Bisedoi për gazetën “Shëndet+”: Denisa Canameti
Me fillimin e shkollës fillojnë edhe ankesat e fëmijëve për dhimbje të ndryshme. Ndonjëherë anashkalohen nga prindërit duke i quajtur justifikime për mos të shkuar në shkollë. Por ankesat e tyre duhet të merren në konsideratë. Kjo sepse shumë ankesa në dukje të papërfillshme, në fakt mund t’i sinjalizojnë prindërit për probleme të ndryshme shëndetësore që mund të kenë fëmijët e tyre. Fizioterapisti Endrit Mone, ndërsa flet për gazetën “Shëndet+”, jep më një panoramë të qartë të asaj çka ndodh me këta fëmijë dhe pse prindërit duhet të jenë të kujdesshëm.
Doktor, si është e mundur që me fillimin e shkollës, shumë fëmijë ankohen për dhimbje të ndryshme, në shpinë, në qafë, te këmbët etj?
Rifillimi i shkollës ndryshe do të thotë orë të zgjatura ulur, çanta të mbingarkuara në shpinë, 3 veta të ulur në një bankë edhe orë të gjata para librave ose kompjuterit. Sjellja muskulo-skeletike e fëmijëve të cilët kalojnë nga një fazë pushimesh në një fazë përgatitjesh me orë të zgjatura, reflektohet në dhimbjet muskulare për të cilët ata ankohen. Pra, kalimi i kësaj faze në një fazë me ngarkesa, duhet të jetë në vëmendjen e prindërve dhe të mësuesve për mos të sjellë pasoja më të rënda në zhvillimin muskulo-skeletik të fëmijës.
Cilat janë shqetësimet më të shpeshta që dëgjojmë nga fëmijët?
Edhe nga studimet e kryera, ka disa lloje ankesash që janë të lidhura direkt me rifillimin e shkollës. Janë disa ankesa të cilat edhe duhen anashkaluar, por ka disa shqetësime të cilat prinderit duhen të jenë të kujdesshëm. Nëse fëmija të thotë që nuk rri dot ulur në bankë se jam ngushtë, ose më dhemb shpina se çanta është e rëndë, këto janë ankesa që duhet të rregullohen sa më shpejt. Ankesa si: më dhemb qafa, më errësohen sytë, janë ankesa që duhet të shoqërohen me një konsultë me mjekun e shkollës ose me mjekun specialist.
Si duhet të sillen prindërit në të tilla situata?
Prindërit, gjëja e parë që duhet të bëjnë, është t’i dëgjojnë me kujdes dhe të mundohen të gjejnë realisht problemin dhe ta zgjidhin. Nëse një çantë është e rëndë, atëherë ajo nuk duhet ngarkuar aq sa është edhe pesha e trupit të fëmijës; nëse banka edhe karrigia e fëmijës është e papërshtatshme sa atij i krijon parehati të cilat shkojnë deri në dhimbje, duhet të flasë me përgjegjësit e shkollës edhe ta ndryshojnë; nëse qafa edhe sytë akumulojnë lodhje, duhet të reduktojmë të lexuarit shtrirë ose me orë të zgjatura duke futur pauza të cilat krijojnë një lehtësim të madh te fëmija. Ajo çka është më e rëndësishme për ta, është të shkojnë të lumtur në shkollë.
Cilat janë pasojat e këtyre veprimeve ose kushteve jo të përshtatshme të fëmijët?
Shtylla kurrizore është ajo më e rrezikuara. Deformimet në të tilla mosha, sidomos te vajzat, mund të jenë me pasoja nëse nuk kapen në kohë. Mjafton një çantë e cila peshon më shumë seç duhet, e mbajtur keq (vetëm në njërin krah) ose një keqpozicionim i detyruar në bankë për një kohë të gjatë, shtylla kurrizore si pasojë e një muskulature jo shumë rezistente merr devijimin e parë dhe shfaqet me një skoliozë juvenile. Dhimbjet e qafës janë të tjera dhimbje shqetësuese të cilat mund të shkojnë deri në një torticollis të fituar. Gjithashtu, qëndrimi për një kohë të gjatë ulur shkakton dhimbje në mes, të cilat zakonisht janë kollaj të rikuperueshme, por janë të rikthyeshme.
Jo pak vëmendje duhet t’i kushtojmë edhe terreneve sportive që nuk kanë një amortizim të mirë, por në shumicën e rasteve është beton ose parket, çka për fëmijët të cilët ende s’kanë përfunduar pjekjen kockore, mund të rezultojë shumë e dëmshme për muskujt edhe kockat e tyre.
Cilat janë disa nga kushtet e shkollave që duhen korrigjuar për të krijuar ambient të përshtatshëm që fëmijët të shkollohen pa dhimbje?
Ka shumë kushte të cilat duhen të shikohen me një sy tjetër, pasi në shkolla do të rriten ata të cilët nesër do të bëhen mjekë ose inxhinierë. Nëse në një stol të pandashëm rrinë 3 veta, ata janë të detyruar të rrinë në pozicione të detyruara, ku me shumë mundësi do t’u fillojnë edhe shqetësimet e para. I ftohti do t’i bëjë fëmijët të kenë dhimbje dhe ngrirje muskulare. Fizkultura bëhet në terrene jo të përshtatshme, ku nuk kanë një amortizim dhe muskujt e këmbëve janë gjithmonë të kontraktuar që në moshë të vogël.
Për mos të folur për kontrollet e munguara muskulo-skeletike që duhet të bëjnë shpeshherë mjeku i shkollës ose mësuesi i fizkulturës. Një kontroll rutinë mund të parandalojë shumë probleme, shumë dëmtime muskulore, mund të eliminohen shumë deformime të shtyllës kurrizore etj.



