Denoncimi: Shërbimet e spitalit kryhen në klinikën private të drejtorit

Mark Brunga

Në spitalin e qytetit të Peqinit, kohët e fundit ka plasur një skandal me përmasa të mëdha. Drejtori i sapoardhur në detyrë e ka bllokuar shërbimin e urgjencës duke mbyllur në një dhomë të veçantë pajisjet moderne të skopisë dhe ekos kardiake. Ndërkohë ka vendosur me rrogë një person që thjesht mban çelësat, teksa pacientët janë të detyruar të shkojnë në Tiranë apo Elbasan për të marrë shërbimin.

Mjeku denoncues, dr. Adrian Malkja

Mjeku denoncues, dr. Adrian Malkja

Denoncimi është bërë publikisht nga dr.Adrian Malkja, shefi i Repartit të Urgjencës në spitalin e Peqinit. Sipas tij, situata është tepër e rëndë: “Jam një nga mjekët më të vjetër që punoj në këtë spital dhe një situatë kaq e rëndë këtu nuk ka mbizotëruar kurrë”. Ai ka bërë me dije se me  emërimin e drejtuesit të ri të këtij spitali, situata ka dalë jashtë kontrollit dhe qytetarëve po u mohohen pothuajse të gjitha shërbimet.

Një nga këto abuzime që ai i cileson të rënda, është edhe fakti që drejtori i ri i spitalit të Peqinit,  Dashamir Malkja, në mënyrë arbitrare ka mbyllur dhomën e vizitave të urgjencës dhe ka urdhëruar që “Eko – kardiake” të mbyllet në magazinë. Në këtë spital me mungesa të shumta të aparaturave, në muajin maj të vitit 2013 ishin instaluar dy aparate “Grafi-Skopi” dhe “Eko” të cilat i ishin besuar mjekut specialist pneumoftiziatër-kardiolog dr. Adrian Malkja, si dhe laborantitradiolog-imazherist Naim Malkja.

Denoncuesi Adrian Malkja thotë se në këtë shërbim është punësuar Ideal Elezi, nipi i drejtorit të ri të spitalit i cili, jo vetëm që nuk është në strukturën e emërtesës por nuk ka as diplomë e as licencë për ushtrimin e profesionit skopi – grafi. Duke qenë se nuk është në gjendje të punojë me këto aparatura, ai  ka zgjedhur të  marrë rrogën pa punuar dhe të  mbajë  çelësat e ambjentit ku ndodhen aparaturat.

Pajisjet e spitalit

Pajisjet e spitalit

“Jam profesionist dhe kam guximin si askush tjetër që të denoncoj çdo gjë që gjykoj se është e padrejtë dhe në dëm të qytetarëve. Edhe pse jam në një pozicion drejtues nuk mund të hesht para abuzimeve që mund të bëhen me mua, me kolegët e mbi të gjitha me qytetarët e rrethit të Peqinit. Me veprimet e tij arbitrare drejtori i ri ka paralizuar dhënien e shërbimeve ndaj pacientëve që vuajnë nga mushkëritë dhe nga zemra. Prej ditësh ata detyrohen nga drejtori i spitalit t’i bëjnë këto ekzaminime në Qendrën Spitalore të  Elbasanit apo në kryeqytet. Për situatën e krijuar kam njoftuar edhe  drejtorin e Drejtorisë së Planifikimit Spitalor, Petro Mersini, si dhe zëvendësministrin e Shëndetësisë Klodian Rrepaj”, thotë shefi i Urgjencës së Spitalit të Peqinit.

Malkja bën të ditur dhe se me urdhër të drejtorit të ri, atij si shef shërbimi dhe si specialist i është hequr e drejta të kryejë detyrën si pneumolog (skopi) dhe si mjek specialist i kardiologjisë, megjithëse ai është sot e kësaj dite  i vetmi profesionist në strukturën e spitalit që ka aftësi të  punojë pranë me  aparatin e grafisë.

Lidhur me këtë problem, një shkrim i  Vladimir Memës dhe Ernest Ballabanit, duke iu referuar rastit ne fjalë, thekson se për  këto probleme drejtoria e spitaleve dërgoi një përfaqësues në spitalin e Peqinit. Ky takim kishte për qëllim fuksionimin e  këtyre shërbimeve dhe largimin e menjëhershëm të personit që mban peng shërbimin grafi-skopi. Për largimin e tij ka lëshuar urdhër edhe DRSKSH (Drejtoria Rajonale e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor Elbasan) pas verifikimeve për shkeljet e kryera në këtë  spital, por sërish drejtori i spitalit mban të  njëjtin qëndrim shpërfillës ndaj dikastereve përkatëse të shtetit. Këto veprime të drejtorit të ri, sipas shefit aktual të urgjencës, janë cinike dhe ai po i bën për  interesat e tij personale.

Aktualisht drejtori i spitalit, Dashamir Malkja, disponon edhe një farmaci private dhe po këmbëngul me të gjitha mjetet që të gjithë pacientët dhe mjekët e familjes t’i detyrojë që recetat të shkojnë te farmacia e tij private. Mema dhe Ballabani vënë në dukje faktin që drejtori i spitalit, Dashamir Malkja, në klinikën e tij private ngjitur me farmacinë ka punësuar një kardiologe nga Tirana.

 

Postime të ngjashme

Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës