Çdo vit, më 4 shkurt, përkujtohet Dita Botërore e Kancerit, një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të promovuar veprimet e përbashkëta kundër kësaj sëmundjeje. ‘Kanceri’ është një term i përgjithshëm që përdoret për një grup me më shumë se 100 sëmundje, të cilat mund të prekin çdo pjesë të organizmit.
Rritja e numrit të të sëmurëve me kancer në Shqipëri
Në Shqipëri, numri i rasteve të të sëmurëve me kancer ka njohur një rritje të dukshme gjatë periudhës së fundit. Të dhënat nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe INSTAT tregojnë se kanceri po bëhet një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve dhe kërkon një vëmendje më të madhe nga sistemi shëndetësor dhe dhe instancat përgjegjëse.
Sipas të dhënave të përditësuara nga QSUNT, periudha 1 janar – 30 qershor 2024 ka parë një rritje të konsiderueshme të rasteve të shtruara në spitalin onkologjik. Gjatë kësaj periudhe, janë regjistruar 10,317 raste të shtruar, ndërsa 1,849 pacientë janë diagnostikuar për herë të parë me patologji tumorale. Këto shifra pasqyrojnë një rritje të kërkesës për trajtim onkologjik, duke reflektuar nevojën për një sistem shëndetësor më të fortë dhe më efikas.
INSTAT, në raportet e tij të fundit, ka njoftuar për një rritje të vdekjeve nga kanceri. Në vitin 2022, u regjistruan 3,233 vdekje nga kanceri, që përbën 13.5% të totalit të vdekjeve të raportuara në këtë vit, dhe 3,336 vdekje në vitin 2023, duke përfaqësuar 15.7% të vdekjeve totale. Ky trend i rritjes së vdekjeve nga kanceri është një shqetësim i madh për sistemin shëndetësor shqiptar.
Mungesa e infrastrukturës dhe sfidat e trajtimit
Shoqata Together For Life ka denoncur vazhdimisht përmes raporteve dhe zërit të pacientëve mungesën e infrastrukturës në spitalin Onkologjik dhe mungesën e mbulimit shëndetësor.
Spitalet dhe qendrat onkologjike në Shqipëri kanë mungesë pajisjesh moderne, teknologjish dhe mjetesh diagnostikuese, që janë thelbësore për trajtimin efektiv të pacientëve me kancer. Mungesa e pajisjeve të avancuara, si aparatët për radioterapi dhe analizat e sofistikuara laboratorike, i bën shumë të vështira trajtimet efektive për pacientët. Edhe në rastin kur pajisjet janë nuk vihen në punë, ose pacientët orientohen përmes skemave abuzive drejt spitaleve private.
Financimi për trajtimin e kancerit në Shqipëri mbetet një sfidë e madhe, si dhe mbulimi i kostove nga sigurimet shëndetësore. Edhe pse ka disa përpjekje për përmirësimin e mbulimit, shumë pacientë janë të detyruar të mbulojnë pjesën më të madhe të kostove nga xhepi i tyre.
Sipas drejtoreshës ekzekutive të TFL, Eglantina Bardhit, për ta adresuar një problem të tillë reforma në sistemin shëndetësor duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe duhet fillojë nga mbështetja buxhetore dhe zhdukja e korrupsionit.
Mungesa e sistemeve të mirëfillta të parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm ka bërë që shumë pacientë të paraqiten në faza të avancuara të sëmundjes, ku mundësitë e trajtimit janë më të kufizuara dhe më të shtrenjta.
Mospërputhja e të dhënave të Shqipërisë dhe OBSH-së
Një aspekt tjetër shqetësues është diferenca mes të dhënave të raportuara nga Shqipëria dhe ato të Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkimin mbi Kancerin të OBSH-së.
Sipas mjekut Alimehmeti, OBSH-ja ka raportuar për vitin 2022 një numër të ri rastesh të diagnostikuar me kancer në nivel global prej 8,019, ndërsa vdekjeve të atribuara kancerit në Shqipëri iu raportua një shifër më e ulët, 3,233, që është 34.6% më pak se sa realiteti që ka përllogaritur OBSH.Kjo ngre dyshime mbi mundësinë e nënraportimit të rasteve të kancerit në Shqipëri, çka mund të pengojë përpjekjet për trajtim të hershëm dhe parandalim. Mjekët dhe ekspertët theksojnë rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve diagnostikuese dhe trajtimit, duke përfshirë dhe edukimin e qytetarëve për rrezikun e kancerit dhe rëndësinë e ekzaminimeve të rregullta.
Në këtë kontekst, është e domosdoshme që autoritetet shëndetësore shqiptare të përmirësojnë sistemin e mbledhjes së të dhënave dhe të rrisin ndërgjegjësimin e popullsisë për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit.
Tema e re e Ditës Botërore të Kancerit 2025-2027 “United by Unique” i vendos njerëzit në qendër të kujdesit dhe historitë e tyre në qendër të bisedës.
Tema e këtij viti është United by Unique, një kujtesë për angazhimin kolektiv ndaj luftës kundër kancerit dhe rëndësinë e kujdesit të përqendruar te individi, duke e njohur çdo pacient si të veçantë dhe duke e mbështetur atë nëpërmjet bashkëpunimit mes ofruesve të kujdesit shëndetësor, familjeve, miqve dhe komunitetit.
Në vitin 2022, Rajoni i Azisë Juglindore të OBSH-së regjistroi 2.4 milionë raste të reja të kancerit, përfshirë 56,000 raste tek fëmijët dhe 1.5 milionë vdekje. Ky rajon ka shënuar numrin më të lartë të rasteve me kancer të buzëve dhe zgavrës me gojë, qafës së mitrës dhe kancerit të fëmijërisë. Parashikohet që deri në vitin 2050, rastet dhe vdekjet e reja të kancerit të rriten me 85% në këtë rajon.
Përkundër këtyre përparimeve, sfidat vazhdojnë. Mungesa e uniformitetit në përgjigjen ndaj kontrollit të kancerit midis vendeve është një problem kryesor. Disa plane kombëtare nuk janë të përputhshme me praktikat më të mira dhe kjo ka ndikuar në zbatimin e dobët të tyre. Policitë dhe udhëzimet për kontrollin e agjentëve shkaktarë të kancerit mbeten të pasiguruara në shumë shtete, ndërsa programet e parandalimit nuk janë zbatuar në mënyrë të plotë, duke shkaktuar raste të shmangshme. Ndërsa shumë shtete kanë bërë përpjekje për të përfshirë shërbimet e kancerit në paketat e kujdesit shëndetësor, ende ka shumë mangësi, përfshirë mbulimin e ulët të depistimit, si dhe diagnoza të vonuara që ndonjëherë i bëjnë trajtimet më të vështira dhe më të shtrenjta.
Ndër sfidat kryesore është gjithashtu mungesa e kapaciteteve për të menaxhuar barrën e rritur të kancerit, duke përfshirë regjistra funksionalë të kancerit dhe sisteme kombëtare mbikëqyrjeje që mbledhin të dhëna të nevojshme për raportime të rregullta.