Kryefaqja Aktualitet Dëmtimet e ligamenteve të gjurit, trajtimi dhe rehabilitimi

Dëmtimet e ligamenteve të gjurit, trajtimi dhe rehabilitimi

4
Shpërndaje

Albaturk

Klinika Albaturk

Ligamenti kruciat (i kryqëzuar) anterior është ligamenti i gjurit që dëmtohet më shpesh. Personat që pësojnë dëmtime të ligamentit të kryqëzuar të përparmë janë më së shumti ata që merren me aktivitet atletike. Me rritjen e vendit që po zë sporti në jetën tonë të përditshme, sidomos në dekadat e fundit, po rritet dhe numri i personave që kanë dëmtime të këtij ligamenti të gjurit.

Ky dëmtim, këto 15 vitet e fundit, ka qenë në qendër të vëmendjes të kirurgëve ortoped, të cilët kanë arritur të kryejnë operacione shumë të suksesshme për riparimin e ligamentit kruciat anterior.

ligamenti i gjurit i perparme

Ku ndodhet ligament kruciat anterior (ligament i kryqëzuar i përparmë) dhe cili është funksioni i tij?

Ligamentet janë struktura të forta indore që lidhin fundet kockore. Ligament kruciat anterior –LCA ndodhet në qendër të artikulacionit të gjurit, duke kaluar nga pjesa e pasme e femurit për t’u lidhur në pjesën e përparme të tibias (kockës së kërcirit).

LCA është struktura kryesore që kontrollon sa mund të lëvizë tibia përpara nën femur. Nëse tibia lëviz shumë përpara, atëherë ligamenti mund të rupturohet (çahet). LCA është ligament i parë që tendoset kur gjuri shtrihet. Nëse gjuri shtyhet mbi këtë pikë ose bën hiperekstension (zgjatet më shumë seç duhet), LCA mund të rupturohet.

Strukturat e tjera të gjurit gjithashtu mund të dëmtohen kur gjuri përdridhet me forcë, si për shembull, një goditje në futboll. Jo rrallë vërehen dhe rupturë të ligamentit kolateral medial të gjurit dhë të meniskut lateral që është një strukturë e butë në formën e shkronjës U, e vendosur në pjesën e jashtme të gjurit midis tibias dhe femurit.

Cilat janë shkaqet e dëmtimit të LCA-së?

Shkaku kryesor i dëmtimit të LCA-së është aktiviteti sportiv. Janë të shumtë llojet e sporteve që janë të lidhur me rupturën e LCA-së. Incidencë të lartë për këto dëmtime kanë sportet që kërkojnë që shputa e këmbës të jetë e shtrirë dhe trupi të ndryshojë drejtim në mënyrë të menjëhershme, si për shembull basketbolli.

Futbolli gjithashtu është një sport që shkakton rupturë të LCA-së shumë shpesh. Në këtë sport kombinohen disa faktorë, si: mbajtja shtrirë e shputës së këmbës, ndryshimi i menjëhershëm i drejtimit të trupit dhe prania e rrezikut për kontakt trupor.

Skitë në sipërfaqe të tatëpjeta janë gjithashtu burim i shpeshtë dëmtimesh të LCA-së, sidomos pas daljes në treg të çizmeve të skive që arrijnë deri në pulpë. Këto çizme e transmetojnë forcën goditëse gjatë rrëzimit në gju, në vend që ta shpërndajnë atë në kërci dhe në kyçin e këmbës.

LCA dëmtohet veçanërisht kur gjuri përdridhet me forcë ose shtrihet më shumë seç duhet (hiperekstension). Shumë pacientë referojnë se dëgjojnë një kërcitje të fortë kur ligamenti çahet dhe kanë ndjesinë sikur gjuri lëviz nga vendi.

Numri i dëmtimeve të LCA-së është rritur shumë. Kjo është pjesërisht e lidhur me rritjen e pjesëmarrjes së tyre në aktivitete atletike. Studimet tregojnë se atletet femra kanë probabilitet 2-4 herë më të lartë se atletët meshkuj për të pësuar ruptura/çarje të LCA-së.

Simptomat

Simptomat që shfaqen pas rupturës së LCA-së variojnë nga rasti në rast. Zakonisht, artikulacioni i gjurit enjtet pak kohë pas dëmtimit. Kjo është si pasojë e gjakosjes në brendësi të artikulacionit të shkaktuar nga çarja e enëve të gjakut në ligamentin e dëmtuar. Instabiliteti që vjen nga ruptura e LCA-së i shkakton pacientit një ndjesi pasigurie dhe të lëvizjes së gjurit nga vendi, sidomos kur përpiqet të ndryshojë drejtimin e gjurit. Mund të duket sikur gjuri do të rrëshkasë përpara.

Dhimbja dhe enjtja pas dëmtimit fillestar kalojnë pas 2-4 javësh, por gjuri mund të vazhdojë të ndihet i paqëndrueshëm. Simptomat e pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë së gjurit janë ato që duhen trajtuar. Gjithashtu, një faktor i rëndësishëm për të vendosur për trajtim është dhe fakti që pas një periudhe kohore të gjatë instabiliteti/ paqëndrueshmëria e gjurit çojnë në artrit të hershëm të gjurit.

