COVID-19, ndikimi te pacientët me diabet dhe si kanë funksionuar konsultat on line

Dr. Luftime Bruka, mjeke endokrinologe në Poliklinikën e Specialiteteve nr.3, Tiranë në një intervistë për Gazetën Shëndet plus, shpjegon sesi e kanë përjetuar pacientët me diabet situatën e krijuar nga COVID-19 dhe problematikat shëndetësore që mund të kenë shfaqur.

Bisedoi: Daniela Gjopalaj

Doktoreshë, si ka ndikuar situata e krijuar nga COVID-19 tek pacientët e diagnostikuar me diabet, pasi janë cilësuar edhe si kategori e rrezikuar?

Gjatë kësaj periudhe, nga vetë situata, pacientët kanë pasur ndërlikime, përveç sëmundjes kryesore që është diabeti. Diabeti është një sëmundje që prek të gjitha organet. Kemi pasur pacientë që për shkak të diabetit kanë pasur probleme me veshkat. Kemi pasur pacientë ku diabeti është përkeqësuar pasi për shkak të vetë situatës së krijuar nga covid-19, pacientët nuk kryejnë aktivitet fizik, mirëpo edhe stresi ka ndikuar në rritjen e diabetit.

Kemi pasur pacientë që kanë pasur probleme me sytë për shkak të rritjes së diabetit si arsye e stresit të krijuar gjatë kësaj kohe, kemi pasur pacientë me probleme nga veshkat, nga këmbët me neuropatinë e diabetit.

Ka ndikuar mungesa e aktivitetit fizik, kequshqyerja që lidhet me prishjen e dietës dhe stresi. Këto janë tre faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë periudhë.

Si ka ndikuar situata e krijuar nga covid-19 në numrin e vizitave që keni pasur nga pacientët?

Gjatë kësaj kohe kemi pasur një numër të konsiderueshëm pacientësh, kryesisht pacientë të disekuilibruar për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Kemi pasur pacientë me glicemi të larta pasi vetë situata e izolimit ka ndikuar tek diabetikët por jemi munduar që këto raste t’i zgjidhim edhe me telefon.

A kanë funksionuar konsultat online dhe a kanë qenë efikase?

Konsultat online kanë qenë kryesoret gjatë kësaj periudhe, tani kanë filluar vizitat fizike. Gjatë këtyre dy muajve shumicën e konsultave i kemi kryer online. Ka pasur rezultate, kemi dhënë këshilla, pacientët kanë qenë të vëmendshëm, kanë marrë mjekimin. Por është ndryshe kur komunikon me pacientin ballë për ballë, kjo ishte thjesht një zgjidhje e momentit.

Pacientët që paraqiten në spital a janë të ndërgjegjësuar, a paraqiten me maska dhe doreza?

Çdo pacient që ka ardhur këtu ka qenë i pajisur me maskë, me doreza, ka respektuar këshillat dhe distancën e duhur. Pacientit i matet temperatura para se të ngjitet lart, bën dezinfektimin te dera dhe ngjiten me radhë.

Pacientët që janë shfaqur gjatë kësaj periudhë për t’u vizituar për tiroidet apo diabetin, a kanë shfaqur edhe panik psikologjik për shkak të situatës?

Patjetër, vetë tiroidet të krijojnë ankth dhe stres. Situata e krijuar nga covid-19 e ka përkeqësuar gjendjen e ankthit.

Bazuar në eksperiencën tuaj si mjeke, a ka pasur më përpara ndonjë situatë tjetër të jashtme me të njëjtat pasoja psikologjike si covid-19, të cilat kanë çuar në zhvillimin e sëmundjeve endokrine?

Jo, nuk ka pasur më përpara. Vetëm situata e krijuar tani nga covid-19 ka sjellë pacientë në masë me simptoma të krijuara nga stresi dhe ankthi për shkak të situatës.

 

Postime të ngjashme

“Sterilizimi”/ Shtyhet gjyqi për ish-ministrin Ilir Beqaj, ja kur do të mbahet seanca e radhës
Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi
'Çohu o dreq mos bëj si e sëmurë'/ Infermierja te Psikiatria keqtrajton pacientët, reagon QSUT: Rast i papranueshëm, janë marrë masa për punonjësen
Mashtronin njerëzit me ilaçe false për sëmundje të rënda, goditet rrjeti kriminal që operonte në 15 shtete të Europës
Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj