Kryefaqja Aktualitet Dr. Erlin Kurti: (Histerektomia) Heqja e mitrës, gjithçka duhet të dini rreth...

Dr. Erlin Kurti: (Histerektomia) Heqja e mitrës, gjithçka duhet të dini rreth kësaj procedure

0
Shpërndaje

Bisedoi: Iliada Kovaçi

Histerektomia është një procedurë kirurgjikale që konsiston në heqjen e mitrës. Kjo procedurë është rutinë në maternitetet e vendit, ndërsa janë disa shkaqe që çojnë në marrjen e këtij vendimi mjekësor. Në një intervistë për gazetën Shëndeti OnLine, Dr. Erlin Kurti na tregon lidhur me rastet kur rekomandohet heqja e mitrës, rëndësia e konsensusit të përbashkët mjek-pacient, ndikimi në psikologjnë e pacientit dhe kontrollet rutinë.

Doktor, pse kryhet kjo procedurë? Cilat janë ato probleme shëndetësore që çojnë deri në marrjen e vendimit për heqjen e mitrës?

Arsyet janë të shumta, probabiliteti më i madh është që pacienti është diagnostikuar me fibromioma uterine. Në këtë rast, pacientët kanë hemorragji gjatë ciklit menstrual (sasi të shtuar dhe të zgjatur në kohë) që çon deri në anemi, ndaj edhe rekomandohet bërja e histerektomisë. Pra, kemi të bëjmë me histerektomi të kryer në kushtet e miomave dhe në këtë rast bëhet fjalë për patologji beninje, por bëhet edhe në rastet e patologjive malinje siç është kanceri i qafës së mitrës.

Kur fibromiomat janë në numër të konsiderueshëm dhe zënë gjithë hapësirën e uterusit atëherë normalisht rekomandohet heqja e uterusit për të evituar hemoragji dhe për ta normalizuar situatën e pacientes. Nëse kohëzgjatja e ciklit menstrual dhe sasia është e tillë që i çon pacientët drejt një anemie të caktuar atëherë rekomandohet histerektomia.

Megjithatë, diagnoza duhet të jetë e qartë, pacientja duhet të jetë e konsultuar me mjekun gjinekolog përkatës dhe duhet të vendosin bashkarisht për procedurën. Sigurisht që para çdo interventi, bilanci dhe konkluzioni duhet të jenë të maksimalizuara në të gjitha aspektet, pra të jetë sqaruar pacientja për diagnozën, për situatën në të cilën gjendet, për interventin që do kryhet, për pasojat që ka mbas interventit në të gjitha rrethanat.

A ka një ndikim histerektomia në shëndetin e përgjithshëm të femrës?

Kjo varet nga mosha, nëse është në një moshë të re, pra në moshë riprodhimi normalisht që histerektomia ka disa efekte sepse pacientja nuk ka cikël menstrual. Nga ana psikologjike ndjehet paksa e prekur sepse nuk manifeston një cikël të rregullt ashtu si bashkëmoshataret e saj dhe në këtë mënyrë ndjen një lloj trysnie. Rekomandohet që kur të bëhet histerektomia në përgjithësi të bëhet supracervikale nëse qafa e mitrës është e pastër, me qëllim për të ruajtur sensibilitetet në raporte seksuale dhe për të patur një vazhdueshmëri dhe kontunjitet normal të këtyre raporteve. Në aspektet e tjera nuk ka arsye sepse në përgjithësi nëse mosha është nën 45 vjeç ne bëjmë vetëm histerektomi duke lënë ovaret me idenë që funksioni ovarian të jetë i ruajtur te kjo paciente. Nëse kemi të bëjmë me patologji të cilat janë malinje ose të dyshimta për patologji të tjera neoplazike qoftë ovare ose e uterusit atëherë bëhet histerektomia radikale. Sigurisht pacientja nëse bën histerektomi radikale futet në një menopauzë prekokse të parakohshme që ka të gjitha shenjat tipike të menopauzës me afshe të nxehta me dhimbje muskulare skeletike etj.

Sa kohë duhet për rikuperim pas ndërhyrjes?

Zakonisht periudha normale e rikuperimit është një muaj kur histerektomia kryhet në rrugë transabdominale. Nëse kryhet në rrugë transvaginale koha e rikuperimit është pak më e shpejtë dhe pacientja kalon më shpejt fazën e rikuperimit.

Sa e rrezikshme është kjo si procedurë?

Në të gjitha rastet e kirurgjisë ecën paralelisht rreziku dhe zgjidhja e problemit, por ne duhet ta dominojmë rrezikun dhe të përfitojmë maksimumin  në mënyrë që pacienti të mos ketë probleme në vazhdim dhe ndërhyrja të jetë e suksesshme.

A vazhdojnë kontrollet rutinë përfshirë këtu edhe pap-testi?

Nëse mbetet qafa e mitrës prezente sigurisht që ajo duhet t’i nënshtrohet ekzaminimeve rutinë si pap-testi ashtu sikurse të gjithë gratë e tjera.

Sa herë duhet kryer pap-testi?

Të paktën një herë në vit për tre vite rrjesht pastaj një herë në tre vjet nëse është gjithçka në rregull me pacienten. Nëse ka bëre histerektomi bashkë me kolumin  nuk ka nevojë për pap-test thjesht ekzaminimet rutinë dhe komunikimin me gjinekologun duhet ta ruajë për të marrë terapi mbështetëse dhe komunikimet e vazhdueshme.

Sa të ndërgjegjësuara janë femrat për kryerjen e tij? A është ky i vetmi kontroll rutinë që kryejnë gratë?

Ndërgjegjësimi në vitet e fundit ka një rritje pa diskutim por bëhet një përpjekje maksimale qoftë nga stafi mjekësor me të gjitha mundësitë e tjera underground që janë për të ndërgjegjësuar gratë për bërjen e pap-testit. Por jo të gjitha gratë bëjnë pap-test për fat të keq. Do të ishtë shumë e rëndësishme që të gjitha vajzat dhe gratë në moshën mbi 18 vjeç kur kanë nisur raportet seksuale  të përpiqen të kryejnë pap-testet rregullisht sepse në këtë mënyrë ne mbrojmë, diagnostikojmë shpejt për çdo lloj patologjie të qafës së mitrës dhe mundet që trajtimi të jetë krejtësisht i lehtë, nëse ne heshtim në këtë drejtim dëmi është kolosal dhe risku për kancer të qafës së mitrës është evident dhe trajtimi është më i vështirë dhe kosto më e lartë e rreziku për jetën shumë i madh.

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here