Cilët janë faktorët kryesorë që ndikojnë në kancer?


Alban Ylli, specialist i ISHP-së

Kanceri është një term i përgjithshëm për një grup të madh të sëmundjeve. Ka më shumë se 100 lloje të kancereve. Kanceri njihet edhe me terma të tjerë, si: tumore malinje dhe neoplazma. Kanceri është rritja e pakontrolluar e qelizave dhe përhapja e tyre, përtej kufijve të tyre të zakonshme, të cilat pastaj mund të pushtojnë pjesë të tjera të trupit dhe të përhapen në organe të tjera nëpërmjet sistemeve të qarkullimit të gjakut dhe limfatike. Kanceri  mund të prekë pothuajse çdo pjesë të trupit.

Kanceret më të shpeshta janë kanceri i mushkërive, kanceri i stomakut që është më shumë në Shqipëri dhe më pak në vendet e zhvilluara, kanceri i zorrës së trashë që është më pak në Shqipëri dhe më shumë në vendet e zhvilluara, kanceri i gjirit, kanceri i prostatës, por që është më shumë në vendet e zhvilluara, kanceri i mëlçisë dhe kanceri i qafes së mitrës që është më shumë në vendet në zhvillim.

Alban YlliLidhur me shkaqet mund të themi se:

Së pari, bazuar në njohuritë e deritanishme, mund të shpjegojmë vetëm rreth 60% apo diçka më shumë të të gjithë kancereve. Pjesa tjetër ngelet ende e pashpjeguar. Shkaqet ekzistojnë, por ne nuk jemi në gjendje t’i identifikojmë ato, pasi ndryshojnë nga një lloj kanceri tek tjetri. Ndryshe ndodh me sëmundjet kardiovaskulare, psh, për të cilat njohim rreth 95% të shkakësisë.

Së dyti, megjithëse ekzistojnë edhe mjaft shkaqe të përbashkëta, kanceret e organeve të ndryshme kanë shkaqe të ndryshme. Kështu, kanceri i mushkërive shkaktohet kryesisht nga duhanpirja, kanceri i zorrës së trashë pjesërisht prania e ulët e fibrave dhe prania e lartë e yndyrnave në ushqime, kanceri i gjirit mund të shkaktohet nga një sërë faktorësh përfshirë uljen e fertilitetit, obezitetin apo faktorët gjenetike.

Kanceri i stomakut shkaktohet pjesërisht nga prania e një bakteri si helikobakterium pilori, kanceri i qafës së mitrës nga prania e një agjenti virusi, virusi i papilomës humane, kanceri i mëlçisë mund të shkaktohet nga një virus tjetër, si ai i hepatitit apo edhe nga ushqimet e ndotura me aflatoksinë.

Kanceri i fytit dhe i ezofagut ka shkak të rëndësishëm abuzimin me alkoolin, rrezatimi ultravjollcë tek disa persona rrit rrezikun për kancere të lëkurës, ndërkohë që faktorë të tjerë mjedisorë apo industrialë (amianti, benzenet, rrezatimet radioaktive, ndotja urbane, ndotja e ajrit brenda shtëpisë etj) rrisin rrezikun për një sërë kanceresh të tjerë.

Gjithsesi, nëse do të donim të kishim një pamje më të thjeshtëzuar të shkakësisë së kancereve dhe këtu nuk ka një specifike të veçantë për Shqipërinë, mund të identifikonim disa shkaqe kryesore, të pjesës më të madhe të të gjithë kancereve, të cilat në pjesën më të madhe janë nën kontrollin tonë. Kështu, vlerësohet se rreth 30% e kancereve janë të shkaktuar nga ushqyerja e gabuar (pak fruta, perime, shumë yndyrna dhe produkte shtazore, obeziteti etj). Mbi 15% e kancereve shkaktohen nga duhani, rreth 10% kanë në bazë një agjent infektiv dhe në përqindje më të ulëta shkak janë ndotjet mjedisore, sedentarizmi dhe alkooli.

Një term që përdoret shpesh për të përshkruar shkaqet, është ‘faktor risku’.

Një fakt që nuk duhet harruar është se rreziku për kanceret shtohet shumë me plakjen. Në këtë mënyrë, një popullatë që plaket, ka një rrezik më të madh për të zhvilluar kancere.

Postime të ngjashme

Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele