Kryefaqja Lajm kryesor Dita Botërore e Osteoporozës/ Kujdesu për shëndetin e kockave

Dita Botërore e Osteoporozës/ Kujdesu për shëndetin e kockave

0
Shpërndaje

20 Tetor 2017, DitaBotërore e Osteoporozës

Kujdesuni për shëndetin e kockave tuaja! Mos lejoni që osteoporoza t’ju mposhtë!

Në mbarë botën, 1 në 3 gra dhe 1 në 5 burra mbi 50 vjeç pësojnë thyerje kockash nga osteoporoza.

Çfarë është osteoporoza?

Osteoporoza është një sëmundje gjatë së cilës densiteti i kockës dhe cilësia e saj reduktohet gradualisht duke e bërë më të thyeshme. Humbja e masës kockore ndodh në mënyrë të heshtur dhe graduale, shpesh pa simptoma deri sa ndodh fraktura e parë. Në shumë raste është ajo që evidenton osteoporozën, prandaj dhe është quajtur “epidemi e heshtur”.

Disa fakte botërore mbi osteoporozën

  1. Vlerësohet se mbi 200 milionë njerëz në mbarë botën janë prekur nga osteoporoza.
  2. Osteoporoza është përgjegjëse për shumicën e frakturave në njerëzit mbi 50 vjeç.
  3. Në mbarë botën, 1 në 3 gra dhe 1 në 5 meshkuj mbi moshën 50 vjeç do të pësojnë një thyerje kocke për shkak të osteoporozës.
  4. Te femrat mbi 45 vjeç, llogariten më shumë ditë qëndrimi në spital nga osteoporoza sesa nga sëmundje të tjera si infarkti, diabeti, kanceri i gjirit etj. Te meshkujt rreziku i thyerjeve nga osteoporoza është 27% më i lartë se rreziku nga kanceri i prostatës.
  5. Osteoporoza shkakton më tepër se 8.9 milionë fraktura në vit. Çdo tri sekonda ndodh një frakturë nga osteoporoza.
  6. 50% e njerëzve që kanë patur një thyerje kocke të mëparshme nga osteoporoza do të kenë një thyerje tjetër të kockave
  7. Thyerjet e kockave të legenit shkaktojnë sëmundshmëri të madhe me një nivel vdekshmërie 20-24% në vitin e parë pas frakturës.
  8. Thyerja e kockave të legenit mund të shkaktojë humbjen e funksionit dhe aftësisë për të vepruar vetë: 40% janë të paaftë të ecin në mënyrë të pavarur; 60% kërkojnë ndihmë një vit më vonë mbas frakturës; 33% bëhen totalisht të varur nga të tjerët pas një viti
  9. Vetëm në Bashkimin Evropian kostoja e frakturave të tilla është mbi 37 bilionë euro çdo vit, dhe pritet të rritet me 25% në vitin 2025.
  10. Shumica e pacientëve me thyerje për shkak të osteoporozës nuk vlerësohen dhe as trajtohen nga sistemi i kujdesit shëndetësor. 80% e njerëzve që kanë patur së paku një thyerje nga osteoporoza kanë qenë të padiagnostikuar apo të patrajtuar për osteoporozë. Vetëm 40% e personave që trajtohen për një kohë të gjatë me kortizonikë dhe që janë në rrezik të lartë për thyerje nga osteoporoza, janë testuar apo janë trajtuar për osteoporozën.
  11. Urbanizimi dhe plakja e popullsisë po çojnë në rritje të shpejtë të barrës së sëmundshmërisë prej osteoporozës.
  12. Deri në vitin 2050 është parashikuar që incidenca e thyerjeve të kockave të legenit nga osteoporoza në të gjithë botën të rritet me 310% te meshkuj dhe 240% te femrat.

Kush mund të preket nga osteoporoza?

Osteoporoza prek femrat dhe meshkujt. Shpesh osteoporoza mendohet si sëmundje e femrave, por ajo prek miliona meshkuj anembanë botës. Rreziku i frakturave te meshkujt është më i madh se rreziku i zhvillimit të kancerit të prostatës. Frakturat janë më të pakta te meshkujt, por kur ato ndodhin kanë një nivel më të lartë paaftësie e vdekshmërie sesa te femrat. Shumica e tyre madje as janë identifikuar apo trajtuar për këtë sëmundje “të heshtur”, edhe pasi ata kanë pasur një frakturë/thyerje.

