Denisa Canameti
Mungesa e ndërgjegjësimit për rreziqet shëndetësore në lidhje me mbetjet spitalore, trajnimi i pamjaftueshëm në menaxhimin e duhur të mbeturinave, mungesa e sistemeve të menaxhimit të mbeturinave dhe të deponimit, burimet e pamjaftueshme financiare dhe njerëzore si dhe prioriteti i ulët i dhënë për këtë çështje, janë arsyet kryesore që rendit Organizata Botërore e Shëndetësisë lidhur me dështimin e menaxhimit të mbetjeve spitalore. Raportet e dala nga organizma shtetërore dhe të pavarur, rezulton se menaxhimi i mbetjeve spitalore mbetet një problem shqetësues, dhe një këmbanë alarmi edhe për Shqipërinë. Në vendin tonë ende ka shumë problematika të cilat vënë në rrezik të vazhdueshëm shëndetin e personelit shëndetësor, pacientëve dhe popullatës së përgjithshme. Në raportin e Auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit me temë “Menaxhimi i Mbetjeve Spitalore”, rezulton pikërisht se stafi mjekësor është i patrajnuar, si dhe spitalet nuk plotësojnë kushtet infrastrukturore për mbledhjen dhe grumbullimin e mbetjeve spitalore. Konkretisht, raporti shprehet se:
- Punonjësit e Spitalit Rajonal të Kukësit nuk kanë marrë pjesë në asnjë trajnim lidhur me menaxhimin e mbetjeve spitalore.
- Punonjësit e Spitalit Rajonal të Fierit nuk kanë marrë pjesë në asnjë trajnim lidhur me menaxhimin e mbetjeve spitalore.
- Stafi i Drejtorisë së Planifikimit Spitalor në MSHMS nuk ka marrë pjesë në asnjë trajnim lidhur me menaxhimin e mbetjeve spitalore.
Ndërkohë, sipas ligjit Nr.10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” mbetjet menaxhohen duke mos vënë në rrezik shëndetin e njeriut, duke mos përdorur procese ose metoda që mund ta dëmtojnë atë ose mjedisin.
Krijimi, grumbullimi, transporti, magazinimi dhe trajtimi i mbetjeve të rrezikshme kryhen vetëm në kushte që sigurojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut, në përputhje me këtë ligj. Këto kushte përfshijnë masat që sigurojnë gjurmueshmërinë e mbetjeve që nga krijimi deri në destinacionin përfundimtar të tyre, si dhe kontrollin e mbetjeve të rrezikshme, me qëllim plotësimin e kërkesave të këtij ligji. Krijuesi ose zotëruesi fillestar i mbetjeve e kryen trajtimin e tyre vetë ose përmes një tregtari a personi tjetër që kryen operacione trajtimi të mbetjeve, në përputhje me këtë ligj dhe ligjin nr. 10 448 ,datë 14.7.2011 “Për lejet e mjedisit”.
Ndërkohë, që raporti i Auditit tregon se “Spitali Rajonal i Kukësit dhe Spitali Rajonal i Fierit nuk disponojnë asnjë teknologji trajtimi të mbetjeve spitalore por e kanë kontraktuar këtë shërbim te kompanitë private të trajtimit/asgjësimit të mbetjeve spitalore.
Godinat e QSUT, Spitalit Rajonal të Fierit dhe Spitalit Rajonal të Kukësit nuk kanë infrastrukturën e duhur arkitekturore për të arritur një menaxhim efektiv të mbetjeve spitalore.
Depozitimi i përkohshëm i mbetjeve spitalore në ambientet e QSUT, Spitalit Rajonal të Fierit dhe Spitalit Rajonal të Kukësit në mjaft raste bëhet në tualete, lavanderi, zyra të mjekëve apo ambiente të tjera të ngjashme të sajuara ku personeli por dhe pacientët mund të kenë kontakt direkt me to” thuhet në raport.
Ndërkohë, sipas Open Data Albania rezulton se për vitin 2017, Drejtoria e Spitalit të Fierit ka zhvilluar dy tendera për menaxhimin e mbetjeve spitalore. Përkatësisht, në tenderin e datës 08-05-2017 është shpallur fituese oferta me vlerë 2 763 600,00 lekë pa TVSH (dy milion e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind). Operator konkurues për këtë tender kanë qënë: Medi- Tel SHPK – EUROTEAM SHPK. Ndërkohë që operator fitues është shpallur EUROTEAM SHPK. Ndërkohë, më 11-09-2017 është mbajtur një tjetër tender me objekt “Trajtimi i mbetjeve spitalore për Spitalin Rajonal Fier – financuar nga Buxheti i Shtetit”.
Oferta fituese ka qenë 3 977 760, 00 Lekë, pa TVSH. Ky tender ka patur vetëm një operator konkurues, dhe automatikisht fitues: MEDI – TEL SHPK Spitali rajonal i Kukësit ka kryer gjithashtu tenderin me objekt “Evadim i mbetjeve spitalore te spitalit Kukes per vitin 2018”, me vlerë në lek 2 000 000,00, me operator ekonomik fitues Medi-tel SHPK.
Ndërsa, për vitin 2017 Drejtoria e Shërbimit Spitalor Kukës gjithashtu ka shpallur tenderin me objekt “Evadimi i mbetjeve të Spitalit Kukës”, më 14-09-2017, ku operatori ekonomik kontraktues ka qënë ECOMEDICA – V.A.L.E. RECYCLING. Edhe pse me procedura në shumicën e rasteve spitalet rezultojnë të rregullta, “magazina ku depozitohen mbetjet spitalore në Spitalin Rajonal të Kukësit para se të merren nga operatori privat është tërësisht jashtë të gjitha normave dhe standardeve. Magazina ku depozitohen mbetjet spitalore në Spitalin Rajonal të Fierit gjithashtu nuk arrin standardet e kërkuara”. Për sa më sipër rekomandoj “QSUT, Spitali Rajonal i Fierit dhe i Kukësit të krijojnë ambiente për depozitimin e përkohshëm të mbetjeve spitalore para se ato të shkojnë në magazinën kryesore”.
