
Celuliti është një gjendje që e bën lëkurën juaj të ketë një pamje të zbehtë, me gunga ose të gërvishtura. Ndodh kur xhepat e yndyrës shtyjnë indin tuaj lidhës dhe ulen nën sipërfaqen e lëkurës tuaj.
Ekspertët nuk e dinë shkakun e saktë të celulitit. Por, ata dinë se marrëdhënia midis lëkurës suaj, indit lidhës dhe yndyrës krijon kushtet për shfaqjen e celulitit. Faktorë të tillë si gjenetika, mosha dhe mënyra e jetesës mund ta përkeqësojnë atë.
Edhe pse celuliti mund të përkeqësohet me shtimin në peshë, të kesh celulit nuk do të thotë se je mbipeshë. Njerëzit e të gjitha moshave dhe formave trupore mund ta kenë atë. Në fakt, rreth 80-98% e njerëzve të caktuar femra në lindje kanë celulit. Zakonisht shfaqet rreth kofshëve, ijeve dhe vitheve.
Celuliti është i padëmshëm, por mbetet një shqetësim estetik për disa njerëz. Ju nuk mund ta hiqni plotësisht celulitin, por ka një sërë produktesh dhe trajtimesh që ndihmojnë në uljen e tij.
Çfarë e shkakton celulitin?
Shkaku i saktë i celulitit është ende i panjohur, por studiuesit thonë se ai rrjedh nga marrëdhënia midis lëkurës suaj, qelizave yndyrore dhe indit lidhës.
Lëkura juaj ka tre shtresa:
- Epidermë (shtresa e jashtme e lëkurës)
- Derma (shtresa e mesme e lëkurës)
- Hipoderma (shtresa më e brendshme e lëkurës)
Hipoderma përmban qeliza yndyrore të mbajtura në vend nga një matricë e fibrës së kolagjenit ose ind lidhës. Muskujt dhe lëkura mbahen së bashku nga shtresa nënlëkurore.
Celuliti ndodh kur qelizat dhjamore dalin nga matrica e fibrave të kolagjenit dhe afrohen më pranë shtresës së sipërme të lëkurës. Kjo i jep lëkurës një pamje me gunga, të gërvishtura ose me gropë.
Arsyeja pse ndodh kjo ka të bëjë me ndryshimet në funksionin normal të shtresës nënlëkurore dhe indit lidhës, duke përfshirë:
- Mbipopullimi i qelizave yndyrore
- Qarkullim i dobët ose oksigjenim i dobët
- Mbajtja e lëngjeve brenda indit lidhës
- Inflamacion
- Ndryshimi i qelizave yndyrore
- Ngurtësimi i indit lidhor
Faktorët e mëposhtëm mund t’ju bëjnë më të ndjeshëm ndaj celulitit ose përkeqësimit të tij.
Gjinia
Celuliti prek kryesisht vajzat dhe gratë. Një shpjegim për këtë është se meshkujt kanë ind lidhës më të fortë me më pak yndyrë nënlëkurore. Një teori tjetër lidh hormonet femërore (estrogjeni dhe progesteroni) me zhvillimin e celulitit.
Ndërsa celuliti është i rrallë tek meshkujt. Megjithatë, hulumtimet tregojnë se kjo ndodh shumë më shpesh tek meshkujt me një gjendje që i ekspozon ata ndaj hormoneve femërore. Kjo përfshin sindromën e Klinefelter-it, mungesën e androgjenit, hipogonadizmin dhe terapinë e estrogjenit për kancerin e prostatës.
Hormonet femërore mund të ndikojnë në qarkullimin e gjakut dhe oksigjenimin në shtresën nënlëkurore. Puberteti shpesh përshpejton celulitin ndërsa këto hormone femërore rriten.
Gjenetika
Të kesh anëtarë të familjes me celulit rrit rrezikun e zhvillimit të celulitit gjithashtu. Gjenet janë një ndër faktorët e zhvillimit të celulitit sepse ato veprojnë në qelizat dhe strukturat që ndikojnë në inflamacion, receptorët e hormoneve, rrjedhën e gjakut dhe rritjen e qelizave yndyrore.
