Dita Botërore e Turbekulozit: ‘Të bashkuar për t’i dhënë fund turbekulozit – askush të mos harrohet’

Dita Botërore e Turbekulozit shënohet çdo vit në 24 mars si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me sëmundjen e TB-së, si dhe të nxjerrë në pah të gjitha përpjekjet për parandalimin dhe kontrollin e TB-së.

Është gjithashtu një mundësi për të mobilizuar komunitetin politik dhe social për t’i dhënë fund turbekulozit.

Tema e vitit 2017 është: ‘Të bashkuar për t’i dhënë fund turbekulozit – askush të mos harrohet’

2017 është viti i dytë i fushatës “Të bashkuar për t’i dhënë fund turbekulozit” për Ditën Botërore të Turbekulozit.

Vitin e kaluar, OBSH raportoi se 10.4 milionë njerëz janë të prekur nga turbekulozi. Në vitin 2015, tuberkulozi i mori jetën 1.8 milionë njerëzve, duke u renditur si vrasësi numër 1 në të gjithë botën. Sëmundja është e përhapur sidomos në popuj ku të drejtat e njeriut dhe dinjiteti është i ulët. Sëmundja rrezikon më shumë popujt që jetojnë në varfëri, komunitetet dhe grupe që janë të margjinalizuar etj.

Këtu bëjnë pjesë emigrantët, refugjatët, minoritetet etnike, të moshuarit etj.

Të dhënat e TB-së në Shqipëri për vitin 2016

  • Situata epidemiologjike e TB-së gjatë 10 viteve të fundit është përmirësuar vazhdimisht dhe të gjithë treguesit kryesorë epidemiologjikë flasin për një situatë të stabilizuar dhe në përmirësim. Keto 3 vitet e fundit, situata e TB-së karakterizohet me një Incidencë të qëndrueshme të TB-së: 14.5 për 100 000 banorë. Incidenca e TB-së për vitin 2016 (14.4 raste të reja për 100,000 banorë), dhe vendi ynë konsiderohet si vend me incidencë të ulët krahasuar dhe me vendet e rajonit. Kemi numër të pakët të recidivave TB (nën 4%), rezistencë të ulët bakteriale (1.1%), mortalitet të ulët (rreth 0.5 për 100,000 banorë) dhe rezultate të larta mjekimi (mbi 88%).
  • Gjatë vitit 2016 janë raportuar 407 raste me TB, nga të cilat (96%) raste të reja dhe (4%) të ritrajtuar.
  • Grupmoshat më të prekura janë 15-24 vjeç (20%), 25-34 vjeç (19%), mbi 65 vjeç (23 %). Raste pulmonare në total janë 290 (71%), nga të cilat 200 (49%) janë meshkuj dhe 90 (22%) janë femra.
  • Raste ekstrapulmonare në total janë 117 (29%), nga të cilat, 78 (19%) janë meshkuj dhe 39 (10%) janë femra. Nga shpërndarja sipas zonave, urban dhe rural, vihet re qartësisht se 60% e pacientëve janë në zonat urbane dhe 40 nga zonat rurale.
  • Raporti meshkuj/femra vazhdon të jetë: 2:1.
  • Grupet e riskut zënë rreth 20% të rasteve me Tuberkuloz.
  • Rastet me TB të testuar për HIV/AIDS janë rreth 60% e pacientëve me Tuberkuloz.
  • Në lidhje me rezultatet e ekzaminimit bakteriologjik për vitin 2016, sputum pozitiv: 70% të rasteve pulmonare. Përqindja e rasteve me sputum pozitiv është mjaft e lartë, duke reflektuar njëkohësisht punën e mirë të laboratorëve ne rrethe dhe të Laboratorit të Referencës pranë spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”.
  • Strategjia DOTS (Strategjia e Mjekimit Standard nën Mbikëqyrje për Kohë të shkurtër) zbatohet në të gjithë vendin. Shqipëria ka filluar implementimin e DOTS në vitin 2001 në dy rrethe pilot, dhe në vitin 2009 ka realizuar implementimin 100% në të gjithë elementet kryesorë të strategjisë DOTS në të gjithë vendin.
  • Sistemi i raportimit dhe regjistrimit bazohet në të dhëna të agreguara dhe individuale e në përputhje me kërkesat e EuroTB dhe OBSH-së. Ndryshoret (variables) e regjistruara dhe të përdorura janë të përshtatshme për monitorimin e performancës së kontrollit të TB-së dhe strategjisë DOTS.
  • Masat e kontrollit të infeksionit ndaj TB-së kanë filluar të përforcohen edhe në rrethe, sidomos tani që ka filluar trajtimi i të sëmurëve më TB në spitalet e rretheve ku më parë trajtoheshin vetëm në Tiranë, Shkodër dhe Korçë.
  • Pacientët me MDR-TB (Rezistencë Bakteriale dhe Medikale ndaj TB-së) prej 3 vjetësh trajtohen në Kosovë në bazë të një marrëveshjeje midis Ministrive të Shëndetësisë të të dyja vendeve.
  • Gjatë vitit 2017, këta pacientë me MDR-TB do të trajtohen në vendin tonë, pasi me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit Global (GF – Global Fund) do të ndërtohet klinika e specializuar e trajtimit të pacientëve me MDR-TB pranë Spitalit Universitar të Tiranës (SUT) “Shefqet Ndroqi”.
  • Spitali Universitar i Tiranës (SUT) “Shefqet Ndroqi”, është institucioni kryesor në luftën kundër TB-së dhe pjesë përbërëse e këtij spitali janë PKTB dhe Laboratori Kombëtar i Referencës për TB-në (LKRTB).https://shendeti.com.al/

 

Postime të ngjashme

Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu
Rimbursimi në mars, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti përhapje në masë
Helmohen 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU