Çmimi e energjisë në rritje, por ka alternativa

Nga Rita Strakosha

Reagimi i parë ndaj lajmit të rritjes së çmimit të energjisë elektrike për shumë klientë të rregullt me pagesat e energjisë elektrike, është ankthi dhe indinjata. Vërtet do të dyfishohet çmimi? Si do të përballojë familja rritjen e çmimit të energjisë elektrike, të kostove të shkollimit të fëmijëve, të cigares, rritjen e pritshme të çmimit të ujit, çmimet në rritje të ushqimeve etj., kombinuar me uljen e të ardhurave? Përse duhet të paguajë klienti i rregullt më shumë për dritat, kur lagje e qytete të tëra nuk i paguajnë fare dritat?

Energjia eficencaKompania e shpërndarjes, në fakt, është po aq viktimë e kësaj situate sa dhe konsumatorët e ndershëm të saj. Çdo vit humbet 160-200 milionw euro nga humbjet teknike dhe vjedhjet në rrjet. Nëse nuk mbulon humbjet, rrezikon falimentin. Nëse humbjet e kësaj i mbulon shteti, është ky i fundit që rrezikon falimentin. Duhen të paktën disa vjet që të ndryshohet me mjete demokratike kultura e vjedhjes, dhe deri atëherw një rritje e çmimit të energjisë elektrike do të pakësonte humbjet financiare të kompanisë.

Në çdo rast, me apo pa humbje të energjisë elektrike në rrjet, çmimet e energjisë elektrike dhe kostot e prodhimit e shpërndarjes së energjisë kanë një trend afatgjatë në rritje në gjithë rajonin. Nëse çmimi i energjisë është më i ulët se kostoja, prodhuesi e transmetuesi i energjisë nuk investon dot në mirëmbajtjen e investimit.

Përballë një problemi të tillë me të cilën do të përballen gjithë konsumatorët e rregullt të energjisë elektrike, ka alternativa. Ato janë: kursimi i energjisë dhe prodhimi i saj në vend aty ku konsumohet.

Le t’i marrim me radhë pajisjet elektroshtëpiake:

Bolieri i dushit është konsumator i madh energjie. Çdo bolier ka një termostat ku temperatura mund të gradohet deri në 100 oC. Por mjafton ujë me temperaturë 38 oC për larjen e trupit, prandaj termostatin mund ta vwmë në 50-60 oC, siç këshillon OSHEE në faqen e saj zyrtare. Më të guximshmit mund të eksperimentojnë me temperatura dhe më të ulëta.  Bolieri mund të lidhet dhe me një panel diellor, duke e nxjerrë nga rrjeti elektrik. Panelet diellore për ngrohje tashmë importohen pa TVSH, janë produkt që e kanë provuar rentabilitetin e tyre. Energjia e diellit mund të shfrytëzohet për ngrohje dhe me mjete më primitive, si depozita metalike të lyera me ngjyrë të zezë e të vendosura në taracë, në kuti druri me sipërfaqe pasqyruese; apo versione me shishe plastike, me kanoçe etj. Janë të shumta idetë e projektet e thjeshta që presin për zbatuesit e tyre me shpirt sipërmarrës e dëshirë për kursim.

energjia kursimiNëse kemi llampa inkandeshente, mund t’i zëvendësojmë me llampa ekonomike që harxhojnë 5 herë më pak. Nëse kemi llampa ekonomike, mund t’i zëvendësojmë me llampa LED që harxhojnë 5 herë më pak dhe se llampat ekonomike. Sot në treg ka llampa LED që si në ndriçim, ashtu dhe në pamje të jashtme nuk dallojnë farë nga një llampë inkandeshente, por në konsum harxhojnë 10 herë më pak.

Po për ngrohjen e ftohjen e banesës a kemi alternativa? Termoizolimi i ndërtesës, kur gjithë banorët e ndërtesës bien dakord, është një mundësi. Nëse planifikojmë të blejmë shtëpi mund të interesohemi pranë ndërtuesit nëse ndërtesa është apo jo e termoizoluar. Sot duhet të pyesim, por nesër banesat e reja do të shoqërohen me një certifikatë efiçence që tregon se sa energji harxhojnë. Gjatë verës një ndërtesë e rrethuar nga gjelbërimi dhe e lyer me të bardhë, një qytet me shumë parqe e pak beton janë më të freskët. Për fat të mirë jetojmë në gjerësi gjeografike mesatare, nuk duhet të përballemi me temperaturat 45 gradë të tropikut, por as me ato -20 të Evropës Veriore. Njerëzit kanë jetuar në këto klima ekstreme përpara se të shpikej elektriciteti, kur një veshje e trashë ishte mburoja e vetme ndaj të ftohtit e uji freskuesi i vetëm në kohë të nxehtë.

Pajisja tjetër konsumuese e madhe e elektricitetit është soba me korrent. Dikur përdornim tava me korrent, shumë më efiçente se sobat, por që dolën nga përdorimi masiv kur energjia elektrike ishte me çmim të lirë. Edhe sot ka tava të ngjashme në treg, që mund të rikthehen në përdorim me rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Por nëse as tava nuk kursen mjaftueshëm, ka zgjidhje të tjera më ekonomike si tenxherja me presion, kutia termoizoluese (një praktikë e lashtë gatimi me termoizolim), skuqja e shpejtë apo dhe sobat diellore.

Soba diellore?! Po, janë shumë të thjeshta për t’u ndërtuar. Dikur, në një vizitë në fshatin ekologjik “Agave” në Porto Palermo, ekologjisti Xhemal Mato u tregonte vizitorëve se si të gatuajnë makaronat me një saç të vjetër të veshur me folie alumini. Versioni tjetër i sobës diellore është ai i sobës kuti: një kuti kartoni me dopio mure me material termoizolues në mes, e veshur me folie alumini, ku vendoset një enë e zezë, me kapak hermetik.

shtepia energjiaLe të kalojmë tek frigoriferi e lavatriçja. Këto janë pajisjet më të domosdoshme elektrike të shtëpisë. Me legjislacionin e ri për etiketimin e efiçencës së pajisjeve, çdo frigorifer e lavatriçe duhet të kenë etiketë për eficencën energjitike të tyre. Pajisjet etiketohen nga A në G, ku A është pajisja më eficente. Kemi mundësi pra të zgjedhim pajisjen më eficente.

Për familjet bujqësore impiantet shtëpiake të biogazit janë një alternativë e mirë. Ka 2 milionë të tilla në Indi e 6 milionë në Kinë. Në Shqipëri asnjë. Këto mund të ndërtohen në vend, prej betoni, nga inxhinjerët tanë e të shfrytëzojnë energjinë e mbetjeve organike të kafshëve bujqësore, të njerëzve e të tokës për të prodhuar biogaz.

Teknologjia tjetër më e re që po përhapet në Shqipëri është ajo e paneleve fotovoltaike. Kombinuar me masat e kursimit dhe me rritjen e çmimit të energjisë përdorimi i kësaj teknologjie mund të fillojë të gjejë interes dhe tek ne.

Mundësitë e kursimit janë të mëdha. Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të jetë një stimul për përhapjen e impianteve të vogla të energjive të rinovueshme si panelet diellore, impiantet e biogazit, sobat diellore, dushat diellorë etj. si dhe për kursimin e energjisë. Ndërkohë shteti duhet të bëjë gjithçka për të ndalur vjedhjen masive të energjisë elektrike.

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Turizmi dentar po rrit tregun, inspektimet zbulojnë mangësi në klinikat dentare
AKU kontrollon në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja: Bllokohen 4 ton bimë medicinale
Administrata Tatimore publikon listën e pagave indikative për sektorin mjekësor dhe estetik
Shoqata Amerikane e Zemrës publikon udhëzuesin e ri të ushqimeve: Favorizoni proteinat me bazë bimore
Pacientët e QSUT pa analiza, PD kërkon interpelancë me ministren e Shëndetësisë