Mosha
Ndërsa plakeni, trupi juaj prodhon më pak kolagjen, një proteinë që trupi juaj e bën për të mbajtur lëkurën tuaj të shëndetshme dhe të zhdërvjellët. Hormonet gjithashtu ndryshojnë me moshën. Të dy faktorët mund të shkaktojnë ngurtësimin e indit lidhës.
Plakja gjithashtu bën që lëkura të dobësohet, të humbasë elasticitetin, të ulet dhe të bëhet më e brishtë.
Mënyra e jetesës
Studimet tregojnë se zakonet e papërshtatshme të jetesës mund ta përkeqësojnë celulitin. Shembujt përfshijnë:
1. Mungesa e aktivitetit fizik: Kjo dobëson tonin e muskujve dhe zvogëlon oksigjenimin e indeve dhjamore.
2. Marrja e tepërt e alkoolit: Alkooli mund të shkaktojë dehidrim dhe ruajtje jo të duhur të yndyrës.
3. Pirja e duhanit: Pirja e duhanit ju ekspozon ndaj më shumë radikaleve të lira, duke ndikuar në qarkullimin e gjakut.
4. Ushqimi jo-cilësor: Ngrënia e sasive të tepërta të yndyrave, kripërave dhe konservantëve çon në çrregullime metabolike që përkeqësojnë celulitin.
Gradat e celulitit
Grada 0: Nuk ka ndryshim në lëkurë ose gropëzime kur ushtrohet presion në lëkurë
Grada 1: Ju nuk mund të shihni ndryshime kur jeni shtrirë ose në këmbë, por gropëzat janë të pranishme kur ushtrohet presion në lëkurë
Grada 2: Lëkura është e lëmuar kur jeni shtrirë, por ka gropëzime të dukshme kur qëndroni në këmbë
Grada 3: Shenjat e dukshme të lëkurës ndodhin kur qëndroni në këmbë dhe shtrirë, dhe mund të përfshijë edhe dhimbje.
Si të shpëtojmë nga celuliti
Dermatologët ofrojnë mundësi të shumta trajtimi për pacientët me celulit. Zgjidhjet e përhershme kërkojnë rimodelim të gjerë të yndyrës, kolagjenit dhe indit lidhor dhe zgjidhjet më efektive përfshijnë kombinimin e llojeve të shumta të terapive.
Masazh
Të dhënat tregojnë se pajisjet masazhuese përmirësojnë ndjeshëm pamjen e celulitit. Por është e paqartë se sa zgjasin rezultatet.
Kremrat
Disa formula për përdorim aktual përmirësojnë prodhimin e kolagjenit dhe forcojnë lëkurën, por rrallëherë funksionojnë me celulitin. Problemi me përdorimin e trajtimeve lokale është se është e vështirë që përbërësit aktivë të arrijnë një rezultat për të pasur një efekt të sigurt.
Përbërësit më aktivë në këto trajtime lokale përfshijnë:
- Kafeina
- Teofilinë
- Aminofilinë
- Retinoidet
Si të parandaloni celulitin
Ndërsa nuk mund ta parandaloni plotësisht celulitin, ka disa mënyra që ndihmojnë për të trajtuar faktorët e stilit të jetesës që përkeqësojnë celulitin. Këto përfshijnë:
- Dietë të shëndetshme (ulni inflamacionin, parandaloni mbajtjen e ujit, mbani lëkurën dhe indet lidhëse të shëndetshme)
- Aktiviteti fizik (përmirëson qarkullimin, rrit tonin e muskujve)
- Moskonsumi i duhanit (pirja e duhanit plak lëkurën tuaj)6
- Moskonsumimi i alkoolit (alkooli dehidraton lëkurën)
- Hidratimi (pirja e një sasie të duhur të ujit apo lëngjeve)
Burimi: Health.com
Përktheu për Gazetën Shëndeti, Griselda Ozuni