Kryefaqja Aktualitet COVID-19 rriti kërkesën për ilace, ndërsa kontrollet për sigurinë u zeruan

COVID-19 rriti kërkesën për ilace, ndërsa kontrollet për sigurinë u zeruan

0
Shpërndaje

Pandemia e Covid-19 rriti përdorimin e ilaceve. Nga ana tjetër, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore autoriteti i ngarkuar për kontrollin e produkteve farmaceutike nuk kreu asnjë kontroll për cilësinë dhe sigurinë e tyre. Kriza shëndetësore e shkaktuar nga koronavirusi, bëri që kërkesa në treg për barna të rritej ndjeshëm. Sipas Institutit të Statistikave, importi i produkteve farmaceutike në vitin e fundit u rrit në vlerën më të lartë të dy dekadave të fundit.

Sipas të dhënave të INSTAT, importi i produkteve farmaceutike arriti kulmin në marsin e këtij viti, ku vlera e importit shkoi në mbi 28 milionë euro. Në periudhën e pandemisë, sidomos në valën e parë, duke filluar nga periudha e marsit kur filloi lockdown-i i parë, tendenca e lëvizjes së barnave ishte kryesisht e vitaminave për rritjen e imunitetit, të dorezave, maskave dhe alkoolit. Mjetet për t’u mbrojtur dhe barnat për kurimin e Covid-19 përbën edhe pjesën më të madhe të produkteve të kërkuara në farmaci. Maskat, dorezat, dezinfektantët, vitaminat C apo D, si dhe antibiotikë të ndryshëm ishin më të kërkuarit.

Covid-19 dhe përdorimi në masë i barnave nxiti si kurrë më parë nevojën e farmakovigjilencës. Përmes saj, do mund të përftoheshin të dhëna të besueshme, si dhe do garantohej përdorim i përshtatshëm dhe i sigurt i barnave. Gjatë krizës shëndetësore të shkaktuar nga pandemia, teksa farmakovigjilenca mbeti e brishte, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, autoriteti i ngarkuar për kontrollin e produkteve farmaceutike nuk kreu asnjë kontroll për cilësinë dhe sigurinë e produkteve farmaceutike.

Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore i fillim vitit, doli në përfundimin se qysh nga viti 2014 analizat që kryen nga kjo agjenci kanë ardhur në ulje, ndërkohë që nga nëntori 2019 nuk ka më asnjë të tillë.

Kjo u konfirmua edhe në një përgjigje zyrtare nga AKBPM, në të cilën thuhej:

“Përgjatë vitit 2020 për shkak të shpalljes së godinës së ISHP kati i 4 objekt i pabanueshëm pas tërmetit  të 26 nëntorit 2019, deri në shtator kur u inaugurua godina e re e AKBPM nuk i krye asnjë analizim bari. Për periudhën shtator-dhjetor 2020 nga Laboratori i Kontrollit u punua me kalibrimin dhe matjen e aparaturave, si dhe dokumentet për akreditimin e tij, sipas standardeve të përcaktuara nga ISO 17025” – thuhej në përgjigjen e Agjencinë Kombëtare të Barnave”. Mjeku dhe pedagogu Gazment Koduzi thotë se prej nëntorit të vitit 2019, laboratori i AKBPM nuk është funksional.

Covid-19 krijoi gjithashtu shtigje për barnat kontrabandë. Të panikosur nga frika e koronavirusit, shumë qytetarë ishin të gatshëm të paguanin shifra të larta për të siguruar medikamente me qëllim kurimin e virusit. Të dhënat nga Prokuroria e Përgjithshme tregojnë se gjatë vitit të shkuar vetëm tre persona u dënuan nën akuzën e trafikimit të produkteve faramaceutike. Edhe për vitet e shkuara, ky tregues mbetet në nivele të ulëta si për sa i përket procedimeve po ashtu edhe të dënuarve.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në raportin vjetor të vitit 2020 raportoi se barna të skaduar u kontatuan në disa farmaci të vendit apo spitale. “Nga supervizimet rezultojnë skadenca të barnave, por supervizorët nuk kanë bërë analizë për arsyet e skadencave, personat përgjegjës dhe në rekomandimet që i dërgohet qendrës shëndetësore nuk lihet as detyrë që të marren masa në të ardhmen për të parandaluar dhe shmangur skadencat e barnave. Në kontrollin e spitaleve evidentohen barna me afat të afërt skadence apo të skaduara, por nuk bëhet analizë për arsyet e skadencave, personat përgjegjës dhe nuk i lihet detyrë spitalit që të kryejnë kontrollet”.

Teksa Covid-19 ndodhet në fazë endemike, për garantimin e shëndetit të qytetarëve pandemia dha një leksion të qartë: autoritetet do të duhet të forcojnë kapacitet si në aspektin e farmakovigjilencës, po ashtu edhe në atë të kontrollit të cilësisë dhe sigurisë së barnave./A2CNN/

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here