Denisa Canameti
Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë një udhëzues për pastrimin dhe dezinfektimin e depozitave vetjake të ujit të pijshëm. Depozitat e ujit mbajnë një numër të konsiderueshëm bakteriesh të ndryshme duke ndikuar kështu edhe në përhapjehen e epidemive. Nga analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike që i janë kryer ujit të pijshëm është kuptuar që era e pakëndshme për të cilën qytetarët shpeshherë ankohen vjen pikërisht nga mospastrimi i depozitave.
Në periudhën e nxehtë të verës rrezikshmëria e përhapjes së këtyre bakterieve është akoma më e madhe.
Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, specialistja pranë Institutit të Shëndetit Publik, Valbona Bara, thekson që një ndër objektivat kryesore në punën e Institutit në këtë drejtim është vlerësimi i risqeve shëndetësore lidhur me konsumin e ujit të pijshëm higjienikisht jo të pastër, gjë që sjell parandalimin e shpërthimeve epidemike me origjine nga uji.
Në çfarë intervalesh kohore bëhet monitorimi i ujit të pijshëm në vendin tonë?
Procesi i monitorimittë ujit të pijshëm në vendin tonëështë një proces i vazhdueshëm i cili kryhet çdo ditë në të gjithë sistemin ujësjellës të shpërndarjes së ujit. Ky monitorim kryhet në të gjithë ujësjellesIt e zonave urbane, ndërsa për ujësjellësIt ruralë ky monitorim kryhet çdo tre muaj, E përcaktuar në rregulloren aktuale higjieno-sanitare të vendit tonë. Aktualisht në 35 distrikte të vendit tonë pranë Drejtorive të Shëndetit Publik janë të ngritur laboratorët mikrobiologjikë dhe fiziko-kimikë të cilët realizojnë këtë monitorim.
Si është i shtrirë monitorimi?
Zgjedhja e pikave të kontrollit realizohet në bashkëpunim me Inspektoriatin Sanitar Shtetëror të rrethit dhe Ndërmarrjeve të Ujësjellësit në mënyrë të tillë që të japin një tablo përfaqësuese të cilësisë së ujit të shpërndarë në të gjithë territorin që mbulohet nga rrjeti i ujësjellësit. Numri i pikave të kontrollit është i përcaktuar në bazë të numrit të popullsisë së çdo qyteti.
Sa është numri i ujësjellësve që raportojnë të dhënat në ISHP?
Për vitin 2014 është shtuar numri i ujësjellësve që raportojnë të dhënat në ISHP si dhe është shtuar numri i pikave të kontrollit të ujit. Gjithsej, janë 63 ujësjellës të cilët raportohen pranë Seksionit të Ujit dhe Sanitetit, ISHP, monitorohen gjithsej 580 pika monitorimi në rrjetin ujësjellës.
Çfarë bëhet me të dhënat e përftuara gjatë monitorimit nga DSHP-të e rretheve?
Këto të dhëna në formën e fishës dërgohen çdo muaj pranë Seksionit të Ujit dhe Sanitetit në Institutin e Shëndetit Publik, i cili bën analizën e të dhënave, përcaktimin dhe vlerësimin e rriskut shëndetësor në rastet e vërejtura të ndotjeve bakteriale në ujë.Gjithashtu ky vlerësim, në formën e Buletinit Mujor dhe të raporteve apo informacioneve , dërgohet në Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Shtetit për Çështjet Vendore, Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës dhe në Entin Rregullator të Ujit të Shqipërisë, me qëllim marrjen e masave të domosdoshme për shëndetësimin e ujit në rastet e vërejtura të ndotjeve të tij.
Cilat janë hapat që ndërmerren në rastet e vërejtura të ndotjeve të përsëritura të ujit tëpijshëm?
Në raste të vërejtura të ndotjeve të përsëritura të ujit të pijshëm dhe problemeve të tjera të cilat lidhen me sanitetin e ujit të pijshëm dhe me kërkesë të DSHP-ve të rretheve, janë specialistët e ISHP-së të cilët nga ana e tyre ofrojnë ndihmë teknike dhe të specializuar për DSHP-të në zgjidhjen e situatave të sanitetit të ujit të pijshëm.
Zhaneta Miska, Inxhiniere Sanitare në Sektorin e Higjienë-Epidemiologji pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik , ka pregatitur një udhëzues që përshkruan hapat që duhen ndjekur për pastrimin dhe dezinfektimin e depozitës së ujit.
Hapat që duhen ndjekur për pastrimin dhe dezinfektimin e depozitës së ujit janë si më poshtë:
- Para se të hapet depozita, pastrohet e gjithë sipërfaqja e jashtme e saj, si dhe kapaku mbyllës.
- Zbrazet uji që ndodhet në depozitë.
- Hiqen llumrat që kanë dekantuar në dyshemenë e depozitës.
- Pastrohet me furçë të ashpër ose me ujë me presion, e gjithë siperfaqja e brendshme e depozitës për të larguar papastërtitë.
- Zbrazet uji i ndotur nëpërmjet valvoles së shkarkimit të depozitës.
- Shpëlahet depozita me ujë të pastër derisa të pastrohet sipërfaqja e brendshme.
- Dezinfektohet sipërfaqja e brendshme.



