Arlinda Gjypi, Shëndet+
Deni Baholli është kampion. Nga ata që mund të ngrenë edhe dy kupa njëherësh. Dikur ëndërr kishte futbollin, por tashmë mendon se nuk ka asgjë më të mirë dhe më emocionuese se noti.
Sadik Mema, trajneri i Akademisë së Notit “Te Stela”, pjesë e të cilit është edhe Deni, thotë se ai e ka filluar notin rreth moshës 12-13 vjeç. “Fillimisht është stërvitur në nivele amatoreske, por ka rreth 4 vjet që i është bashkangjitur akademisë sonë “Te Stela”.
Vetë Deni pohon se dëshira e tij fillestare nuk ka qenë noti. “Unë kisha qejf futbollin, domethënë më pëlqente më shumë se sportet e tjera. Ishte dëshira e prindërve për t’u futur në not, plus edhe për të ma zënë pak kohën, që të mos dilja, të mos rrija rrugëve.
“Arritja e parë ka qenë te garat në akuadrom, që u bënë garat kombëtare. Zura vendin e tretë te stili bretkosë dhe fillova të kërkoja më shumë nga vetja. Fillova të mendoj, pse mos të kem vendin e dytë, vendin e parë, dhe pse të mos mbaj akoma vendin e tretë?! Kështu, duke u stërvitur arrita këtu ku jam tani.
Mamaja e Denit nga ana tjetër, thotë se historia e të birit është e lezetshme: “Deni ka qenë shumë mistrec dhe donte të futej në futboll. Ne nuk donim, pasi kishim frikë se vritej, çahej. Si rrjedhojë, menduam ta fusnim në not, si një sport i qetë. Avash avash pamë se kishte dhunti, kishte talent. Më shumë ishte babai i Denit që e zbuloi dhe pastaj filluam ta sillnim çdo ditë këtu “Te Stela”.
Tashmë Deni është në të tjera nivele. Vetë trajneri Sadik Mema (i cili dhe vetë ka qenë kampion noti), thotë se Deni ka të dhënat e notarëve të rangut të lartë botëror. “Deni është trim, në garë jep gjithçka, është shumë i qetë, nuk emocionohet për të bërë gabime dhe kjo është një veti që jo të gjithë e kanë… Këto dy-tre vite është në nivele më të larta. Kjo shihet jo vetëm nga rezultatet, por edhe me distancën nga e cila ai ndahet me vendin e dytë në çdo garë. Ka një diferencë të madhe me të gjithë notarët që marrin pjesë në garë”.
Emocioni i ngritjes së kupave është i madh. Vetë Deni thotë: “Ngritja e dy kupave në kampionatin te stela i të rinjve, që u bë tani, ishte një ndjesi shumë e veçantë. Kisha shumë emocione kur u tha emri im për të ngritur kupat”. Por ai ka vendosur të mos ndalet këtu: “Kërkoj shumë nga vetja. Dua të marr pjesë në kampionate shumë të rëndësishme për mua. Noti është një nga sportet më të rëndësihsme për mua dhe bën mirë për shëndetin, sepse është sporti më i mirë për shëndetin”.
Nga ana tjetër, mamaja e Denit është shumë krenare për arritjet e të birit. Teksa përshkruan emocionet e garës, ajo thotë:
“Nuk ka fjalë që t’i shpjegoj dot. Them që adrenalina në ato momente arrin në kulm. Rrahjet e zemrës duhet të jenë 120. Çdo video që filmoj, është e padiskutueshme që është zëri im. Nuk arrij ta kontrolloj veten pa thënë: Ec! Forca! Janë emocione të pamenaxhueshme”.
Akademia e Notit “Te Stela” tashmë prej vitesh numëron shumë kampionë në radhët e saj. Si një nga akademitë që ka “luksin” të ketë jo vetëm pishina verore, por edhe dimërore, ajo përzgjidhet shpesh nga Federata e Notit që garat kombëtare të zhvillohen pikërisht në ambientet e saj.
Noti është cilësuar nga Shkolla Mjekësore e Harvardit si sporti më i mirë për shëndetin. Ndërkohë, prindërit, ashtu si dhe mamaja e Denit, e kanë parë atë jo vetëm si një zgjidhje më të mirë për shëndetin, por edhe si një sport që u siguron një të ardhme më të mirë e më të sigurt për fëmijët e tyre.
Për çdo interesim në lidhje me këtë artikull apo personat e përfshirë, ju lutemi të kontaktoni “Te Stela Sport Center” në 067 20 333 10 , sport-estetike@testela.al ose në Facebook: “Te Stela”.


