore mjaft të rëndësishme me vlera shkencore për studiuesit e mjekësisë historike. Në çdo periudhë të ekzistencës së civilizimit të lashtë, kanë mbetur emra dhe gjurmë mjekësh, mes të cilëve Ana Komnena përmend 3 mjekë që asistuan të atin, perandorin bizantin Aleksi, i cili pësoi një dëmtim gjatë lojërave me kuaj në cirkusin e Durrësit, që duhet të ketë qenë Amfiteatri.

Në periudhën e Princ Vidit në Durrës ka shërbyer si sanitare edhe personaliteti i njohur, Edith Durham, autorja (mes të tjerave) e librit mjaft të rëndësishëm për historinë tonë kombëtare “Brenga e Ballkanit”. Në këtë periudhë u konsolidua edhe shërbimi i parë spitalor serioz i shtetit shqiptar.

Durrës, marinarë austriakë duke transportuar një të plagosur
Durrës, marinarë austriakë duke transportuar një të plagosur

Në një foto që e përmend në shënimet e tij në librin “Vështrim historik mbi shëndetësinë dhe spitalin e Durrësit” edhe mjeku i shquar durrsak, Ali Sula, tregohet ndërtesa e një spitali që është quajtur spitali anglo – gjerman, spital i cili ka shërbyer në periudhën e betejave të zhvilluara kundër shtetit të Princ Vidit. Rreth këtij spitali, mjeku durrsak Sula, duke sjellë edhe foton me personelin e spitalit dhe disa ushtarakë, vëren se në Durrësin kryeqytet gjatë qeverisjes së Princ Vidit kishte lindur nevoja për një organizim shëndetësor që në njëfarë mënyrë u konkretizua me ngritjen e spitalit “Mbretnesha Sofija”, me personel civil – ushtarak dhe motra sanitare të huaja, si dhe me një ambulancë anekse në kodrat e  qytetit përballë limanit.

Fotografia e këtij spitali është realizuar nga një pjesëtar i misionit ushtarak holandez në Durrës dhe që sot, pas luftës shkatërrimtare të zhvilluar në këtë qytet, zëvendëson një dokument arkivor mbi një pjesë të punës së bërë për instalimin e një shërbimi mjekësor profesional dhe dinjitoz për shtetin e brishtë dhe jetëshkurtër të asaj periudhe.

Personeli mjekësor holandez ka ndihmuar edhe për trajtimin e pacientëve të shumtë të spitalit mbretëror, që ishte hapur në Durrës nga austriakët.

Durrës, automjet për transportin e të plagosurve
Durrës, automjet për transportin e të plagosurve

Stafi mjekësor

Dr. Ali Sula, i cili ka shfrytëzuar edhe arkivat e kohës, si dhe arkivin e pasur familjar që trashëgon, ka përmendur edhe disa emra mjekësh të njohur durrsakë që kanë shërbyer në shërbimin e qeverisë së Princ Vidit.

Dr. Ruzhdi Pobrati (1872-1932), i cili ishte i diplomuar në Stamboll. Ai e filloi profesionin e mjekut në ushtrinë turke dhe u ftua pas ardhjes së Princ Vidit dhe shpalljes së Durrësit kryeqytet nga 2 miqtë e tij durrsakë Hysen Myshketa dhe Sulejman Kadiu. Pas kërkesës së tyre, ai erdhi në Durrës nga Elbasani ku ndodhej dhe kreu detyrën e drejtorit të përgjithshëm të shëndetësisë të kësaj qeverie.

Mjeku tjetër, Fahri Rashid Gorani (1881- 1944) ishte me origjinë nga Gjilani. I diplomuar në Stamboll dhe i specializuar për kirurgji në Paris, Gorani shërbeu si këshilltar mjekësor pranë qeverisë së Vidit. Sipas dr. Ali Sulës, Gorani ishte edhe kryetari i parë i Kryqit të Kuq Shqiptar në vitet 1932-1934.

Dr. Zihni Starja (1871-1916). I diplomuar në Stamboll, me origjinë nga Kolonja, ka shërbyer në spitalin “Mbretnesha Sofija” i ndihmuar nga studenti i mjekësisë Musa Ohri dhe farmacisti Fejzi Rusi.

Dr. Ethem Bakalli (1865-1945). I diplomuar Stamboll, me origjinë nga Struga ka kryer detyrën e inspektorit sanitar.

Edit Durham me malësorët
Edit Durham me malësorët

Edith Durham

Në një foto që përshkruan një shesh beteje, duket edhe Edith Durham duke ndjekur dinamikën e betejës nga breg llogoreje në momentin që luftëtarët veriorë janë duke u pozicionuar për përballimin e ndonjë sulmi të mundshëm nga kundërshtarët e tyre haxhiqamilistë. Historiku i luftës së asaj periudhe tregon për ndeshjet dhe tensionet e shumta luftarake e diplomatike dhe deri vrasjen e kolonelit Thomson, i cili mori ndihmë të parë mjekësore nga një ushtarak i shquar, mjek holandez. Majori Redingius i dha ndihmën e parë edhe Kolonelit Tomson, kur plumbi i përshkoi trupin më 15 qershor 1914. Ai, sipas shtypit të kohës,  u ndihmua shumë nga dy zonja, Edith Durham dhe Baronesha bavareze Amelia Godin. Në një foto mjaft të rrallë dhe domethënëse duket Durham me një shenjë dalluese në krah, që ka si simbol një yll.

Spitalet e asaj periudhe kanë pasur edhe mjete motorike. Një foto tregon edhe momentin kur një automjet po transporton me urgjencë një të plagosur në fushë-betejë. Duhet të ketë qenë luftëtar nga veriu, pasi atë e ka shoqëruar edhe një person që përkujdeset mbi mjet me qeleshe.

Një foto tjetër ka fiksuar momentin kur një grup sanitarësh ushtarakë austriakë shoqëron një të plagosur me barrelë. Janë marinarë austriakë që po dërgojnë drejt spitalit austriak mbretëror të plagosurin. Si barrela, ashtu edhe makina që kryen punën e autoambulancës janë elemente të

Malësorë
Malësorë

modernizimit që vinin nga Evropa në një vend ku ekzistonte ende primitivizmi në dhënien e ndihmës të plagosurve. Primitivizëm që na e sjell një foto ku duket i plagosuri i futur në një trung të gdhendur në formë shtrati për të bërë edhe mobilizimin e trupit nga frakturat që mund të ketë shkaktuar plumbi. Mbi kokë i rri një nga bashkëluftëtarët i cili nuk ka ç’t’i bëje tjetër veçse t’i presë shiun që bie mbi fytyrën e tij të deformuar nga dhimbjet…

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here