Mendoni se dini shumë për lëkurën dhe kujdesin e saj? Mund të habitetin se sa shumë nga kjo “njohuri” për ta mbajtur lëkurën të pastër dhe të shëndetshme, nuk është e vërtetë. Ja 10 besime të rreme mbi lëkurën nga Shkolla Mjekësore e Harvardit.
Kremi i lëkurës e mban lëkurën të re: Janë me qindra trajtime lëkure që pretendojnë t’ju bëjnë të dukeni më të reja dhe që ngadalësojnë procesin e plakjes. Për uljen e rrudhave, trajtimi më i mirë i provuar deni tani është acidi retinoik. Shumë kremra kanë në përmbajtjen e tyre acid retinoik, gjithsesi është e vështirë të thuash se cili është i mirë dhe cili i keq. Mënyra më e mirë për të mbajtur rrudhat larg është të mbrohesh nga dielli dhe të mos pish duhan.
Sapunët antibakterialë janë të mirë për të mbajtur lëkurën e pastër: Lëkura zakonisht ka baktere në të. Është e pamundur që ta mbash lëkurën të lirë nga bakteret për sadopak kohë. Në fakt, shumë ekspertë shqetësohen se përdorimi i sapunëve antibakterialë mund të çojë në baktere rezistente ndaj antibiotikëve. Sapunët antibakterialë nuk janë të nevojshëm për përdorimin e përditshëm. Sapunët normalë janë të mjaftueshëm. Larja e vazhdueshme e duarve (jo sapunët antibakterialë), ndihmon në parandalimin e përhapjes së infeksioneve.
Ngrënia e yndyrnave apo çokollatës e yndyros lëkurën dhe shton aknet: E vërteta është se aknet shkaktohen nga një substancë vajore e quajtur sebum. Ajo krijohet dhe sekretohet nga lëkura. Në fakt, nuk ka asnjë provë që një ushqim i caktuar shkakton akne.
Nxirja është e dëmshme: Të kalosh shumë kohë në diell ose të nxihesh shumë mund të rrisë rrezikun për kancer, sidomos nëse nuk përdoren mbrojtës. Rreziku për kancerin e lëkurës lidhet me kohën e ekspozimit në diell dhe shpeshtësinë e djegieve. Nxirja e tepërt mund të shkaktojë dhe dëme lëkure duke e bërë atë të rrudhet dhe plaket para kohe.
Por nëse nxihemi gradualisht, megjithëse vazhdimisht, nxirja nuk përbën rrezik. Për aq kohë sa tregoheni të kujdesshëm, duke përdorur mbrojtës me faktor të paktën 30, duke e aplikuar atë kur është e nevojshme, nëse shmangni orët shumë të nxehta, atëherë nxirja e lehtë pa djegie nuk është e dëmshme.
Nxirja të bën mirë: Njerëzit shpesh e shoqërojnë një lëkurë të nxirë me lëkurën e shëndetshme. Por s’ka asnjë provë se njerëzit me lëkurë të nxirë janë më të shëndetshëm se ata me lëkurë më të bardhë. Ekspozimi në diell sigurisht ka të mirat e veta. Drita e diellit aktivizon vitaminën D në lëkurë, që i mban kockat e forta dhe mund të ulë rrezikun e disa llojeve të kancerit dhe rrit funksionin e trupit. Nisur nga sa vitaminë D merrni në ushqimet tuaja, mungesa e diellit mund të rrisë rrezikun për deficencë të kësaj vitamine.
Sa më i lartë faktori mbrojtës, aq më mirë: Mbi një nivel të caktuar, faktori mbrojtës (SPF) nuk është se bën shumë. Ekspertët zakonisht rekomandojnë përdorimin e kremit mbrojtës me faktor të paktën 30, që bllokon rreth 97% të rrezeve ultravjollcë. Një faktor më i lartë mund të jetë më i mirë nëse do të rrini shumë gjatë në diell, sidomos në orët e pikut (10:00-14:00). Por në shumicën e rasteve nuk ia vlen të shpenzosh për një faktor më të lartë.
Një shenjë thuajse e padukshme tregon se kirurgu është i mirë: Aftësitë e vërteta të një kirurgu tregohen nga ajo që ai bën midis hapjes dhe mbylljes së një prerjeje. Ndërsa kirurgët zakonisht tregojnë më kujdes në prerjet në fytyrë (përdorin qepje të imëta ose ndonjëherë i shmangin fare ato), në të vërtetë shenja e lënë tregon shumë pak për aftësitë e kirurgut.
Vitamina E do të zhdukë shenjat tuaja: Ka pak prova që e mbështesin këtë thënie. Flisni me kirurgun ose dermatologun nëse jeni të shqetësuar për një shenjë. Ka shumë mënyra për të përmirësuar një shenjë, përfshirë dhe trajtimin me lazer.
Të rrish këmbë përmbi këmbë shkakton variçe: Ka një numër të lartë faktorësh që krijojnë variçe, por të qëndruarit këmbë mbi këmbë nuk është një prej tyre. Trashëgimia është e rëndësishme. 80% e personave me variçe kanë njërin nga prindërit me këtë problem. Faktorë të tjerë që e bëjnë dikë më të prekshëm nga variçet janë: duhanpirja, mungesa e aktivitetit, tensioni i lartë i gjakut, shtatzënia, mbipesha dhe punët që të detyrojnë të qëndrosh gjatë në një vend. Nëse ndërkohë keni variçe, ngritja e këmbëve dhe përdorimi i çorapeve shtrënguese mund t’ju ndihmojë. Por mbajtja e këmbëve të “pakryqëzuara” as nuk përmirëson, as nuk i parandalon variçet.
Masazhimi i skalpit të kokës parandalon rënien e flokëve: Nuk ka asnjë provë që të mbështesë një gjë të tillë. Nëse shikoni diçka që nuk shkon në lëkurë ose jeni të shqetësuar se si ta mbani të shëndetshme, kontaktoni me doktorin ose dermatologun tuaj.
Dhe nëse dëgjoni dikë me këto besime të rreme për lëkurën, bëjini të ditur të vërtetën./ Arlinda Gjypi


