Dëfrim Methasani: Njeriu nuk ngopet kurrë me jetë

Denisa Canameti

Të shkruash një parantezë të shkurtër për intervistën e Dëfrim Methasanit është një sfidë gazetareske jo e lehtë. Është e vështirë të qëndrosh në lartësinë e përgjigjeve të tij, që duket se janë kuruar deri në detaj. Dëfrim Methasani është i njëjti njeri i modest dhe i thjeshtë që shfaqet edhe në ekran. Bekim për të është familja, puna, marrëdhënia me njerëzit dhe shëndeti i mirë, gjëra në dukje të vogla, por me vlerë të madhe. I kontaktuar nga gazeta “Shëndet+”, Methasani pranon me dashamirësinë më të madhe që të tregojë disa gjëra për veten…

defrim meethasaniEdhe pse shumë vite në fushën e televizionit, shumë pak është folur për jetën tuaj private. Kush është Dëfrim Met’hasani jashtë televizionit?

Dëfrim Methasani është gazetari brenda mureve të televizionit ose në ambjentet sportive ku përgatitet një kronikë, telereportazh apo dokumentar, por është njeriu i thjeshtë dhe i zakontë në ambjentet jashtë pune, qoftë në shtëpi, në shoqëri, tavolinë apo kudo ku jeta vazhdon. Kam 25 vite që bëej gazetarin sportiv dhe natyrisht ky profesion më dha shumë emër dhe më bëri shumë miq kudo në Shqipëri. Unë e vlerësoj profesionin e bukur dhe të rëndësishëm të gazetarit, por kurrë nuk mburrem me të qenët gazetar, sepse jeta dhe situatat që njeriu kalon, na duan të thjeshtë dhe pa “grada”.

Afro 25 vjet më parë kam nisur bashkëpunimin me RTSH-në, në gjininë sportive, duke vazhduar edhe sot këtë maratonë të gjatë marrëdhënie korrekte me një institucion që më dha emrin, ndërsa unë nuk kurseva punën, përkushtimin, idetë dhe vlerat e mia profesionale.

Jam prind, sepse kam tre vajza: Lunën, Blertën dhe Rinën dhe mundohem t’u jap edhe atyre më të mirën për jetën. Jam martuar 23 vjet më parë dhe bashkëshortja ime Lumja, është infermjere në poliklinikën numër 9 në Tiranë. Origjina ime është Dibra, sepse aty kam lindur dhe kam punuar për shumë vite, madje kam kryer edhe studimet e shkollës së mesme në Peshkopi, ndërsa kam mbaruar universitetin e sporteve që asokohe quhej Instituti i Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë.

Bëj një jetë të zakontë, ku përveç punës, kohën e lirë ia dedikoj familjes dhe miqve të shumtë që kam kudo në Shqipëri, por edhe jashtë saj.

Mendoni se bëni një jetë të shëndetshme? Me këtë nënkuptojmë një jetë të lumtur, të bukur me gjithçka që ju plotëson?

Njeriu me dy gjëra nuk ngopet: me jetë dhe me para. Por deri tani kur kam kaluar të 50-at, mendoj se jeta përgjithësisht ka qenë e shëndetshme, për mua dhe familjen time. Ndoshta shëndeti i mirë, shtatlartësia edhe e vajzave dhe rrjedha e tyre e mirë me shëndetin, më bën optimist. Natyrisht që nuk ka munguar ndonjë problem i vogël shëndetësor, por unë përdor një shprehje:” E përgjithshmja pozitive”!

E tillë mendoj se ka qenë përgjithësisht për mua, përjashto një moment të keq në vitin 1999 kur humba një motër që quhej Nderime dhe në vitin 2013 kur mbesa ime Ambra kaloi një sëmundje të vështirë. Por, për fatin tonë të mirë, ia doli mbane duke sfiduar edhe tumorin e rrallë që i kishte pushtuar trupin.

defrim methasaniSa vlen për ju shprehja “shëndeti mbi të gjitha”?

