Arjeta Dedej, nefrologe, Spitali Amerikan
Hemodializa është një mënyrë trajtimi për ato pacientë, të cilët kanë humbur funksionin e veshkave për arsye të ndryshme. Veshkat janë organe retroperitoneale që kanë një peshë rreth 125-150 gr dhe kanë pothuajse masën e grushtit. Funksioni kryesor i veshkave është largimi nga trupi i lëndëve toksike me anë të urinës, prodhimi i eritropoetinës, hormon që stimulon serinë e kuqe të rruazave të gjakut, aktivizimin e vitaminës D etj.
Në momentin që veshkat nuk kryejnë funksionin përkatës, atëherë jemi përpara dy tablove që njihen si insufiçienca akute dhe kronike. Insufiçienca akute është humbja e funksionit të veshkave (rritja e azotemisë dhe kreatinemisë) në një kohë të shkurtër për shkaqe të ndryshme dhe në shumicën e rasteve është e rikthyeshme; e kundërta është insufiçienca kronike në të cilën funksioni i veshkave ka filluar të ulet gradualisht dhe është i rreversibell. Shkaku më kryesor i insuficiencës renale kronike është diabeti, më pas hipertensioni, glomerulopatitë etj.
Në të dy rastet pacientët mund trajtohen me hemodializë, por në pacientët me insufiçiencë akute pacienti në shumicën e rasteve kryen disa séance dhe më pas funksioni renal përmirësohet. Ka dhe raste të rralla kur pacienti trajtohet me seancë hemodialize gjatë gjithë jetës. Kurse në pacientët me insufiçiencë renale kronike, hemodializa është e pashmangshme, natyrisht në kohën që plotësohen kriteret për një trajtim të tillë.
Si kryhet hemodializa?
Hemodializa është një procedurë, ku pacientit pasi i krijohet një akses (rrugë venoze që përballon fluks të lartë, e cila mund të jetë kateter, fistulë arteriovenoze apo graft) me anë të cilit lidhet me aparaturën ku ndodh shkëmbimi i gjakut me dializatin, në të cilën gjaku pastrohet nga lëndët toksike. Rregullohen elektrolitet dhe rregullohet volumi i likideve në trup. Është procedurë e padhimbshme për pacientin, shkëmbimet ndodhin midis gjakut dhe dializatit me anë të një filtri, i cili i përshtatet pacientit në varësi të peshës, tensionit dhe parametrave të tjerë.
Siç dihet, pacientët të cilët janë diagnostikuar me insufiçiencë renale janë oligoanurike (kanë sasi të pakët urine ose nuk kanë fare), për këtë arsye të gjithë lëngjet që ato konsumojnë gjatë gjithë kohës nuk kanë mundësi të filtrohen dhe të dalin në trajtë urine për këtë arsye një pacient hemodialize ka ndryshim nga seanca në seancë në peshën trupore. Për këtë përdoret termi pesha e thatë, e cila është pesha kur organizmi është euvolemik.
A trajtohen me hemodializë të gjithë pacientët me insufiçiencë renale kronike?
Jo, që një pacient të trajtohet me hemodializë duhet të ketë disa kritere, të cilët përcaktohen nga vlerat e azotemisë dhe kreatinemisë, nga vlera e potasiumit, nga sëmundja bazë dhe mosha dhe nga gjendja klinike e pacientit. Një pacient trajtohet me hemodializë në stadin e pestë të sëmundjes. Në katër stadet e para, ai trajtohet me terapi medikamentoze. Gjithashtu fillimi i hemodializës varet edhe nga gjendja klinike e pacientit. Një pacient i cili është diabetik e fillon dializën më shpejt sesa një pacient tjetër, edhe po të jenë në të njëjtën vlerë analizash laboratorike.
Si përcaktohet mjaftueshmëria e hemodializës?
Për të përcaktuar mjaftueshmërinë e hemodializës në çdo pacient kryhen ekzaminime përpara dhe pas dializës në mënyrë që të caktohet sesa është përqindja e flitrimit gjatë seancës. Përpara fillimit të seancës merren vlerat e azotemisë dhe kreatinemisë dhe në fund llogaritet që pacienti të dalë me vlera të paktën 60 % më të ulëta, sesa vlerat e azotemisë me cilën fillon seancën.
Nga se varet cilësia e hemodializës?
Varet nga shumë faktorë; si nga lloji i filtrit, kohëzgjatja e seancës, fluksi i përdorur, nga gjendja e pacientit (një pacient që ka proces inflamator ka nja URR ktv më të ulët se një pacient tjetër).
Për pacientët në hemodializë a ka ndonjë rekomandim të veçantë? Dietë të veçantë?
Pacientët e hemodializës janë pacientë të cilët kanë dieta të veçanta. Ushqimet asnjëherë nuk duhet të kenë një drejtim të caktuar; duhet të konsumojnë pak nga të gjitha llojet. Natyrisht ato që janë diabetikë kanë dietat e tyre specifike dhe kripa është e kufizuar, por jo të konsumojnë ushqime pa përmbajtje kripe. Në pacientë të hemodializës kufizohet marrja e ushqimeve me kalium; siç janë kumbulla, banania, dardha apo ushqimet që përmbajnë fosfor si peshku etj. Nevojat për proteinë janë 1,2 gr/protein/kg/ditë që është afërsisht 100 gr mish, të paktën një vezë në ditë ose një peshk i mesëm. Nga mishi preferohet mishi i deles, sepse ka përqindje të ulët fosfori.
Nga frutat që lejohen janë molla, qitro, mandarina, rrushi dhe shalqiri që duhet të përdoren në mënyrë të kufizuar. Edhe frutat e thata duhet të përdoren në sasi të kufizuar nga produktet e bulmetit; më shumë të përdoret kosi, sepse ka përqindje më të ulët fosfori dhe djathi kaçkavall që ka përqindje të lartë fosfori për çështjen e peshës. Pacienti nuk duhet të kalojë 5% e peshës psh: një person me peshë 70 kg max i peshës do të jetë 3.5 kg.
Përveçse dietës së pacientëve që trajtohen me hemodializë i rregullohet dhe dozimi i medikamenteve që përdorin për sëmundje të tjera, duke u bazuar në përqindjen e filtrimit të këtyre ilaçeve nga hemodializa.
Gjithmonë vlen të theksohet se hemodializa nuk është trajtim ideal për pacientët. Me hemodializë pacienti nuk i zëvendëson të gjitha funksionet e një veshke normale. Trajtimi ideal vazhdon të mbetet transplanti renal.
Sa seanca kryen një pacient hemodialize?
Një pacient zakonisht kryen 3 seanca hemodialize në javë. Një seancë hemodializë zgjat 4 orë, në të cilën pacienti është i lidhur me aparaturën dhe gjatë kësaj kohe rri në shtrat ose në karrike dialize dhe mund të lexojë, mund të konsumojë ndonjë ushqim dhe shohë televizor.
A ka ndonjë rrezik për transmetimin e ndonjë sëmundje nga aparati i dializës?
Pacientët e hemodializës janë pacientë me sistem imunitar të deprimuar, kështu që janë më të ndjeshëm sesa pacientët e tjerë, por përpara trajtimit me hemodializë pacientët cekohen për testet virusale hepatitin B, C, HIV dhe bëhet ndarja e makinave në bazë të këtyre testeve, procedurë kjo që ndalon kalimin e viruseve nga një pacient tek tjetri.
A mund të transplantohet një pacient që kryen hemodializë?
Po, natyrisht vlen të theksohet se pacientët e hemodializës mund të kryejnë transplant renal në çdo moment të jetës së tyre.


