Ada Myrto, mjeke gastrohepatologe
Dispepsia është një term i cili përfshin një grup simptomash (dhimbje abdominale ose djegie e kufizuar në pjesën e sipërme të barkut, llokoçitje, ndjesinë e të ndjerit i ngopur menjëherë pasi fillon vakti, ndjesinë e të përzierave, ndjesinë e fryerjes së barkut menjëherë pas mbarimit të vaktit) etj. Këto simptoma vijnë si pasojë e problemeve në pjesën e stomakut dhe fillimit të zorrës së hollë (duodenit). Sipas studimeve të realizuara, vërehet që rreth 25 – 40% e personave të rritur shfaqin çrregullime dispeptike përgjatë një viti.
Dispepsia funksionale merr këtë përkufizim në momentin që ekzaminimet laboratorike, endoskopike dhe ekografike përjashtojnë problemet me natyrë organike që mund të shfaqin të njëjtat simptoma sikurse : gastritin i cili është inflamacion i shtresës së brendshme të stomakut, ulçerën e stomakut dhe duodenit, dëmtimin e mukozës së shkaktuar nga një bakter i quajtur Helicobacter Pylori, apo dëmtimet nga medikamentet si antiiflamatorët jo steroide dhe steroide, problemet me pankreasin, stomakun, mëlçinë, ezofagun).
Simptomat në dispepsinë funksionale nuk janë vazhdimisht të pranishme, por zakonisht shfaqen dhe largohen me periudha të caktuara. Këto simptoma të shpeshta bëjnë që të ulet cilësia e jetës së pacientit.
Në vlerësimin e dispepsisë funskionale është shumë e rëndësishme realizimi i gastroskopisë (ku një tub i hollë futet nga goja me një kamer dhe një burim drite në pjesën e fillimit, dhe eksploron rrugët e sipërme të ushqimit, shtresën e brendshme që vesh stomakun dhe duodenin).
Disa nga shkaktarët e dispepsisë funksionale janë:
- Çrregullim i lidhur me peristaltikën – Stomaku ka aftësi që në prani të ushqimit të zgjerohet dhe të krijojë hapësirë të mjaftueshme, por tek këta pacientë kjo gjë nuk ndodh siç duhet.
- Mund të ndodhë që një pjesë e stomakut të ulet peristaltika, valët që krijohen në muskulaturë mund të mos jenë të mjaftueshme për ta shtyrë më tej ushqimin drejt zorrëve.
Mund të ndodhë që nervat që stimulojnë shfaqjen e valëve të jenë të cakorduara dhe si pasojë ushqimit t’i duhet më shumë kohë të tretet dhe përthithet.
- Hiperndjeshmëria – Mendohet që personat që vuajnë nga dispepsia funksionale të jenë më të ndjeshëm ndaj zgjerimit të stomakut nga ardhja e ushqimit në stomak dhe zorrë, dhe kjo gjë perceptohet nga individi si ndjesi fryrjeje edhe pas marrjes së sasive të pakta ushqimi.
- Prania e një bakteri që quhet Helicobacter Pylori. Mendohet që prania e tij pavarsisht se në këta pacientë nuk ka krijuar dëmtime të mukozës, të ndikojë në shfaqjen e simptomave.
- Ankthi dhe depresioni ose stresi, mendohet gjithashtu se ndikojnë në shfaqjen apo përkeqësimin e simptomave të lartpërmendura.
Çfarë ekzaminimesh duhet të kryhen:
Testet për të zbuluar praninë e Helicobacter Pylori, ku tre teste kanë më shumë vlerë për zbulimin e tij: urea breth test, analizë feçesh për të zbuluar praninë e antigenit, ose përmes biopsisë së mukozës së bërë gjatë gastroskopisë. Realizimi i gastroskopisë, ekografisë abdominale, ekzaminimeve laboratorike, pra përjashtimi i çrregullimeve në këto ekzaminime na drejton më pas drejt termit Dispepsi funksionale.
Trajtimi:
- Sigurimi i pacientit dhe shpjegimi që skemi të bëjmë me sëmundje serioze. I duhet shpjeguar që çrregullimet dhe ndjesitë që ka mund të shfaqen dhe të largohen në periudha të caktuara.
- Eliminimi i Helicobakter Pylori përmes mjekimit me antibiotikë dhe medikamente që ulin aciditetin e stomakut.
- Frenues të aciditetit të stomakut, mendohet që trajtimi me medikamente që ulin aciditetin si ranitidine dhe omeprazol, për një periudhë gati 1 mujore mund të ndihmojnë në largimin e simptomave.
- Ndryshimi i stilit të jetës (vakte të rregullta, ushqyerje pak dhe shpesh, eliminimi i ushqimeve të yndyrshme dhe ushqimeve që vetë pacienti i përcepton si të dëmshme, rënia në peshë te pacientët obesë, eliminimi i duhanit dhe alkoolit etj).
- Në disa raste pacientët mund të përfitojnë edhe nga mjekimi me antidepresivë me doza të vogla sikurse amitriptiline.
Megjithëse një problem shumë i shprehur, pak persona kërkojnë ndihmën e mjekut duke e nënvlerësuar si patologji./ Shendeti.com.al