Shëndeti mbi të gjitha vlen më shumë se një shprehje, sepse pa një shëndet të mirë nuk ke aspak optimizëm për jetën, mungojnë energjitë dhe mungon kreativiteti për të bërë gjëra të bukura. Mendoj se është një gjetje si shprehje që ka në bosht jo vetëm trupin, por edhe mendjen, ka gjithçka lidhet me organizmin e njeriut në shërbim të vetes, familjes dhe shoqërisë. Natyrisht që pa shëndet, s’ka jetë, s’ka arritje, s’ka kuptim asgjë tjetër që mund të arrish.

Cili është sekreti i të qenit gjithmonë në formë kur shfaqeni në ekran?

Sekreti i të qenit në formë, veças kur shfaqem në ekran, lidhet me një detyrim që njeriu moderator ose gazetari i ekranit ka ndaj publikut. Kur unë shfaqem në ekran, nuk është vetëm fjala që më bën të më dëgjojnë të tjerët, por edhe pamja dhe paraqitja fizike. Unë shpeshherë i përshtatem ngjarjes, pra kur kam të bëj me një ndeshje ose program emocionues pozitiv, mua më duhet të jem në formë jo vetëm fizike, por edhe vizuale, pavarësisht se çfarë fshihet pas meje. E rëndësishme është që komunikimi me njerëzit, teleshikuesit, të jetë sipas ngjarjes.

Nëse ka festë brenda ngjarjes, duhet të jesh edhe ti festiv, nëse ka një ngjarje të rëndë, duhet të jesh më serioz dhe sinkron me atë që ndodh. Gjithsesi të qenit në formë duhet jo vetëm për të dalë para tjerëve, por edhe për të respektuar vetveten. Këtë vitin e fundit e kam shkelur disi, sepse kam lënë futbollin e luajtur dhe kam spekuluar disi me ushqimin, por mora vendimin sërish brenda vetes dhe tashmë jam i kushtëzuar edhe në mënyrën e të ushqyerit, duke luftuar ndonjë tepricë në shëndet.

Cili është raporti me mjekun dhe me cilin prej tyre i keni marrëdhëniet më të mira?

Raporti im me mjekun është mjaft korrekt. Natyrisht, pa mjekun, s’ka kuptim jeta, sepse ose fëmija, ose ne, do bëhemi dashje pa dashje vizitorë të tyre. Lindjet e vajzave më krijuan një raport mjaft pozitiv me mjekun e spikatur Erlin Kurti, një djalë i ri, por mjaft profesional dhe i komunikueshëm. Por njohja prej kohës së fëmijërise ka ruajtur raportet me mjekun e shquar okulist Ali Tonuzi me të cilin vazhdojmë të kemi edhe raporte familjare e kësisoj një lidhje e fortë mbetet me kirurgun e njohur Ibrahim Bruka apo doktor Ylli Kërçanin, njëherësh mik me të ndjerin Frederik Fico, një nga dermatologët më të mirë në Shqipëri.

Gjithashtu raporte mjaft poztive kam me mjekun e mirënjohur alergolog, Bardhyl Vaqari, apo stomatologët Nazmi Koçi, Bashkim Murati, etj, etj, sepse kur përmend emra gjithnjë e di që bën edhe gabime duke harruar mjaft të tjerë.

defrim 11“Dieta” ka lidhje me ju apo hani ç’të mundni (pa naze)?

Realisht dietë nuk kam përdorur, madje shquhem nga njerëzit që justifikoj atë shprehjen që thuhet: “Ha çdo gjë të ngrënshme”. Edhe kur kam qenë fëmijë, nëna më mbante në gojë, sepse kurrë s’bëja naze me ushqimin, madje as tani.

