Kryefaqja Shendeti a-z A Djalë apo vajzë, prindërimi nuk vlerësohet nga gjinia

Djalë apo vajzë, prindërimi nuk vlerësohet nga gjinia

0
Shpërndaje

**Ky artikull botohet në kuadër të projektit “Forcimi i demokracisë në kujdesin shëndetësor duke respektuar të drejtat e njeriut”, realizuar nga Shoqata Together for Life dhe mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. 

Bisedoi: Elona Tereziu

Megjithëse statistikat flasin për një rritje të numrit të çifteve infertil, ku pamundësia për të konceptuar një shtatzëni detyron shumë e shumë çifte për muaj e vite me radhë të bëjnë përpjekjet maksimale, deri në ato ekonomike, vetëm e vetëm për të pasur një fëmijë, për të tjerë duket se ndjesia e prindërimit vazhdon të varet nga gjinia. 

Lindita Myzyri, mjeke gjinekologe pranë Qendrës Shëndetësore Nr.3, Tiranë, tregon për gazetën “Shëndet+” se megjithëse ky fenomen vazhdon të ekzistojë edhe sot, mentaliteti i përzgjedhjes së gjinisë së fëmijës duket se ka ndryshuar dukshëm vitet e fundit, ku tashmë çiftet nuk kërkojnë më vajzë apo djalë, por mjafton që fëmija të jetë i shëndetshëm. Megjithatë pranon se situata nuk duket të jetë dhe aq e mirë për shkak se abortet, kryesisht ato për shkak të gjinisë, kryhen në klinika private, nuk raportohen dhe për rrjedhojë nuk mund të kemi dhe një statistikë të saktë.

Ndërkohë që rrëfen se në eksperiencën e saj shumëvjeçare i është dashur të përballet vetëm me një rast të vetëm të abortit selektiv, ku në emër të krenarisë burrërore, bashkëshorti e kërcënon mjeken me jetë nëse gruaja e tij do të të lindte vajzë.

Çfarë do të kuptojmë me abort?

Aborti paraqet ndërprerjen e shtatëzënisë nga java e parë deri në javën e 24 të barrës, mbi këtë javë nuk kemi të bëjmë më me abort, por lindje të parakohshme ose prematur.

Koha legale që shteti shqiptarë e lejon kryerjen e abortit është deri në javën e 12 të shtatzënisë. Nëse brenda kësaj kohe femra e cila ka mbetur shtatzënë nuk e dëshiron këtë fëmijë, ka të drejtë ta abortojë dhe kjo bëhet vetëm në maternitet, ku ka salla operacioni dhe reanimator, për çdo komplikacion të mundshëm. Mbi javën e 12, nga ana ligjore aborti kryhet vetëm në ato raste kur femra ka probleme shëndetësore/rrezikohet jeta e nënës, por dhe në këtë rast mblidhet një komision i posaçëm, i cili përcakton nëse embrioni/ fetusi duhet hequr ose jo.

Llojet e aborteve:

  • Abort imminent (karakterizohet nga dhimbjet në fundin e barkut dhe hemorragji e lehtë).
  • Abort incipient (është atëherë kur veç dhimbjes në fundin e barkut, femra ndjen dhimbje mesi, ka sekrecione hemorragjike në formë kafe, por tashmë edhe qafa e mitrës ka filluar të hapet).
  • Abort inkomplet (quhet atëherë kur një pjesë e fetusit ka filluar të dalë. Në këtë rast, në mënyrë të menjëhershme kërkohet ndërhyrja e mjekut për t’u hequr edhe pjesa tjetër e fetusit).
  • Abort komplet (quhet atëherë kur ka rënë e gjithë pjesa e embrionit apo e fetusit).
  • Abort medicinal/mjekësor dhe abort selektiv.

Çfarë është aborti selektiv?

Abort selektiv do të thotë atëherë kur gruaja që është shtatzënë merr vesh gjininë e bebit (vajzë apo djalë), nuk e ka ashtu si e dëshiron dhe bën heqjen e fëmijës. Ajo që është për t’u theksuar është se para dy vitesh është bërë një raport dhe ne kemi dalë në vendin e parë sa i përket aborteve selektive.

Unë mendoj se kjo vjen për dy arsye:

  1. E para është mentaliteti. Akoma është (gjithë bota e ka, por ne e kemi akoma më të theksuar) mentaliteti që duam djalë, djalë, djalë dhe nëse nuk është djalë e detyrojnë partneren e tyre/ gruan e tyre për ta hequr atë fëmijë.
  2. E dyta, në ato raste ku në familje ka disa vajza dhe gruaja pret përsëri vajzë, bën abort selektiv.

Çfarë roli luan të treguarit e gjinisë gjatë barrës?

Për mua të treguarit e gjinisë luan rol negativ në abortin selektiv, në mënyrë të veçantë në ato raste kur ti je përballur me atë grua shtatzënë, e njeh dhe ke një anamnezë të plotë të saj, di se sa fëmijë ka dhe se çfarë i ka. Nëse do të shohim në eko morfologjike e cila bëhet nga java 21-22-23 e barrës, bebi është krijuar i gjithi dhe është një tmerr të abortosh, marrësh jetën e një fëmije në këtë fazë të barrës. Nga ana tjetër, nuk është aspak e shëndetshme për nënën, qoftë nga ana shëndetësore, qoftë psikologjike, plus kostos ekonomike, pasi siç e thamë në krye të herës, ligji nuk e lejon kryerjen e aborteve mbi javën e 12, por gjinia shikohet më shumë se sa kjo moshë barre, çka do të thotë që abortet bëhen në një moshë më të madhe, në mënyrë të paligjshme dhe aty këtu nëpër klinika private, çka do të thotë se dhe problemet shëndetësore mund të jenë më të mëdha. Nëse do të kërkonim një statistikë, nuk do të gjenim asnjëherë se sa është shifra reale e aborteve selektive. Pikërisht për këtë arsye, sepse nuk lejohen ligjërisht, abortet kryhen sa andej këtej nëpër klinika private.

Nëse do të bënim një krahasim me vitet e mëparshme, a mund të themi se numri i aborteve ka ardhur në ulje?

Sa i përket aborteve selektive, ne nuk kemi një statistikë të saktë, por që mendoj se kemi ardhur në ulje dhe kjo për disa arsye:

  • E para, është ligji i cili e lejon deri në javën e 12.
  • E dyta, është futja e metodave të ndryshme të planifikimit familjarë, që i ndihmon gratë të mbeten shtatzënë vetëm atëherë kur dëshirojnë.
  • E treta, është informimi në përgjithësi. Në konsultoren e gruas bëhet shumë punë.

Të gjithë këta tregues kanë bërë që të ulet numri i aborteve, jo se jemi mirë, dua ta ritheksoj këtë, një pjesë e mirë e aborteve, selektive ose jo, bëhen në klinika private dhe nuk raportohen.

Nëse gruaja ime lind vajzë, unë do të të vras…!

Në sa raste ju është dashur të përballeni gjatë eksperiencës tuaj me abortin selektiv?

Unë kam pasur vetëm një rast, por, pa dashur ta dekonspiroj, nuk do futem shumë në detaje, kush ishte, nga ishte. Rasti ishte i tillë: Çifti kishte shtatzëninë e parë dhe bashkëshorti njëherë prej herësh kur e shoqëroi sepse do të hap një parantezë këtu, mua më pëlqen që kur gratë shtatzëna vijnë për kontroll të jenë të shoqëruara me partnerin, me qëllim që partneri t’i dëgjojë të gjitha këshillat dhe ta suportoj më mirë zonjën e tij, ose në ato rastet kur jeton me familjen, të jenë të shoqëruara nga vjehrra.

Burri i zonjës që kisha shtatzënë donte me çdo kusht djalë dhe arriti deri aty sa më vuri pistoletën tek koka dhe më tha. “Nëse gruaja ime nuk bën djalë, unë ty do të të vras”. Absolutisht ruajta qetësinë, i thashë ulu, e pyeta nga je, më tregoi. I thashë: More djalë, të pyes për një gjë, je nga fshati apo nga qyteti, se dua të bëj një pyetje të dytë. Më tha nga fshati. I thashë ke mbjellë ndonjëherë misër apo grurë?” Më tha ç’të duhet ty me nerva. I thashë ke mbjellë ndonjëherë grurë dhe të doli misër apo ke mbjellë misër dhe të doli grurë?!

