“Djepi i engjëjve”, strehëza që ka mirëpritur 700 foshnja të braktisura

Bisedoi: Elona Tereziu

“Nuk u mungon dashuria, por cila dashuri mund ta zëvendësojë atë të nënës?!”… e megjithatë nuk na takon ne të gjykojmë.

Kështu e nis rrëfimin e saj punonjësja sociale e “shtëpizës” më të ëmbël në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, Mira Asllani. “Djepi i engjëjve” është bërë mbështetje për 700 nëna e po aq foshnja të braktisura që nga themelimi i saj në vitin 1995.

Vetëm në vitin që lamë pas (2016) në këtë qendër janë braktisur 21 foshnja, ndërkohë që nga janari i 2017-s janë braktisur edhe 7 të tjerë.

Megjithatë, punonjësja sociale, Mira Asllani, tregon se nënat mund të rikthehen për t’i marrë, madje ka pasur edhe raste, gjersa gjykata i heq mëmësinë.

Teksa përmend arsyet kryesore të braktisjes (fëmijë jashtë martese) ajo thekson dhe kategorinë e moshës e cila rezulton të jetë ajo mes 15-25 vjeç.

Ndërkohë që Spiro Dama, shef i shërbimit të pediatrisë në këtë maternitet, thekson se përkujdesja shëndetësore që marrin fëmijët gjatë qëndrimit në këtë qendër është maksimale. Këtë e faktojnë dhe statistikat mbi vdekshmërinë foshnjore që në këtë qendër rezultojnë të jenë zero që nga krijimi i saj.

Sa fëmijë janë aktualisht në këtë qendër?

Që nga janari i vitit 2017 gjer tani që po flasim, në këtë qendër kanë “qarkulluar” 7 foshnja, tre i kemi lëvizur (të fundit këtë të premte), pra aktualisht janë vetëm katër, dy vajza dhe dy djem.

Sa kohë qëndrojnë fëmijët këtu para kalimit në jetimore?

Varet nga rasti. Në momentin që bën dokumentacionin dhe e dërgon në shërbim social, duhet të merren parasysh shumë gjëra, duke nisur që nga shëndeti i fëmijës, deri në regjistrimin e tij, pra është mbledhja ajo që vendos. Por në përgjithësi një tremujorësh e kalojnë këtu. Kemi pasur raste që i kemi lëvizur më shpejt, kemi pasur raste që i kemi lëvizur dhe më vonë, gjithçka varet nga procedurat.

Cilat janë arsyet më të shpesht që nënat i braktisin foshnjat e tyre?

Në përgjithësi bëhet fjalë për fëmijë të lindur jashtë martese. Nënat janë vajza të reja, janë  studente, nuk ua di familja dhe partnerët i kanë braktisur. Megjithatë, nuk mund të përjashtohen dhe rastet kur i braktisin për arsye ekonomike, ndonëse se raste shumë të rralla.

Moshat janë kryesisht të reja duke nisur nga 15-25 vjeç, por nuk mungojnë as nënat në moshë të madhe, kemi pasur edhe 39-41 vjeç.

A ka nëna që i braktisin dhe kthehen për t’i marrë?

Për aq kohë sa fëmija nuk është deklaruar i braktisur në gjykatë, nëna është gjithmonë e mirëpritur të kthehet dhe ta marrë ashtu sikurse është e lirë të vijë dhe ta vizitojë përgjatë 24 orëve në ditë.

Ne e nisëm 2017-n me një rast të tillë. Ia dinte familja, por kishte një thyerje me partnerin e saj. E la vetëm 2-3 ditë dhe u kthye dhe e mori. Dhe pikërisht këto raste (kur e di familja) janë më të suksesshme për t’u bashkuar, ndërkohë që kur s’e di familja janë më të suksesshme për birësim.

Në ç’rast e humbet nëna mëmësinë?

Në momentin që nëna e lë fëmijën këtu, asaj i merret identiteti dhe të gjitha të dhënat përkatëse, ku dhe i bëhet e ditur se ditën që do të caktohet gjyqi për deklarimin ose jo të fëmiës si i braktisur, duhet të jetë e pranishme në sallë.

I lexohet i gjithë dokumentacioni përkatës dhe pyetet nëse ende i qëndron deklaratës noteriale që ka dhënë se nuk do të interesohem për këtë fëmijë. Nëse nëna i qëndron vendimit të saj të parë, gjykata e deklaron fëmijën të braktisur dhe të lirë për birësim, ndëkohë që nënës i hiqet mëmësia dhe çdo e drejtë mbi atë fëmijë.

Në momentin që një nënë vjen me një foshnjë në krah…dua ta braktis për x arsye.. Çfarë i thoni, a merr ajo një këshillim psikologjik?

Një femër pas lindjes duhet trajtuar me shumë kujdes. Veç dhimbjes fizike, ajo është e dërrmuar dhe psikologjikisht. Ne “studiojmë” rastin duke e pyetur me kujdes, duke parë sa dhimbje ajo ka. Nëse rezulton se ka “mbështetje”, ia di familja, ne këmbëngulim, por nëse nuk ka asnjëri afër, nuk ka një mbështetje, nuk ka një punë, nuk ka një ambjent të mirëpritur, çfarë mund të bëjë ajo e vetme?! Madje, mund të jetë dhe e rrezikshme si për të, ashtu dhe për bebin, pasi siç dihet lehona e ka riskun për depresion pas shtatzënisë.

Vërtet flasim këshillim… këshillim, por ndonjëherë këshillimi nuk është gjëja e duhur. Nëse një nënë vendos ta marrë fëmijën e saj, ajo do ta gëzoj, nëse e braktis, përsëri ajo do ta vuajë. Ne nuk kemi të drejtë të gjykojmë dhe ndikojmë në vendimmarrjen e saj!

Unë u them: pavarëse se nuk ke mundësi për ta marrë, po ikën në shtëpi dhe fëmijën po e lë tek ne, ai fëmijë vazhdon të jetë yti dhe do të jetë derisa gjykata t’i heqë mëmësinë. Nëse e shikoj që është e lëkundur, atëherë i them: gjersa gjykata të thërrasë, ti do të lëvizësh çdo gurë!

A e marrin fëmijët e kësaj qendre kujdesin e duhur shëndetësor?

Fëmijët këtu janë në kujdes të vazhdueshëm. Të gjithëve u bëhet epikriza, duke përfshirë të gjitha analizat e nevojshme (gjak,  urinë, hepatit, sidë, etj), nëse ka ndonjë dyshim, ne i drejtojmë për tek mjeku  specialist.

Treguesi më kryesor i gjithë kësaj pune në këtë kontigjent fëmijësh të braktisur, është fakti që vdekshmëria rezulton të jetë zero. Që nga krijimi i kësaj qendre ne nuk na ka vdekur për arsye shëndetësore asnjë fëmijë./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

4 zakone të përditshme për të shmangur ftohjet dhe gripin
Çfarë e shkakton migrenën
Studimi: Ecja 4,000 hapave një herë në javë, zvogëlon rrezikun e vdekjes së parakohshme te të moshuarit
Bie numri i përfituesve të barnave të rimbursueshme, 1 vit pas zgjerimit të listës
Studimi: Këto janë 6 llojet e kancerit që po përhapen te të rinjtë
Nga shtimi në peshë te ndryshimi i rrahjeve të zemrës, studimi zbulon për herë të parë efektet anësore të antidepresantëve
Jetë stresuese, rriten të sëmurët nga zemra dhe ata me probleme psikiatrike
Cilat ushqime duhet të shmangni kur jeni me cikël menstrual