Zakonisht jam i ushqimit tradicional, por kjo nuk do të thotë që nuk pëlqej edhe ushqimet e tjera dhe gatime tipike të vendeve të ndryshme. Jam munduar të mbaj një raport të drejtë, mes gjatësisë dhe peshës, duke mos i kaluar 85 kg në 185 cm gjatësi, por së fundmi kam abuzuar pak, duke kaluar deri në 90 kg. Gjithsesi, kam vendos kufirin dhe dua të rikthehem po aty ku kam qenë.

E bukura dhe ekrani, në çfarë marrëdhënie i shikoni?

E bukura dhe ekrani janë të lidhura me njëra-tjetrën. Nëse bën diçka të bukur, edhe ekrani shihet më shumë dhe të duket edhe më i bukur. Unë përgjithësisht jam gazetar terreni jo studio, sepse kam më shumë se 10 vjet që programet apo emisionet e mia zënë vend në terren, përmes kronikës, telereportazhit apo dokumentarit televiziv, një gjini sa e vështirë, aq edhe e bukur.

Natyrisht që ekrani dhe e bukura kanë shumë gjëra të përbashkëta, sepse e bukura duhet të zërë vend kudo, në veshje, në stil, në komunikim, në program, në vizion. Mundohem të bëj më të mirën, pavarësisht se për të shkuar deri tek e bukura, ndonjëherë të duhet të kalosh shumë pengesa. Sepse televizioni nuk është një produkt i një pune individuale, por kolektive, dhe një hallkë të mos funksionojë, prishet zinxhiri.

Thonë se televizioni është punë e lehtë, e bukur, pa shumë probleme. Duke pasur kaq shumë vite në këtë fushë, a mund ta konfirmoni këtë besim? (Shtojmë këtu faktin që shumë të rinj e ëndërrojnë punën në televizon).

Televizioni është një punë e bukur, por jo e lehtë. Ndoshta në dukje të duket e lehtë, sepse nuk ka mundim fizik. Por mendoni që ngarkesa psikologjike është më e madhe se në çdo lloj pune tjetër. Imagjinoni në një lidhje direkte të bësh një gabim, e marrin vesh miliona njerëz dhe gjej vend e futu. Ndërsa nëse ti gabon si person jashtë televizionit, kjo është një gjë e korrigjueshme. Pra, përgjegjësia është mjaft e madhe, pa përfshirë këtu edhe lodhjen apo ngarkesat fizike në udhëtime të ndryshme, intervista pa fund, montazhe, tekste apo qëndrimi në këmbë për orë të tëra në lidhje direkte, ndeshje, etj.

Gjithashtu, ka edhe një stres tjetër marrëdhënia me tifozët për ne si gazetarë sportiv. Është e pamundur që të jesh i mirë dhe i dashur për të gjithë, ndodh shumë rrallë. Të duhet një përgjegjësi e pamasë për të bërë më të mirën dhe për të pasur sa më pak kundërshtarë, qofshin këta futbollistë, trajnerë, tifozë, presidentë, menaxherë, prindër, etj.

Për të rinjtë që e duan këtë profesion, duhet t’ju them që televizioni është një mal, majën e të cilit duhet ta pushtosh jo lehtë. Asgjë s’ka të pamundur, sepse as ne që erdhëm deri këtu nuk ishim jashtëtokësor, njerëz ishim. Duhet një pasion dhe përkushtim i jashtëzakonshëm. Dhe kur bëhen bashkë pasioni, puna dhe përgjegjshmëria nuk ka gjë që nuk arrihet. Televizioni është një mal, por që ka një majë e cila duhet pushtuar, por jo brenda ditës, muajt, vitit, por viteve dhe dekadave të tëra.

defrimÇfarë jua zbukuron ditën?

