Përgatiti për gazetën Shëndet + dhe Shëndeti Online: Eneida Mjeshtri
Detyra e zemrës është të na mbajë gjallë, duke pompuar gjak të pasuruar me oksigjen në çdo qelizë të trupit tonë dhe duke kryer kështu gjithë funksionet që e mbajnë trupin tonë në jetë. Për këtë rol kaq të rëndësishëm që zemra jonë luan, është thelbësore që ne, njerëzit, të bëjmë gjithçka mundemi për ta mbajtur atë të fortë dhe të shëndetshme. Është një keqbesim i zakonshëm që ataket kardiake ndodhin vetëm
tek burrat. Sipas një studimi të fundit të Universitetit Mjekësor të Harvardit, 92% e grave janë gjithashtu të rrezikuara për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare. Ja disa këshilla të vlefshme:
Ndaloni duhanpirjen! Duhanpirja nuk lidhet vetëm me problemet e mushkërive dhe kancerin, por ndikon negativisht edhe në sëmundjet kardiovaskulare. Tymosja është një ndër shkaktarët madhorë të arteriosklerozës, e cila nuk është tjetër veçse substanca ynyrore që krijohet dhe ngjitet në arterie dhe enët e gjakut. Kjo sjell një rënie në fluksin e gjakut të pasur me oksigjen që i shkon zemrës. Në kohë, nëse një ose më shumë arterie që shpien gjakun në zemër bllokohen, një atak në zemër ka shumë gjasa të ndodhë.
Flisni me mjekun tuaj për marrjen e suplementeve të vitaminave antioksidante ose të aspirinës në formë mbrojtjeje ndaj sëmundjeve të zemrës dhe atakeve kardiake. Megjithatë, pavarësisht, se çfarë ju rekomandon doktori, marrja e vitaminave nuk do të parandalojë sëmundjet e zemrës, nëse ju nuk mbani nën kontroll të tjerë faktorë rreziku, si: dieta ushqimore e varfër, mungesa e aktivitetit fizik, duhanpirja, kolesteroli i lartë dhe diabeti.
Adopto një kafshë. Individët që kanë një kafshë, kanë shpesh presion më të ulët të gjakut. Për njerëzit që jetojnë në apartamente dhe në qendra urbane, të paturit e një qeni p.sh. dhe shëtitja e tij, do t’i ndihmonte edhe për të mbajtur trupin në formë.
Mëso dhe praktiko aftësi të menaxhimit të stresit. Stresi kronik është direkt i lidhur me ulje dhe dobësim të sistemit imunitar dhe rritje të rrezikut për sëmundje kardio-vaskulare. Është provuar se meditimet e përditshme, ushtrimet fizike, të lexuarit, shëtitjet në natyrë, më shumë kohë dedikuar vetes dhe pasioneve personale, kanë aftësinë të reduktojnë në mënyrë të konsiderueshme, sasinë dhe intensitetin e stresit të përditshëm.
Pini çaj jeshil dhe hani kur mundeni çokollatë të zezë. Antioksiduesit në çajin jeshil përmirësojnë qarkullimin e gjakut dhe ngrënia e sasive të vogla të çokollatës së zezë mund të ulë presionin e gjakut dhe të reduktojë inflamacionin e enëve të gjakut që shpesh janë shkaktare të atakeve në zemër.
Ulni negativitetin dhe rrisni pozitivitetin. Male me studime dëshmojnë se të përjetuarit me intensitet të lartë të emocioneve negative, si: zemërimi dhe stresi, dëmtojnë shëndetin kardiovaskular. Në të kundërt, emocionet pozitive, si: gëzimi, mirënjohja dhe dashuria e forcojnë dhe shëndoshin sistemin tonë imunitar. Duke qëndruar pozitivë, jo vetëm e bëjmë jetën tonë më të gëzueshme, por njëherazi kujdesemi edhe për zemrën tonë.
Artikulli origjinal i shkëputur nga “Spark people”/ Burimet: Shoqata Amerikane e Qarkullimit të Zemrës, Klinika e Klivlendit, Shoqata Mjekësore Amerikane, Botimet Shëndetësore Harvard

