Kryefaqja Lajm kryesor Dhimbja e thembrës, format e trajtimit

Dhimbja e thembrës, format e trajtimit

0
Shpërndaje

Ka shumë pacientë (sidomos femra), zakonisht të  moshës mbi 50 vjeç që ankojnë për dhimbje të shputës së këmbës. Dhimbje kjo më e shprehur në hapat e para që hedhin në mëngjes sapo zgjohen nga gjumi. Zakonisht, kjo dhimbje shqetësuese ndihet vetëm gjatë lëvizjes, jo në qetësi kur qëndrojnë ulur apo shtrirë.

Fasciti plantar është shkaku më i zakonshëm i dhimbjeve në pjesën e poshtme të thembrës. Megjithëse studimet kanë treguar se nuk ka një shkak të mirëfilltë se pse ndodh, nga ana mjekësore dhimbja mund të shpjegohet me një këputje të pjesshme të membranës që ndryshe quhet fascia plantare.  Zakonisht haset në dekadën e 5 të jetës dhe prek kryesisht femrat. Simptoma kryesore është dhimbja, e cila është shumë e shprehur sidomos në hapat e para në mëngjes. Por, ndonjëherë mund të shoqërohet edhe me mpirje të shputës dhe gishtave të këmbës. Tahir Çela, kirurg ortoped në Spitalin Universitar të Traumës tregon për gazetën “Shëndet plus“ format e trajtimit konservativ, ndërkohë që kirurgjia është ajo që jep zgjidhjen përfundimtare në rastet kur kjo e para nuk ka funksionuar.

Mos humbisni: Dhimbja e thembrës, si ta trajtojmë

Figura e mësipërme shpjegon ushtrimet specifike për shtrirjen e fascies plantare.

Pacienti vendos këmbën e dhimbshme mbi këmbën tjetër dhe duke kapur gishtat e këmbës me njërën dorë, i tërheq ata drejt trupit, pra në drejtim për lartë, ndërsa me dorën tjetër ndjen fascien plantare si një kordon i fortë, i tendosur dhe bën masazhin e këtij kordoni në zonën më të dhimbshme. Këtë ushtrim e bën për 10 sekonda rreth 20 cikle, veçanërisht në mëngjes para hedhjes së hapave të parë. Studimet kanë treguar se dhimbja e thembrës lëhtësohet ndjeshëm me anë të këtij ushtrimi të thjeshtë për 6 deri në 12 javë.

Medikamentet dhe kirurgjia

Një mënyrë tjetër trajtimi janë edhe medikamentet kundër dhimbjes. Por, është parë që antinflamatorët që përdorim zakonisht për dhimbjet e  tjera, nuk funksionojnë mirë tek kjo sëmundje.

Një mjekim tjetër është dhe injeksioni me kortizonik që përdoret thuajse të gjithë vendet e botës. Por nuk është se ka ndonjë sukses të madh dhe nuk duhet bërë më shumë se një herë.

I fundit është trajtimi kirurgjikal. Nëse një pacient ndiqet nga ortopedi për një periudhë të gjatë, supozojmë 6 muaj dhe i respekton këto këshilla që përmendëm, megjithatë prapë ka dhimbje të padurueshme që e kufizojnë në lëvizje, atëherë rekomandohet ndërhyrja. Pra, kur kanë dështuar të gjitha masat e tjera konservative, mund të tentojmë trajtimin me kirurgji.

Ndërhyrja kirurgjikale duhet bërë patjetër në kushte spitalore. Ne ndërhyjmë në shputën e këmbës me një hapje të vogël 2-3 cm për të liruar fascitin/ membranën që prodhon dhimbjen.

Pjesa dërrmuese e pacientëve që i nënshtrohen kësaj ndërhyrje, mbi 90% e tyre, ndiejnë një përmirësim të menjëhershëm dhe janë të kënaqur nga kirurgjia. Lehtësimi i dhimbjes është i menjëhershëm dhe e mira e kësaj është që pacienti rri vetëm disa orë në spital. Pra, të njëjtën ditë mund të dalë nga spitali dhe të ecë.

Do të doja të theksoja. Ndonjëherë ne na vijnë pacientë me grafi të bërë dhe të shqetësuar se pse në grafi u del një sqep kockor. Poshtë thembrës duket një si dalje, si një sqep dhe pacienti mendon se dhimbja buron pikërisht nga aty. Në fakt studimet kanë treguar që ky sqep kockor që normalisht nuk duhet të jetë atje, tek shumë njerëz ekziston por jo detyrimisht prodhon dhimbje. Në fakt ai është pasojë e fascitit plantar dhe jo shkaku i fascitit. Pra, burimi i dhimbjes nuk vjen nga prania e këtij sqepi kockor në grafi, por nga kjo membrana që thamë dhe që quhet fascia plantare./ Shendeti.com.al

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here