Kryefaqja Lajm kryesor Çfarë fshihet pas enzimave të rritura të mëlçisë tek pacientët “e shëndetshëm”?!

Çfarë fshihet pas enzimave të rritura të mëlçisë tek pacientët “e shëndetshëm”?!

0
Shpërndaje

Sonila Bitri (Tivari), toksikologe,

Enzimat hepatike ALT (Alanine transaminaza) dhe AST (aspartate transaminaza) janë pjesë e çdo paneli laboratorik të kërkuar tek njerëzit e shëndetshëm, pa ankesa specifike dhe që i nënshtrohen një Check Up-i rutinë.

ALT dhe AST janë dy nga markuesit më të rëndësishëm për të depistuar dëmtimet apo nekrozën hepatoqelizore. ALT është markues më specifik, sepse ndodhet kryesisht në qelizat e mëlçisë dhe në përqëndrime shumë të vogla edhe në pjesë të tjera të trupit. Ndërsa AST, me dy format e saj mitokondriale dhe citozolike, ndodhet në indet e mëlçisë, zemrës, veshkave, trurit, pankreasit, mushkërisë, si dhe në rruazat e kuqe dhe të bardha të gjakut.

Sonila Bitri
Dr. Sonila Bitri

Duke qenë një ndër analizat shumë të rëndësishme për vlerësimin e shëndetit tonë, po aq shqetësuese bëhet edhe gjetja e vlerave të rritura të tyre.

1 deri në 4 % e popullsisë pa ankesa specifike, mund të kenë të rritura enzimat hepatike. Kjo përqindje është më e lartë tek njerëzit obezë, me Diabet Mellit, apo tek ato me rritje të  yndyrnave në gjak.

Vlerat normale të këtyre enzimave variojnë deri në 30-40 U/L dhe ajo çka haset më shpesh tek pacientët asimptomatikë, është rritja e tyre deri në pesëfishin e normës, në shumë raste pa asnjë shenjë klinike.

Natyrshëm lind pyetja. Pse janë kaq të rëndësishme këto teste hepatike? Dhe për më tepër. Pse duhet të bëjmë Check Up-in rutinë edhe kur nuk kemi ankesa?

 

Dhe përgjigjja vjen me një listë shqetësuese shkaktarësh:

 

  • Alkooli
  • Cirroza e mëlçisë
  • Hepatitet akute dhe kronike B dhe C
  • Steatoza (Dhjamosja e mëlçisë )
  • Medikamentet
  • Hemokromatoza
  • Sëmundja Wilson
  • Deficenca e Alfa-1 antitripsinës,
  • Hepatiti autoimun
  • Celiakia
  • Hemoliza
  • Miopatia
  • Hipertiroidizmi
  • Ushtrime fizike të sforcuara

 

Shumë i rëndësishëm, përvec rritjes së transaminazave, është edhe raporti AST/ALT. Në vlerat ≤1, e gjejmë kryesisht në steatozën hepatike dhe në Hepatitin C, ndërsa kur kjo vlerë është ≥2, gjasat janë që të jemi para një hepatiti alkoolik.Vlerë shumë më të lartë, ≥4 ,e gjejmë në sëmundjen Wilson.

Ndër shkaqet extrahepatike të rëndësishme për t’u theksuar, është edhe shtimi i funksionit të  tiroides, patologji kjo që shpesh shoqërohet me rritje të enzimave hepatike.

Nga ana tjetër, aktiviteti i sforcuar fizik, orët e zgjatura në palestër shoqëruar me dëmtime të  qelizave muskulare, apo edhe konsumimi i disa suplementeve apo vitaminave shtesë në dietën e përditshme, janë gjithashtu një shkak i shpeshtë i rritjes së enzimave hepatike.

Studimet e fundit guxojnë edhe më tej duke treguar se “rritja e enzimave na paska edhe preferenca” duke prekur rreth 15 % më shumë meshkujt e racës së  zezë, se sa ato të racës së  bardhë.

Në diagnostikimin dhe trajtimin e këtij çrregullimi, thelbësore është marrja e kujdesshme e historisë mjekësore duke u ndalur në faktorë të rriskut të pacientit (cigare, alkool, substanca narkotike, jetë sedentare), preparatet mjekësore ose bimore, apo edhe vitamina e suplemente të  tjera energjikë për trupin.

Pas ekzaminimit të kujdesshëm të pacientit, ndjekja vijon sipas etapave të algoritmit të  mëposhtëm.

Tabele 1

 

Pra, siç shihet edhe nga algoritmi çdo fazë dhe çdo ekzaminim laboratorik na ofron qasje me shkaktarë specifikë të rritjes së transaminazave, duke na çuar kështu drejt mjekimit të saktë, dhe për më tepër, orientimit drejt një stili jete më të shëndetshëm.

Dhe në fund të këtij udhëtimi nëpër labirinthet e një prej organeve më jetësore, mëlçisë, ju rekomandojmë të vlerësoni më shumë shëndetin tuaj.

Ndonjëherë gjuha e trupit nuk flet mjaftueshëm, por ia lë vendin Check-Up it dhe kontrollit periodik tek mjeku juaj.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here