Jo tha, ç’është kjo që thua! E kështu është dhe kjo punë i thashë. Çfarë ke mbjellë ti tek zonja jote, atë do të lindë ajo. Faleminderit Perëndisë iu plotësua dëshira, lindi djalë dhe erdhi gjithë kënaqësi këtu pastaj.

Po sot, djalë apo vajzë, çfarë kërkojnë më shumë çiftet ?

Në përgjithësi ka ndryshuar shumë mentaliteti, të paktën këtu tek unë nuk më thonë më vajzë apo djalë, por çfarë të jetë, vetëm të jetë i shëndetshëm. Këtu luan rol mendoj edhe futja e shumë ekzaminimeve vitet e fundit. Bisedat që bëjnë njëra me tjetrën gratë, dhe thonë mua më doli kështu kjo analizë, mua më doli ashtu, për problematika të ndryshme, “i fut frikën” dhe thonë o Zot të jetë çfarë të dojë, vajzë apo djalë, vetëm të jetë i shëndetshëm. Madje unë i provokoj shpeshherë gratë dhe iu them: Çfarë e ke? Çfarë e do, djalë apo vajzë? Aman doktoresha më thonë, vetëm të jetë i shëndetshëm se kam dëgjuar kështu e ashtu për X rast. Mirëpo kjo, ashtu si ka anën pozitive, ka dhe anën negative, pasi i dëmton nga ana emocionale, fillojnë dhe frikësohen dhe mendja u përpunon keq në drejtim të shtatzënisë. Reagon vetë shtatzënia, fillojnë të kenë probleme, tkurret mitra dhe bebi fillon e lëviz me shpejtësi, sepse, siç dihet, bebi merr çdo lloj sinjali nga nëna që në tremujorin e parë nëpërmjet valëve ultratinguj. Kështu që çdo reagim, pozitiv apo negativ qoftë, nëna ia përcjell automatikisht bebit.

Cili është roli i mjekut gjinekolog në drejtim të informimit?

Është i pazëvendësueshëm. Është shumë e rëndësishme që  në takimin e parë me femrën shtatzënë mjeku obstetër-gjinekolog ta këshillojë për çdo gjë dhe gjithçka. Secili tremujor ka specifikat e veta dhe kërkon këshilla të veçanta. Nga eksperienca ime, me gruan shtatzënë është shumë e rëndësishme dhe mënyra e qëndrimit të mjekut. Gruaja shtatzënë të shikon në sy kur bën pyetje dhe pa shprehur asnjë fjalë, e merr mesazhin nga mimika. Duhet pasur parasysh që jo gjithmonë përballemi me femra me fakultet, dhe ti si mjek mund të flasësh gjithë ditën, por nëse gruaja shtatzënë nuk të ka kuptuar, nuk ka asnjë vlerë. Prandaj është shumë e rëndësishme dhe gjetja e gjuhës së përbashkët, sa më thjeshtë, aq më mirë.

Sa rëndësi ka gjinia kur bëhet fjalë për një jetë?

Për mua personalisht nuk ka rëndësi fare, po fare, fare gjinia. E mendoj si femër, e mendoj si grua, e mendoj si gjinekologe. Për mua shumë e rëndësishme është vitaliteti, shëndeti i krijesës. Jetojmë në një botë ku rrisqet për të mbetur shtatzënë po apo jo janë rritur. Jetojmë në një botë ku ka mjaft çifte që bëjnë përpjekjet maksimale, deri në ato ekonomike, i nënshtrohen lloj-lloj ekzaminimesh, bëjnë in vitro për një bebe që se kanë. Dhe nuk ka fare rëndësi nëse do lindin vajzë apo djalë, por kërkojnë e kërkojnë me  muaj e me vite vetëm për të pasur një fëmijë. Të qenët nënë apo baba, apo përjetimi i ndjesisë së prindërimit, nuk vlerësohet kurrsesi nga gjinia, është vajzë apo djalë.

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here