Dermatiti alergjik është një nga problemet e shpeshta të lëkurës. Dermatiti alergjik i kontaktit është një dermatit ekzematoz që shfaqet si pasojë e riekspozimit ndaj një substance me të cilën individi është sensibilizuar më parë. Acidet, lëndët alkaline, tretësit, sapunët e detergjentët nuk shkaktojnë
dermatit alergjik të kontaktit, ato shkaktojnë dermatit të kontaktit. Janë irritues të lëkurës, por jo alergene. Ndodh që disa lëndë të jenë njëkohësisht dhe alergenë dhe irritues.
Si e ka pamjen lëkura me dermatit alergjik të kontaktit?
Lëkura është e skuqur, edematoze, me vezikula të vogla. Vezikulat çahen duke u tharë e formuar kore më pas. Më vonë ngjyra e lëkurës errësohet dhe lëkura ashpërsohet.
Cilët janë shkaktarët?
Vlerësohen zakonisht lëndët me të cilat pacienti ka pasur kontakt pacienti në punë apo shtëpi. Ndodh që shkaktarët mund të përcaktohen edhe vetëm nga vendi i vendosjes së eritemës dhe elementeve shoqëruese. Disa nga alergenët me të shpeshtë janë: nikeli, lateksi-llastiku, bojërat, parfumet, disa lule, prezervativët e ushqimeve.
Dermatiti nga nikeli
Nikeli është një alergen i shpeshtë në praktikën klinike. Bizhuteri të ndryshme kanë sasi të mjaftueshme nikeli për të dhënë reaksion alergjik (në veshë, në gishta, duar, qafë). Edhe gjilpërat e shpimit mund të japin DAK në vesh. Pas shpimit për të paktën 3 javë duhen përdorur vathë pa nikel. Kopsat metalike, rripat e mesit japin DAK në vendin e kontaktit. Tek individët e ndjeshëm ndaj nikelit djersa e përkeqëson reaksionin. 15 minuta pas kontaktit të lëkurës së djersitur me një send prej nikeli fillon pruriti i lëkurës, vezikulat dalin brenda 48 orësh. Pacientët me alergji nga nikeli i nënshtrohen imunoterapisë.
Shpesh prodhimet e llastikut shkaktojnë alergji. Lëndët kimike që i shtohen atij gjithashtu. Sidomos lateksi shkakton një reaksion të menjëhershëm me prurit dhe djegie të lëkurës. Rrallë ndodh dhe marrje fryme, bllokim hundësh e lotim sysh. Kjo ndodh shpesh te personeli mjekësor që përdor doreza lateksi. Edhe dorezat prej llastiku japin DAK. Ato pa pudër janë më pak alergjike. Llastiku i përdorur te këpucët shkakton alergji. Personat me alergji nga llastiku duhet të përdorin doreza me shtresë të brendshme pambuku, doreza hipoalergjike.
Bojërat e flokëve
Disa persona të ndjeshëm ndaj parafenilendiaminës (PPD) shfaqin reaksione alergjike gjatë lyerjes së flokëve me bojë. Më i fuqishëm reaksioni është tek ata që lyejnë flokët me ngjyrë të zezë. Kjo është një lëndë brenda bojërave të qëndrueshme të flokëve.
Disa rroba në bojërat e tyre përmbajnë PPD. Këta persona nuk duhet të veshin rroba të zeza të përbëra nga lëndë sintetike apo najloni.
Pomadat
Neomicina është një antibiotik që gjendet në brendësi të shumë kremrave, pomadave etj. dhe njihet për reaksionet alergjike në lëkurë.
Prodhimet kozmetike të lëkurës.
Parfumet, kremrat e ndryshme mund të shkaktojnë reaksione alergjike. Për të gjetur elementin shkaktar të alergjisë, duhen testuar përbërësit e kremrave, pra duhet bërë patch test.
Kromatet
Janë materiale që përmbajnë krom dhe që shpesh bëhen shkak për DAK. Ato gjenden në materiale si çimento, lëkura, shkrepse, bojëra, lëndë kundër ndryshkjes. Kontakti me këto lëndë nga punëtorët e ndërtimit iu shkakton dermatit. Këto lëndë gjenden dhe tek këpucët apo veshjet e lëkurës. Dermatitet e këmbës shpesh shkaktohen nga produktet e lëkurës (këpucët) që përmbajnë kromate.