Disa faktorë duket se shtojnë rrezikun për osteoporozë.

Faktorë rreziku të pandryshueshëm

  • Mosha- humbja e indit kockor në përgjithësi fillon pas moshës 40-50 vjeç, atëherë kur organizmi ynë nuk është në gjendje të zëvendësojë indin kockor me të njëjtin ritëm me të cilin e humbet atë. Kështu me rritjen e moshës rreziku për osteoporozë rritet.
  • Gjinia-gratë në mënyrë të veçantë, sidomos mbas menopauzës, janë më të rrezikuara për osteoporozë. Ndryshimet hormonale të cilat ndodhin në menopauzë janë një nga arsyet pse femrat janë në rrezik më të lartë për osteoporozë sesa meshkujt.
  • Histori familjare (familjarë të afërt sidomos prindërit) me osteoporozë ose thyerje që rezultojnë pas një goditjeje apo rënieje fare të vogla tregojnë rrezik për osteoporozë.
  • Një frakturë e mëparshme fare pa shkak rrit rrezikun për një frakturë tjetër gati 2 herë.
  • Menopauza-gratë në menopauzë duhet të jenë më vigjilente për shëndetin e kockave të tyre.
  • Hypogonadizmi te meshkujt-ashtu si deficiti i hormoneve estrogen te femrat në menopauzë, deficiti i androgeneve te meshkujt rrit rrezikun për osteoporozë.
  • Përdorimi për një kohë të gjatë i disa medikamenteve si: kortizonikë, hormone të tiroides, atiepileptikë, citostatikë, etj.
  • Artriti reumatoid dhe disa sëmundje kronike si malabsorbimi, sëmundje kronike të mëlçisë, hyperthyroidismi, etj.

Megjithëse faktorët e mësipërm nuk mund të ndryshohen, njerëzit duhet të jenë në dijeni të tyre në mënyrë që të marrin masa për të reduktuar humbjen e masës kockore sa më shpejt të jetë e mundur. Për parandalimin dhe menaxhimin e osteoporozës është e rëndësishme që njerëzit të njohin faktorët e rrezikut individual.

Faktorë rreziku të modifikueshëm

Disa prej faktorëve rrezikues për osteoporozën mund të mbahen nën kontroll, pra janë të modifikueshëm. Këta faktorë përfshijnë:

  • Konsumin e lartë të alkoolit– njerëzit që pinë më shumë se 2 njësi në ditë alkool rrisin deri 40% rrezikun për frakturë nga osteoporoza.
  • Pirjen e duhanit-studimet tregojnë se ata që pinë duhan janë më të rrezikuar se ata që nuk pinë.
  • Indeksin e ulët të masës trupore – nëse < 19-20kg/m2, kjo është e lidhur me humbjen e masës kockore dhe rritjen e rrezikut për fraktura.
  • Ushqyerjen e varfër me kalcium dhe proteina, e cila rrit rrezikun për osteoporozë.
  • Marrjen e paktë/deficiti në vitaminë D – vitamina D është esenciale sepse ndihmon në përthithjen e kalciumit në gjak.
  • Aktivitetin e paktë fizik– njerëzit që bëjnë jetë sedentare kanë më tepër mundësi për fraktura. P.sh. femrat të cilat rrinë ulur për më tepër se 9 orë në ditë kanë 50% më tepër mundësi për fraktura të legenit sesa ato që rrinë ulur më pak se 6 orë.

Cilat janë shenjat e osteoporozës?

Duke qenë se humbja e masës kockore gjatë osteoporozës ndodh gradualisht dhe është e padhimbshme, ajo nuk ka simptoma të dukshme që tregojnë se një person është duke zhvilluar osteoporozën. Për këtë arsye osteoporoza quhet “epidemi apo sëmundje e heshtur”. Megjithatë, disa shenja si dhimbja e lehtë, reduktimi i gjatësisë trupore me disa cm apo frakturat mund të jenë të lidhura me osteoporozën. Shpesh shenja e parë e osteoporozës është fraktura/thyerja e kockës.

Një pjesë e mirë e rasteve janë fare pa shenja dhe osteoporoza konstatohet rastësisht mbas kryerjes së një testi të matjes së dendësitetit kockor.

Si diagnostikohet osteoporoza?