Dita ime nis me një kafe, ndoshta me babanë tim ose me kolegët e punës. Më pas nuk i dihet stacionit tjetër, sepse një gazetar sportiv si unë, është një shtegtar i Tiranës ose vendeve të tjera, në fusha, stadiume apo kudo ku ka veprimtari sportive. Unë e dua shumë punën e gazetarit dhe vetë sportin, sepse kam qenë sportist në Korabin e Peshkopisë, ku kam kaluar rininë time me futboll, atletikë, basketboll, volejboll, etj.

Një ditë e bukur është ajo që kalon bukur, pa stres dhe probleme shëndetësore apo pune. Kur merr edhe urime ose telefonata për një punë, kronikë apo angazhim që ke pasur, vërtet ndihesh mirë dhe dita kalon bukur. Fundi i ditës është familja, aty ku rivendoset qetësia pas një lodhje të ditës, sepse vajzat tashmë janë rritur dhe i kam si shoqe, me të cilat ndaj shumë gjëra të rëndësishme.

Njerëzit e lidhin emrin tuaj me sportin, vetë merreni me sport apo është më i bukur kur e shikoni dhe komentoni?

Aktualisht unë nuk merrem me sport, por flas dhe shkruaj për sportin, sepse jashtë televizionit edhe shkruaj në gazeta apo kam bërë dy libra, për mbretin e futbollit Panajot Pano, por edhe për futbollin europian, kur luhej kampionati i vitit 1996, finalet e të cilit u quajtën “futbolli në ishull”. Përmenda pak më lart që rinia ime ka qenë e mbushur vetëm me sport dhe trupi im shtatlartë erdhi i tillë edhe si rezultat i të marrurit me sport. Më pas, pasi krijova familjen dhe erdhëm në Tiranë, jam marrë me sport vetëm për sport. Pra, kam luajtur futboll në fusha të vogla me miq ose në veprimtari me gazetarët sportivë brenda dhe jashtë vendit.

Të luash sport dhe të transmetosh sport janë dy gjëra krejt ndryshe. Ajo që i bashkon, është njohuria për sportin, ajo që i ndan është kontakti fizik. Unë transmetoj dhe flas e shkruaj me shumë dashuri për sportin, sepse e dua këtë gjini kaq popullore dhe të përhapur në botë. Por sport duhet të bëjnë të gjithë, jo vetëm profesionistët, sepse sporti është ilaçi më i mirë bashkë me natyrën.

Besnik i cilës skuadër jeni?

Dikur, kur isha fëmijë ose i ri, isha besnik me skuadra, brenda apo jashtë vendit. Por që kur kam nisur misionin e gazetarit, besnikëria është fashitur dhe thjesht simpatizoj. Brenda vendit dikur bëja tifo për Dinamon e bukur dhe emocionuese të atyre viteve të arta, për Milanin dhe Italinë. Ndërsa sot, tifoz, por i përmbajtur, jam vetëm me kombëtaren e vendit tim, ajo që na bën vërtet krenarë të gjithë shqiptarëve me rezultatet e saj, por edhe me vëllezërit kampionë Keta, Ismailin dhe Gjetanin, që përfaqësojnë ngjyrat e vendit tim në boks, duke fituar tre tituj kampionë bote dhe tre tituj kampion Europe.

Çfarë konsideroni bekim në jetën tuaj?

Në jetën time bekim është fakti që Zoti na bëri të tillë dhe së dyti që na bëri prindër e krijuam familje. Bekim është fakti që kemi një punë, kemi kaq shumë miq dhe kemi me vete besimin dhe shpresën për ditë të tilla në të ardhmen.

Bekim është edhe kjo ditë, që mua më bën personazh në revistën tuaj, që nuk ka vetëm emrin interesant, por edhe brendësinë. Mbesa ime e pati fatin e para si kampione e sfidave të jetës me shëndetin, ndërsa nuk ngela pas edhe unë. Ndaj ju shpreh mirënjohjen time.

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë
“Do të zvarritem…”/Celine Dion flet sëmundjen e rrallë neurologjike në dokumentarin e ri dhe jo vetëm!