Diagnoza

Historia e sëmundjes dhe ekzaminimi fizik i pacientit janë dy faktorë shumë të rëndësishëm për vendosjen e diagnozës së rupturës ose dëmtimit të LCA-së. Në dëmtimet akute (të menjëhershme), enjtja është një tregues i saktë. Mjeku mund të kërkojë që të bëni një radiografi për të përjashtuar një thyerje kockore. Ligamentet dhe tendinat nuk duken në radiografi, por gjaku në brendësi të artikulacionit mund të jetë dhe si pasojë e një thyerje në strukturat e gjurit, ose kur copëtohen pjesë nga sipërfaqa e artikulacionit. Rezonanca magnetike është ekzaminimi  më i saktë nëpërmjet të cilit mund të vendoset menjëherë diagnoza e rupturës së LCA-së pa e parë fare gjurin.

Cilat janë mënyrat e trajtimit?

Trajtimi jokirugjikal

Trajtimi fillestar i LCA-së së rupturuar ka për qëllim uljen e dhimbjes dhe të enjtjes së gjurit. Pushimi dhe medikamente antiinflamatore, si paracetamoli mund të ndihmojnë në uljen e simptomave.Mund të jetë e nevojshme që të përdorni paterica derisa të mund të ecni pa çaluar. Pjesa më e madhe e pacientëve instruktohen të peshojnë normalisht mbi gju gjatë ecjes. Artikulacioni mund të ketë nevojë të drenohet me një gjilpërë për të hequr gjakun në artikulacion.

Shumë pacientë mund të bëjnë terapi fizike për trajtimin e dëmtimeve të LCA-së. Terapistët trajtojnë dhimbjen dhe enjtjen duke përdorur akull, elektrostimulim dhe periudha pushimi me këmbën të mbajtur ngritur lart. Ushtrimet përdoren për të ndihmuar në rifitimin e lëvizjeve të artikulacionit dhe muskujve.

Mund të përdoret një gjunjëz për LCA-në, e cila ka qëllim të përmirësojë stabilitetin e gjurit kur LCA nuk funksionon siç duhet. Gjunjëza rekomendohet zakonisht kur gjuri është jostabël dhe nuk është në plan kirurgjia. Një LCA e rupturuar që nuk riparohet shumë shpejt, çon drejt artritit të gjurit.  Në këto raste mjekët përshkruajnë përdorimin e gjunjëzës për të parandaluar dëmtimin e artikulacionit të gjurit si pasojë e dëmtimit të ligamentit. Gjunjëza e LCA-së shërben për të mos lejuar që gjuri të lëvizë nga vendi gjatë një aktiviteti të moderuar.

Kirurgjia

Në rast se simptomat dhe instabiliteti i gjurit nuk mund të mbahen në kontroll me gjunjëzën dhe programin e rehabilitimit, atëherë rekomandohet kirurgjia. Qëllimi kryesor i ndërhyrjes kirurgjikale është të mos lejojë tibian të lëvizë përpara nën kockën e femurit më shumë seç duhet dhe gjuri të rimarrë funksionin e tij normal.

Edhe kur kirurgjia është e domosdoshme, shumë ortopedë kërkojnë që pacientët e tyre të bëjnë disa seanca fizioterapie para ndërhyrjes. Kjo bëhet për të reduktuar enjtjen dhe për të bërë të mundur që gjuri të drejtohet plotësisht. Në këtë mënyrë ulet gjithashtu rreziku për fibrozë (shenja) brenda gjurit dhe shërimi është më i shpejtë.

Metoda artroskopike

Pjesa më e madhe e kirurgëve tashmë preferojnë të rindërtojnë LCA-në duke përdorur një pjesë tendini ose ligament për të zëvendësuar LCA-në e rupturuar. Kjo ndërhyrje zakonisht realizohet nëpërmjet artroskopit. Kjo kirurgji është kirurgji e mbyllur dhe kirurgu nuk ka nevojë të hapë artikulacionin, por vetëm bën prerje të vogla mbi të. Artroskopi përdoret për të parë artikulacionin e gjurit në brendësi, ndërkohë që kirurgu operon. Pjesa më e madhe e ndërhyrjeve për rindërtimin e LCA-se nuk kërkojnë shtrim në spital të pacientit dhe shumë prej tyre shkojnë në shtëpi të njëjtën ditë pas ndërhyrjes. Disa të tjerë qëndrojnë një ose dy netë në spital, sipas nevojës.

Rehabilitimi

Rehabilitimi jokirurgjikal

Rehabilitimi jokirurgjikal i LCA-së së rupturuar zgjat 6-8 javë. Ju mund të rifilloni aktivitetin sportiv kur muskujt tuaj kanë arritur pothuajse nivelin e plotë të forcës, kur gjuri juaj nuk enjtet në mënyrë të herëpashershme dhe nuk keni probleme me gjurin kur nisni lëvizjen.

Pas kirurgjisë

Pjesa më e madhe e kirurgëve i këshillojnë pacientët e tyre të bëjnë fizioterapi pas ndërhyrjes për rindërtim të LCA-së. Programi i rehabilitimit mund të zgjasë derisa të marrim rezultatet maksimale të rindërtimit kirugjikal të LCA-së. Nëse kirurgjia dhe rehabilitimi shkojnë ashtu siç janë planifikuar, ju mund të merrni një program ushtrimesh që do t’i bëni në shtëpi dhe të takoheni me terapistin tuaj çdo disa javë për një periudhe 4-6-mujore.

4 Komente

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here