Denisa Canameti
Personeli i QSUT-së është pajisur me kartë që i lejon ata që të hyjnë në pavion, si dhe të përdorin ashensorin. Këtë mundësi nuk do mund ta kenë më pacientët.
Prej disa ditësh pavionet janë pajisur me një sistem elektronik ku mund të hyjë vetëm personeli mjekësor. Kjo zgjedhje/zgjidhje ka lehtësuar punën e sanitareve të cilat bënin rolin e rojes tek dera e pavionit. Veç të tjerash duket se janë shmangur edhe konfliktet e përditshme midis pacientëve dhe sanitareve/roje.
Problem mbetet ashensori. Godina me 6 kate është thuajse e pamundur që të merret në këmbë nga pacientë të cilët kanë probleme të rënda shëndetësore. Sot në këtë pavion vumë re praninë e shumë pacientëve me paterica, të cilët vuanin për të ngjitur dhe zbritur shkallët e spitalit.
Të interesuar pranë administratës së QSUT-së lidhur me mundësitë që janë menduar për pacientët që kanë nevojë për ashensor, burimet zyrtare për “Shëndet+” u shprehën se është menduar një zgjidhje edhe për ta.
“Pacientët që kanë nevojë për ashensorin, do të ndihmohen nga roja e përgjithshme që gjendet në katin e parë i cili gjithashtu është i pajisur me kartë. Ndërsa pacientët e hospitalizuar do të shoqërohen nga personeli mjekësor”, thanë burimet.
Kjo zgjidhje sigurisht që mbetet për t’u diskutuar nëse do të funksionojë. Nga një vëzhgim i parë në terren duket se kjo nismë nuk është pritur aspak mirë nga pacientët, të cilët jo vetëm që nuk shoqërohen nga roja, por duhet të përplasen me turmën shkallëve të spitalit.
Fotoja e realizuar sot tregon edhe mundimin e një pacienteje me shkop, e cila ngjit shkallët e 6-katëshit.