Grupi Auditues ka konkuluduar që “Spitali Rajonal i Kukësit të marrë masa urgjente për mbylljen e magazines aktuale ku magazinohen mbetjet spitalore ose rikonstruktimin e saj duke përmbushur standardet …”
“Spitali Rajonal i Fierit të marrë masa për rishikimin e kushteve të magazines aktuale ku magazinohen mbetjet spitaloreduke përmbushur standardet e vendosura …”.
Gjatë vëzhgimeve që gazeta “Shëndet plus” ka kryer në terren rezulton se në spitalin e Fierit ashtu sikurse në spitalin e Kukësit apo në QSUT, mbetjet spitalore nuk administrohen në mënyrë të rregullt duke u kthyer kështu në një rrezik potencial për infektimin e pacientëve të spitalit, infektimin e punonjësve të shëndetësisë dhe publikun e gjerë. Trajtimi dhe asgjësimi i mbetjeve spitalore gjithashtu mund të paraqesë rreziqe shëndetësore indirekt përmes lëshimit të patogjenëve dhe ndotësve toksikë në mjedis. Trajtimi i mbetjeve spitalore me dezinfektues kimik mund të rezultojë në lirimin e substancave kimike në mjedis nëse ato substanca nuk trajtohen, ruhen dhe asgjësohen në një mënyrë të shëndoshë mjedisore.
Menaxhimi i sigurt i mbetjeve nga aktivitetet e kujdesit shëndetësor
Udhëzuesi trajton aspekte të tilla si kuadri rregullator, çështjet e planifikimit, minimizimi i mbeturinave dhe riciklimi, trajtimi, ruajtja dhe transportimi, opsionet e trajtimit dhe hedhjes, dhe trajnimi. Dokumenti synon ose targeton menaxherët (drejtuesit) e spitaleve dhe institucioneve të tjera të kujdesit shëndetësor, krijuesit e politikave, profesionistët e shëndetit publik dhe menaxherët e përfshirë në menaxhimin e mbeturinave. Në bashkëpunim me partnerë të tjerë, OBSH gjithashtu ka zhvilluar një sërë modulesh trajnimi për praktikat e mira në menaxhimin e mbeturinave të kujdesit shëndetësor duke mbuluar të gjitha aspektet e aktiviteteve të menaxhimit të mbeturinave nga identifikimi dhe klasifikimi i mbeturinave, deri tek konsideratat që udhëzojnë përdorimin e tyre të sigurt duke përdorur strategji jo të djegies ose djegie.
Të gjithë individët e ekspozuar ndaj mbetjeve të rrezikshme mund të jenë në rrezik të lëndohen ose të infektohen. Këtu përfshihet:
- Personeli mjekësor: mjekët, infermierët, personeli sanitar dhe personeli i mirëmbajtjes spitalore;
- Pacientët brenda dhe jashtë që marrin trajtim në mjediset e kujdesit shëndetësor si dhe vizitorët e tyre;
- Punëtorët në shërbimet mbështetëse të lidhura me mjediset e kujdesit shëndetësor si lavanderi, trajtimi i mbeturinave dhe shërbimet e transportit;
- Punëtorët në objektet e deponimit të mbeturinave, duke përfshirë pastrues;
- Publiku i gjerë dhe më konkretisht fëmijët që luajnë me sendet që mund të gjejnë (mbetjet) jashtë ambienteve të kujdesit shëndetësor.
Manaxhimi i mbeturinave dhe opsionet e trajtimit duhet së pari të mbrojnë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe popullsinë si dhe të minimizojnë ndikimet indirekte nga ekspozimet mjedisore.
Rreziqet e shëndetit publik dhe profesional
Gjatë trajtimit të mbetjeve, personeli mjekësor dhe ndihmës si dhe punëtorët sanitare mund të plagosen nëse mbeturinat nuk janë paketuar në mënyrë të sigurt. Në këtë drejtim, shiringat janë konsideruar si një nga kategorinë më të rrezikshme të mbeturinave.
Shumë lëndime ndodhin sepse shiringat nuk mblidhen në kutitë e sigurisë. OBSH vlerëson se miliona infektime të hepatitit B, C dhe HIV ndodhin çdo vit për shkak të injektimit të pasigurt (ripërdorimi i shiringave dhe gjilpërave në mungesa e sterilizimit). Së fundi, hedhja e mbetjeve spitalore në zona të pakontrolluara mund të ndotë tokat dhe ujërat nëntokësore. Gjatë djegies, nëse nuk bëhet filtrim i duhur, ajri mund të ndotet gjithashtu duke shkaktuar sëmundje tek popullatat e afërta. Shumë vende ose nuk kanë rregulla të përshtatshme, ose nuk zbatojnë ato.
E në kët rast Shqipëria ka rregulla dhe ligje të kopsitura, por ka probleme të theksuara me zbatueshmërinë e tyre. OBSH ka zhvilluar dokumentin e parë udhëzues global dhe gjithëpërfshirës, Menaxhimin e sigurt të mbeturinave nga aktivitetet e kujdesit shëndetësor, dhe së fundmi një udhëzues të shkurtër që përmbledh elementet kyçe.
Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Monitorimi i spitaleve për listën e barnave të rimbursueshme, në përputhje me urdhrin e Ministrit për rritjen e transparencës dhe respektimin e të drejtave të pacientëve” i cili zbatohet nga shoqata “Together for Life”, dhe mbështetet nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.