Çfarë duhet të dini rreth pudrës për bebe dhe rrezikut për kancer

Nga Blertina Koka

Mund të keni lexuar kohët e fundit për paditë që janë ngritur ndaj gjigantit farmaceutik Johnson & Johnson për një produkt të tijin, ku mendohet se shkakton kancer. Disa gra kanë hedhur në gjyq kompaninë me pretendimin se pudra për bebe u ka shkaktuar kancer në vezore.

Teksa lexon apo dëgjon raste të tilla, të vjen natyrshëm një pyetje ndërmend: Sa të sigurt janë këto produkte? A  janë realisht të rrezikshme apo gjithçka bëhet për t’i prishur reputacionin kompaninë? Fatkeqësisht, përgjigja akoma nuk është e qartë.

Çfarë duhet të dini rreth pudrës për bebe.

Pudra për bebe (dhe shumë produkte të tjera kozmetike) shpesh përmbajnë pluhur talk, i cili prodhohet nga një mineral natyral i quajtur talk.

Në formën e tij natyrale, talku përmban asbest, një substancë që padyshim shkakton kancer kur thithet. Megjithatë Shoqata Amerikane e Kancerit thotë se prej vitit 1970 është hequr përdorimi i asbestit tek produktet e pluhurit talk, të paktën në SHBA.

Studimet janë fokusuar tek kanceri i mushkërisë dhe vezores

Kur bëhet fjalë për pluhurin talk dhe rrezikun për kancer, dy janë shqetësimet më kryesore. Së pari është nëse njerëzit të cilët janë të ekspozuar ndaj talkut në punë mund të preken nga kanceri i mushkërisë duke e thithur atë. E dyta është nëse gratë të cilat përdorin pluhurin talk në pjesën gjenitale mund të jenë më të rrezikuara nga kanceri i vezoreve.

E nisim me kancerin e mushkërisë: Edhe pse ka të dhëna që tregojnë se njerëzit të cilët gërmojnë ose punojnë me talk natyral mund të jenë të rrezikuar nga kanceri i mushkërisë, Shoqata Amerikane e Kancerit thotë se deri tani nuk është raportuar ndonjë lidhje mes kancerit të mushkërisë dhe produkteve kozmetike që përmbajnë pluhur talk.

Ndërsa kanceri i vezores është pak më ndryshe.

Ekspertët thonë se është e mundur që pak pluhur talku të kalojë në trup kur aplikohet në organet gjenitale.

“Ka të dhëna që tregojnë se grimcat e talkut mund të kalojnë nëpërmjet traktit gjenital, mitrës dhe tubave fallopianë, duke ekspozuar kështu vezoret ndaj kësaj substance”, shkruan gjinekologu Daniel M. Breitkopf për Mayo Clinic.

Por akoma nuk e dimë nëse këto grimca mund të çojnë realisht në kancer. Disa studime kanë zbuluar se gratë të cilat përdorin pluhur talku kanë një rritje të vogël të rrezikut për zhvillimin e kancerit të vezoreve. Megjithatë Shoqata Amerikane e Kancerit thekson se këto studime mund të jenë të njëanshme, duke qenë se u kanë kërkuar grave të rikujtojnë detaje rreth përdorimit të pluhurit talk para shumë vitesh. Ky grumbullim i informacionit konsiderohet më pak i besueshëm – nuk kemi memorie aq të mirë.

Dy nga studimet e kryera më mirë – përfshirë një që ka monitoruar 60 mijë gra për mbi 12 vite, nuk gjeti ndonjë rritje të rrezikut. Megjithatë prestigjiozja amerikane New York Times raporton se ky studim gjithashtu ka pasur kritika me pretendimin se nuk ka zgjatur aq sa duhet dhe nuk ka përfshirë mjaftueshëm gra.

Aktualisht, Agjencia Ndërkombëtare për Hulumtimin ndaj Kancerit thotë se përdorimi i pluhurit talk në pjesën gjenitale është “ndoshta” shkak për zhvillimin e kancerit tek njerëzit. Nga ana tjetër, një raport nga Instituti Kombëtar i Kancerit pranon këto gjetje “kontradiktore”, megjithatë përsëri thotë se “pesha e të dhënave” nuk e mbështet lidhjen mes rrezikut për kancer të vezoreve dhe përdorimit të pluhurit talk në pjesën gjenitale.

Me pak fjalë: Është e komplikuar.

Si përfundim mund të themi se asgjë nuk dihet me siguri

Nuk ka asnjë mënyrë për shkencëtarët që të zbulojnë, me 100% siguri, nëse pluhuri talk mund të rrisë rrezikun për kancer.

Siç raportoi New York Times vitin e kaluar, nuk mund të bëhet asnjëherë një studim ku shkencëtarët të ekspozojnë me vetëdije njerëzit ndaj pluhurit talk për të parë nëse mund të preken nga kanceri ose jo. Një eksperiment që nuk do të ishte etik, mbi të gjitha. Nuk mund të jetë as praktik, duke qenë se kanceri merr vite për t’u zhvilluar dhe mund të influencohet nga një sërë faktorësh të tjerët, si gjenet ose substanca të tjera në mjedis.

Kur bëhet fjalë për kancerin e vezoreve në veçanti, Shoqata Amerikane e Kancerit thotë se edhe nëse ka ndonjë rritje të rrezikut, duhet të jetë shumë i vogël.

Megjithatë organizata thotë gjithashtu se nëse jeni të shqetësuar, thjesht mund të ndaloni përdorimin e produkteve me pluhurin talk. Disa mjekë sugjerojnë që të përdorni produkte me bazë miellin e misrit në vend të tij, ose thjesht t’i shmangnin të gjitha llojet  pluhurave.

Mos harroni që nuk është e nevojshme të përdorni të tilla produkte për të pastruar vaginën – ajo pastrohet vetvetiu.

Për ta mbyllur, gratë duhet të dinë rreth faktorëve të tjerë të rrezikut për kancerin e vezores, përfshirë moshën, historinë familjare, mutacione të caktuara gjenetike, një histori të mëparshme me kancerin e gjirit, mitrës ose zorrës; nëse kanë endometriozë, nuk kanë fëmijë etj./ Shendeti.com.al

Lexoni më shumë rreth kancerit të vezoreve tek Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

 

Postime të ngjashme

Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin
3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit