Polikron Çelo, pediatër
(Uroj të mos u bien në pjesë se për nja 5-6 muaj keni për të thënë “Ç’i paskam bërë Zotit”)
Janë të qara me tipare disi të veçanta. Ato shfaqen zakonisht 1 ½ muaj mbas lindjes dhe zor se zhduken para moshës 5 – 6 muaj.
Të qarat fillojnë rregullisht në orët e mbasdites dhe të mbrëmjes dhe vazhdojnë disa orë; janë mjaft të forta (çka shprehet dhe në fytyrën që tregon vuajtje), fëmija përplas këmbët, afron kofshët pranë barkut, përpëlitet e nuk zë vend; një pamje me të vërtetë që ngjall keqardhje.
Ajo që i dallon nga qarjet për ndonjë shkak tjetër, është fakti se menjëherë mbas gjithë atij shqetësimi, fare papritur qetësohet dhe sikur të mos kish ndodhur asgjë, kthehet në gjendjen e mëparshme, qesh, u gëzohet përkëdhelive e merr ushqimin si zakonisht.
*Cilësohen si të veçanta për arsye se këto dukuri që nuk i gjen në asnjë rast tjetër.
Si mund ta qetësoj?
Duhet të dini se me gjithë përpjekjet e shumta, deri më sot nuk është gjetur as shkaku, as ndonjë medikament për qetësimin e këtyre qarjeve të veçanta.
Për të ndihmar sadopak për lehtësimin e tyre, mund të veproni si më poshtë:
– vendoseni fëmijën me bark mbi gjunjët tuaja (me të ndenjurat pak më lart se koka)
– merreni midis pëllëmbëve, me fytyrë drejt dyshemesë dhe bëni lëvizje djathtas – majtas
– fërkojini shpinën
– hipni në makinë dhe ecni së bashku sa më tepër
Janë rekomanduar shumë e në çdo farmaci gjenden me emra të ndryshëm (Alginor pediatrik, Ovol etj), po për të qenë të sinqertë, mbi këto të qara nuk kanë ndikim, më tepër qetësojnë anën shpirtërore të prindërve sesa vetë fëmijën. Këtë e tregojnë dhe vetë “të pësuarit”, sidoqoftë nuk ka asnjë të keqe nëse mjeku jua jep.
Shumë secialistë këshillojnë: mos u jepni shumë mbas ilaçeve po ndiqni ecurinë e peshës dhe shfaqjen e ndonjë shenje tjetër (si temperaturë, kollë, diare etj) .
Për të përballuar këtë periudhë kalimtare, por të vështirë, mundohuni të ruani gjakftotësinë dhe të largoni ankthin.
Në ndonjë shkrim mund të gjeni mendime të pavërtetuara shkencërisht se tek fëmijët që ushqehen me gji, dhimbjet mund t’u lehtësohen duke mënjanuar nga dieta e nënës disa produkte si lëngjet e frutave dhe frutat me përmbajtje të lartë sheqeri (fiq, rrush, pjeshkë, qershi, luleshtrydhe) dhe çdo ëmbëlsirë.
Nënat që e kanë provuar me këmbënguljen e burrave, më kanë thënë se nuk kanë parë ndonjë rezultat.
Nga se shkaktohen?
Shkkaku nuk dihet dhe sa herë nuk dihen, si zakonisht lindin hipoteza, si: prodhimi i tepruar i gazrave dhe lëvizjet e shtuara të zorrëve (hipoteza gastrointenstinale), çrregullimet e komunikimit “nënë-fëmijë (hipoteza psikorelacionale); gjendje pasigurie e ankthi e nënës (ose e familjes), fëmijë tepër të ndjeshëm, hipoteza alergjike e ndonjë tjetër
E veçanta është se kur gjithçka po “shkon vaj”, fare papritur fëmija fillon të qajë krejt ndryshe, me të qara që mund të mos i keni dëgjuar më parë.
Ato zakonisht fillojnë midis orës 17 dhe 20 – 21, vazhdojnë për orë të tëra dhe nuk qetësohen me të gjitha përpjekjet tuaja.
Gjatë kësaj kohe, mbase fjala më e goditur do të ishte “ulërasin”, përplasin këmbë e duar, fytyra merr pamje vuajtjeje që të këput shpirtin, nuk zënë vend e refuzojnë të ushqehen.
E veçanta tjetër është: me gjithë zgjatjen për muaj të tërë, shtojnë rregullisht në peshë.
Këto dukuri kanë rëndësi të veçantë për t’i dalluar nga qarjet për shkaqe të tjera që shoqërohen në radhë të parë me rënie në peshë e shenja të tjera.
Nëse janë përjashtuar shkaqe të tjera, atëherë kini besim te pediatri juaj; ndiqni shtimin në peshë dhe mos shkoni sa nga një mjek në tjetrin, duke humbur kohë e harxhuar para kot.
Emri “kolikë” do të thotë shpërthim të qarash për shkaqe të njohura e të panjohura. E veçanta e kolikave serale është se fillojnë fare papritur në fëmijë plot shëndet, shfaqen në orët e mbasdites dhe të mbrëmjes, vazhdojnë zakonisht deri në moshën 5-6muaj, po nuk pengojnë rritjen; mandej ato zhduken ashtu si filluan, duke lënë pas një kujtim të hidhur, netët tuaja pa gjumë e pako të tëra paracetamoli e aspirinash që kini harxhuar për të qetësuar nervat dhe dhimbjet e kokës.



