Dhëmbët e ndjeshëm, si të kujdesemi

Bisedoi: Elona Tereziu

Shumë prej nesh ankohen se kanë dhëmbë të ndjeshëm.  Në rast se gjatë ngrënies së një akulloreje, gjatë konsumimit të një ushqimi të nxehtë apo edhe gjatë larjes së dhëmbëve kemi ndjeshmëri të theksuar, në këtë rast kemi të bëjmë me një problem të quajtur dhëmb sensitiv.

Arlinda Karaj, mjeke stomatologe tregon për gazetën Shëndet + shkaqet e këtij problemi të zakonshëm, ku liston sëmundjet periodontale, furçimin e gabuar me pasta abrazive, përdorimin e një diete me përmbajtje të lartë acide apo edhe sëmundje si bulimia, ndërkohë që thekson se ky problem haset pothuajse tek gjysma e popullsisë.

Më tej ajo flet dhe  për mënyrat e trajtimit, ku përdorimi i një paste me përmbajtje të lartë fluori. Aplikimi i një kurore mbi dhëmbin tek i cili kemi ndjeshmëri ose dhimbje. Përdorimi i grafteve gingivare dhe trajtimi endodontik mund të shihen si zgjidhje në këtë rast.

Çfarë është ndjeshmëria e dhëmbit?

Ndjeshmëria e dhëmbit është një emërtim i zakonshëm që përdoret për hipersensitivitetin e dentinës ose sensitivitetin e rrënjës. Nëse ushqime apo pije të nxehta, të ftohta, të ëmbla ose acide apo qoftë dhe frymëmarrja në ajër të ftohtë bën që dhëmbët tuaj të kenë ndjeshmëri ose dhimbje, atëherë themi që keni dhëmbë të ndjeshëm.

Tek dhëmbët e shëndetshëm, një shtresë smalti mbron kurorën e dhëmbit/ pjesën e tij që shtrihet mbi linjën gingivare. Pjesa e dhëmbit që ndodhet nën linjën gingivare vishet nga cementi (shtresa që vesh rrënjën e dhëmbit në sipërfaqen e jashtme). Poshtë smaltit dhe cementit gjendet dentina.

Dentina ka nje strukturë më të dobët se smalti dhe cementi dhe përmban tubula mikroskopik. Në momentit që dentina humbet shtresën mbrojtëse të smaltiti ose cementit, këto tubula e lejojnë të nxehtin dhe të ftohtin, ose aciditetin që gjendet tek disa ushqime të arrij deri tek fijet nervore dhe qelizat në brendësi të dhëmbit.

Dentina mund të ekspozohet gjithashtu në rastet kur kemi tërheqje të gingivave (mishrave të dhëmbëve). Rezultati në këto raste është hipersensitiviteti (ndjeshmëria e lartë e dhëmbit).

Çfarë e bën të dhimbshëm ekspozimin e dentinës?

Dentina përmban mijëra kanale shumë të vegjël të cilët mund të shihen vetëm me mikroskop.

Këto kanale shtrihen nga sipërfaqja e dhëmbit nëpër dentinë e më pas në drejtim të dhomës pulpare. Këto kanale përmbajnë fluide të cilat pas konsumimit të  pijeve të nxehta apo të ftohta lëvizin duke ngacmuar nervin, për pasojë shkaktojnë dhimbje.

Nga se shkaktohet ndjeshmëria e dhëmbëve?

Ajo zakonisht shkaktohet nga ekspozimi i dentinës në zonën e rrënjës për shkak të tërheqjeve gingivare ose sëmundjeve periodontale. Gjithashtu furçimi i fortë i dhëmbëve dhe përdorimi i një paste abrasive mund të shkaktojë gërryerje të shtresës së smaltit dhe ekspozim të dentinës.

Tjetër shkak mund të jetë përdorimi i një diete me përmbajtje të lartë acidesh e cila sjell erozion të dhëmbit dhe shkrije të sipërfaqes së tij duke ekspozuar dentinën.

Bulimia gjithashtu mund të shkaktojë erozion dentar dhe ndjeshmëri për shkak të aciditetit në gojë.

Kur dhëmbët janë të ndjeshëm larja e rregullt e tyre mund të jetë e dhimbshme dhe nëse ju e neglizhoni furçimin e rregullt, për këtë shkak risku për të pasur kavitete në dhëmbët tuaj dhe sëmundje të gingivave është më i lartë.

Kujdes!!! Dhimbja pas konsumimit të një ushqimi apo pije të nxehtë, të ftohtë, me përmbajtje acide apo të ëmbël mund të jetë shenjë e një prishje dhëmbi që ka shkaktuar një kavitet.

A është e zakonshme ndjeshmëria e dhëmbëve?

Ndjeshmëria e dhëmbëve është shumë e zakonshme dhe rreth gjysma e popullsisë kanë eksperienca të tilla. Zakonisht ajo prek moshën nga 18 deri në 40 vjeç.

A mund ta parandalojmë ndjeshmërinë e dhëmbëve?

Sigurisht, çdokush mund të reduktojë mundësinë e pasjes së dhëmbëve të ndjeshëm. Për këtë këshilloj ruajtjen e një kaviteti oral sa më të shëndetshëm përmes higjienës orale në mënyrë që të parandalohen tërheqjet e gingivave të dhëmbëve dhe sëmundjet periodontale. Furcimi i rregullt i dhëmbëve, përdorimi i fillit dentar si dhe zgjedhja e një paste sa më pak abrazive ndihmon në reduktimin e mundësisë për të pasur dhëmbë të ndjeshëm. Gjithashtu kini kujdes në dietën tuaj ushqimore, sigurohuni që ajo të ketë sa më pak përmbajtje acide.

A mund të trajtohen dhëmbët e ndjeshëm?

Po dhe në bazë të asaj se çfarë e shkakton atë, sugjerohen trajtimet e mëposhtme:

  1. Përdorimi i një paste që ul ndjeshmërinë e dhëmbit. Këto pasta përmbajnë përbërës që ndihmojnë në bllokimin e transmetimit të ndjeshmërisë nga sipërfaqja e dhëmbit tek nervi dhe zakonisht kërkojnë disa aplikime në mënyrë që të reduktojnë ndjeshmërinë e dhëmbit.
  2. Përdorimi i pastave me përmbajtje të lartë fluori.
  3. Xhelet e fluorit. Aplikimi i xhelit të fluorit është një teknikë që realizohet në klinikë përmes së cilës forcohet smalti dhe reduktohet transmetimi i ndjeshmërisë.
  4. Aplikimi i një kurore mbi dhëmbin tek i cili kemi ndjeshmëri ose dhimbje.
  5. Përdorimi i grafteve gingivare. Është një ndërhyrje kirurgjikale që aplikohet tek dhëmbët që kanë tërheqje të linjës gingivare dhe ekspozim të rrënjës së dhëmbit, përmes së cilës mbrohet rrënja dhe reduktohet ndjeshmëria.
  6. Trajtimi endodontik. Nëse ndjeshmëria është e lartë dhe e vazhdueshme dhe nuk mund të trajtohet me asnjë nga mënyrat e mësipërme, dentisti juaj mund të rekomandojë heqjen e nervit tek ai dhëmb./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin