Kryefaqja Aktualitet COVID-19/ Pesëvjetori i pandemisë globale, goditja e rëndë mbi personelin mjekësor në...

COVID-19/ Pesëvjetori i pandemisë globale, goditja e rëndë mbi personelin mjekësor në Shqipëri

0
Shpërndaje

E marta shënoi pesë vite që kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli COVID-19 një pandemi globale. Në një varg të shpejtë ngjarjesh, shkollat dhe bizneset u mbyllën, u vendosën bllokime, udhëtimet u ndaluan dhe spitalet ishin mbi kapacitete. Globalisht, COVID ka vrarë më shumë se 7 milionë njerëz.

Gjatë pandemisë së COVID-19, Shqipëria ka regjistruar një numër të konsiderueshëm viktimash. Numri i viktimave arrin në 3.329 persona, të cilët humbën jetën si pasojë e komplikacioneve nga virusi SARS-CoV-2.

Ndërsa, deri në 5 tetor 2020, mosha mesatare e të vdekurve ishte 69 vjeç, me grupmoshën 70-79 vjeç që përbënte 30.75% të totalit të viktimave.

Mjekët pohojnë se numri real i viktimave mund të jetë mbi 15,000, duke sugjeruar se qeveria nuk ka raportuar saktë të dhënat.

Mes viktimave ishin edhe edhe 55 mjekë dhe infermierë, të cilët nuk mundën të përballonin luftën me virusin, që e morën në krye të detyrës.

Sipas Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, 30 mjekë humbën jetën gjatë vitit 2020 dhe 16 të tjerë në valën e dytë të pandemisë mes janarit dhe marsit 2021. Ndërsa Urdhri i Infermierëve raporton për 9 infermierë të vdekur të moshave nga 29 vjeç në 63 vjeç prej fillimit të pandemisë.

Këto shifra tregojnë se pandemia vrau gati 0.31% të personelit shëndetësor prej gati 17 300 vetësh në Shqipëri- ose 2 herë mbi normën e Maqedonisë së Veriut dhe 4 herë mbi atë të Serbisë.

EMRAT e mjekëve që humbën jetën për shkak të pandemisë:

  1. Anibal Byberi (53 vjeç) – mjek i përgjithshëm, Bajram Curri.
  2. Astrit Haziri (54 vjeç) – mjek i përgjithshëm, Kukës.
  3. Arian Pushi (58 vjeç) – mjek hematolog, Tiranë.
  4. Agron Menzelxhiu (71 vjeç) – kirurg, Elbasan.
  5. Memo Boçi (81 vjeç) – epidemiolog, Tiranë.
  6. Hysni Shkjau (69 vjeç) – mjek familje, Pukë.
  7. Vilson Topulli (73 vjeç) – epidemiolog, Tiranë.
  8. Zyliha Kraja (78 vjeçe) – kirurge, Shkodër.
  9. Esat Pashaj (71 vjeç) – mjek i përgjithshëm, Skrapar.
  10. Muharrem Xhepexhiu (64 vjeç) – mjek familjeje, Lushnjë.
  11. Sefer Dervishi (61 vjeç) – mjek familjeje, Kavajë.
  12. Ilirjan Draçi (66 vjeç) – mjek i përgjithshëm, Tiranë.
  13. Hidajet Deda (67 vjeç) – pediatër, Kavajë.
  14. Eduart Dhamo (57 vjeç) – mjek i përgjithshëm,Lushnjë.
  15. Shaqir Shehu (68 vjeç) – kirurg, Kukës.
  16. Ibrahim Kaziu (68 vjeç) – pneumolog, Dibër.
  17. Ferdinand Shkrepa (68 vjeç) – okulist, Elbasan.
  18. Bledi Nini (48 vjeç) – otorinolaringolog, Tiranë.
  19. Myftar Zemani (78 vjeç) – mjek familjeje, Fier.
  20. Leonard Kamberi (47 vjeç) – gjinekolog, Vlorë.
  21. Suela Muça (48 vjeçe) – gjinekologe, Tiranë
  22. Drini Dobi (51 vjeç) – neurolog, Tiranë
  23. Raimonda Lengu – mjeke familje, Tirane
  24. Flutura Hashorva – mjeke pneumologe

Ulja e shkallës së vdekjeve dhe shtrimeve në spital, kryesisht për shkak të vaksinimeve dhe niveleve të larta të imunitetit, bëri që OBSH dhe Shtetet e Bashkuara t’i japin fund urgjencave të shëndetit publik COVID-19 në vitin 2023. Qeveria e SHBA që atëherë ka reduktuar raportimin e infeksioneve dhe aksesin në vaksina, teste dhe trajtime falas. Në dy vitet e fundit, profesionistët e shëndetësisë, shkencëtarët dhe politikëbërësit janë zhvendosur në menaxhimin e COVID-19 si një sëmundje endemike, një sëmundje që është gjithmonë e pranishme dhe mund të rritet në periudha të caktuara të vitit.

Gjatë pesë viteve të fundit, studiuesit kanë mësuar shumë rreth virusit dhe si ta pengojnë atë. Por pandemia gjithashtu dha njohuri mbi pabarazitë shëndetësore, të metat në sistemet e kujdesit shëndetësor dhe fuqinë e bashkëpunimit./shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here