Blerina Bombaj, dietologe
Ka disa gjëra që duhet të keni kujdes me metabolizmin tuaj. Ka ushqime dhe veprime që e stimulojnë dhe e bëjnë të funksionojë më mirë, ndaj është e rëndësishme që në raste të tilla, të veproni për të mirën e trupit tuaj.
Ju që e pëlqeni kafen, e keni vënë re besoj se si ju “zgjon” në mëngjes dhe ju bën më të përqendruar doza e kafeinës. Kafja rrit disi edhe metabolizmin, edhe pse për pak kohë.
Gjallërohuni me çaj jeshil
Çaji jeshil përmban kafeinë dhe katekina, substanca të cilat ndikojnë pozitivisht në metabolizëm deri në 2 orë pasi e keni konsumuar. Studimet tregojnë se 2 deri në 4 kupa çaj jeshil në ditë mund të rezultojnë në 17% më shumë kalori të djegura gjatë ushtrimit fizik.
Evitoni dietat drastike
Dietat drastike – ato që japin më pak se 1000 kalori në ditë – janë shkatërruese për çdokënd që shpreson të përmirësojë metabolizmin. Edhe pse këto dieta rezultojnë në rënie në peshë, një pjesë e mirë e peshës së rrëzuar vjen nga muskujt. Sa më pak muskuj, aq më i ngadaltë metabolizmi. Rezultati final është që trupi juaj djeg më pak kalori gjatë ditës dhe kështu mund të rimerrni kilogramët e humbur shumë shpejt.
Pijet energjike
Disa përbërës të pijeve energjike mund t’i japin një shtysë të mirë metabolizmit. Përmbajtja e lartë në kafeinë rrit energjinë që harxhon trupi. Disa prej tyre përmbajnë edhe taurinë, një aminoacid i cili mund të përshpejtojë disi djegien e yndyrnave.
Por KUJDES! Këto pije mund të shkaktojnë tension të lartë, ankth, pagjumësi dhe takikardi, për këtë arsye duhet të evitohen nga fëmijë, adoleshentë dhe persona me probleme kardiake.
Basti më i suksesshëm
Të jemi realistë: impakti i ushqimeve apo pijeve në metabolizëm është i vogël në krahasim me çka nevojitet për të rrëzuar peshën. Për të realizuar një makineri – djegëse kalorish është e nevojshme të ndërtojmë muskuj dhe të jemi aktiv. Sa më shumë të lëvizni aq më shumë kalori do të digjni. Dhe mos harroni: aktiviteti fizik në mëngjes ka më shumë efekt në rritjen e metabolizmit për orë të tëra.