Për vendosjen e diagnozës rekomandohet kryerja e testit të matjes së dendësitetit kockor (BMD test). Një numër testesh të ndryshme për matjen e densitetit kockor janë në dispozicion, ndër të cilat DXA, një rrezatim me doza të ulëta me rreze X. Të gjithë individët mbi 50 vjeç, veçanërisht gratë në menopauzë, dhe ata të cilët kanë një faktor rreziku duhet të bëjnë matjen e densitetit kockor.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar vlerat referencë që rrjedhin nga matjet e densitetit kockor: Kur BMD testi i një personi është – 2.5 ose më i ulët, atëherë vendoset diagnoza osteoporozë.

5 . Si mund të parandalohet osteoporoza?

Pas moshës 20 vjeç, hollimi i kockave është një proces natyral i cili nuk mund të ndalet plotësisht, prandaj ndërgjegjësimi për osteoporozën duhet të fillojë që në moshë të re.

Mënyra më e mirë për të parandaluar dobësimin e kockave është fillimi i aktivitetit fizik dhe ushqyerja e shëndetshme që në fëmijëri, dhe ruajtja e këtyre zakoneve dhe në moshë të rritur.

Kryerja e ushtrimeve të rregullta fizike luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe mbajtjen e masës kockore. Ushtrimet janë individuale, por përgjithësisht shumica e njerëzve kanë nevojë për 30-40 minuta aktivitet fizik, 3 deri 4 herë në javë.

Marrja e kalciumit në sasi të mjaftueshme-sasia e kalciumit që duhet të konsumojmë ndryshon në stade të ndryshme të jetës. Kërkesat për kalcium janë të larta në vitet e adoleshencës. Me kalimin e moshës aftësia e trupit për të absorbuar kalcium ulet. Ushqimet e pasura me kalcium janë: qumështi e produktet e tij, perimet jeshile si brokoli, lakra jeshile, disa fruta si portokalli, kajsia, fiqtë e thatë, peshku i konservuar, sardelet, arrat, bajamet, drithërat, lëngjet e frutave, etj.

Vitamina D është gjithashtu esencilale për absorbimin e kalciumit. Ekspozimi për 15 minuta në ditë në diell i duarve, krahëve dhe fytyrës, është zakonisht i mjaftueshëm për prodhimin e vitaminës D për shumicën e njerëzve. Vitamina D mund të sigurohet edhe nga ushqimet dhe suplementët. Ushqime të pasura me vitaminë D janë vaji i peshkut, veza, mëlçia, drithërat, etj.

Ndjekja e një stili të shëndetshëm jetese është pjesë e kujdesit për kocka të shëndetshme. Mënjanimi i duhanpirjes, pirja e moderuar e alkoolit dhe mbajtja e peshës trupore brenda kufijve të normës, janë disa faktorë të rëndësishëm. Kafeina dhe kripa mund të rrisin humbjen e kalciumit nga trupi, prandaj nuk duhet të merren në sasi të tepërta. Alkooli duhet gjithashtu të merret në sasi të moderuar. Megjithëse nuk ka të dhëna bindëse që tregojnë se pijet e gazuara joalkoolike (p.sh. pijet cola) dobësojnë kockat, nuk duhet tepruar me to.

Ndërgjegjësimi për faktorët e rrezikut. Çdo njeri duhet të jetë i vetëdijshëm për çdo faktor rreziku personal që mund të ndikojë në shëndetin e kockave, dhe të konsultohet me mjekun nëse është në rrezik.

Cilat janë trajtimet për osteoporozën ?

Në varësi nga rezultatet e testit të densitetit kockor, mjeku mund të japë medikamente dhe suplementë për të parandaluar humbjen e masës kockore. Një mjekim i përshtatshëm i kombinuar me ndryshime të stilit të jetesës mund të shmangë shumë nga frakturat.

Trajtimi i osteoporozës është efektiv vetëm nëse merret ashtu siç rekomandohet nga mjeku.

Trajtimi i osteoporozës zgjat për periudha të gjata kohore, prandaj për shumë njerëz nuk është i këndshëm. Por kjo nuk duhet të jetë arsye për ta ndërprerë mjekimin.

Krahas mjekimit, marrja e mjaftueshme e kalciumit dhe vitaminës D është e domosdoshme mbasi ndihmon për të siguruar efektivitetin maksimal të mjekimit me medikamente.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here