Draçini: Ka rënë mjekësia? Kemi vetëm ekselenca!

xheladin-dracini

Bisedoi: Denisa Canameti

Kam një ëndërr për një fakultet ku të mos jetë qëllim nota, por dija; ku mos të adhurohet “suksesi”, por dhembshuria; ku humanizmi të garojë me inteligjencën dhe vlerat njerëzore me ato profesionale. Kemi mësuar të drejtojmë, por a dimë të shërbejmë – cili është vendi ynë në një botë komunikimi ku informacioni gjendet ngado? (Shkëputur nga fjala përshëndetëse e Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë Prof. Dr. Xheladin Draçini në takimin me studentët 14.04.2016) 

“Mos prisni nga unë që t’i faturoj dështime një fakulteti që vazhdon të jetë më i përzgjedhuri”. Mjekësia vazhdon të jetë në majën e kreshtës dhe, sipas dekanit Xheladin Draçini, këtë vend ia siguron forca e madhe akademike që ka ky fakultet. Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+”, Draçini e nis duke bërë një pasqyrim të numrit të nxënësve që zgjodhën mjekësinë edhe këtë vit, teksa thekson se mesatarja më e ulët e personave të regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë është 9.93.

Kërkesat e shumta dhe mesatarja e lartë a nënkupton që të rinjtë vazhdojnë të besojnë te mjekësia…

Në radhë të parë e kërkojnë, por edhe e besojnë. Motivet që mjekësia është një degë e kërkuar janë të ndryshme. Por, unë besoj që është forca e madhe akademike që ka Fakulteti i Mjekësisë.

Fakulteti i Mjekësisë ka rreth 200 pedagogë, nga të cilët 2/3 janë me titull “Profesorë”. Ne kemi 80 Profesorë që përbëjnë eminencën e mjekësisë në Shqipëri. Ata janë të gjithë lidera në fushën e tyre dhe të gjithë punojnë me shumë përkushtim jo vetëm në mjekësinë e aplikuar, por dhe në pedagogjinë mjekësore. Nuk është se ne kemi mbështetur shpresën te këta profesorë për të bërë mësimin praktik, në kuptimin e seminarit dhe të praktikës, por këta japin trendin dhe frymën e mjekësisë. Janë këta njerëz që brenda 20 vjetësh e kanë transformuar mjekësinë shqiptare nga një mjekësi e prapambetur, në një mjekësi që i është ofruar standardeve bashkëkohore.

Krahas formimit akademik, çfarë ofron tjetër Fakulteti i Mjekësisë? Mund të ndalemi pak te kërkimi shkencor…

Kur themi kërkim shkencor, menjëherë mendohet kërkimi i mirëfilltë i laboratorëve, si biologu Yoshinori Ohsumi, që fitoi çmimin Nobel për zbulimet e tij në lidhje me mekanizmin e autofagisë, procesi i asimilimit dhe riciklimit nga trupi i përbërësve qelizorë. Pa dyshim që ky është kërkim shkencor i mirëfilltë.

Nuk mund të themi që ne këtu kemi resurset e nevojshme dhe forcën e nevojshme financiare për ta realizuar kërkimin e mirëfilltë shkencor. Por, kërkimi shkencor klinik në fushën e mjekësisë, është shumë i përparuar në Fakultetin e Mjekësisë. Domethënë, të gjithë shërbimet dhe departamentet tona janë të përfshira në një kërkim të mirëfilltë duke marrë në hulumtim shkencor grupin e pacientëve që ata trajtojnë, operojnë, mjekojnë. Me studime retrospektive, me studime perspektive, shpeshherë nxjerrin konkluzione të rëndësishme për mënyrën se si janë trajtuar, me efikasitetin e mjekimit. Pra, të gjitha këto kërkime klinike rezultojnë shpesh në punime doktoraturash, disertacionesh të ndryshme, të cilat në Fakultetin e Mjekësisë janë të depozituara si pjesë e ciklit të tretë të studimeve.

Sa është numri i mjekëve që nxirrni në një vit?

Në regjistrimin e sivjetshëm ne kemi 226 kuota nga vendi dhe 4 për trojet. Pra, janë 230 që regjistrohen në degën mjekësi e përgjithshme dhe 90 që regjistrohen në degën farmaci.

Sipas disa të dhënave të bërë publike nga Urdhri i mjekut, numri i mjekëve që dalin çdo vit nga Fakulteti i Mjekësisë është i barabartë me numrin e mjekëve që largohen. A është menduar një shtim i kuotave?

Nuk kam koment për dinamikën të mobilitetit të mjekëve që ka brenda komponentë të zgjedhjes personale që, në fund të fundit, është e natyrshme. Do të thoja që është padyshim një ndër objektivat e universitetit të mjekësisë dhe fakultetit të mjekësisë rritja e numrit të kuotave.

Pra, unë personalisht jam larguar nga gjykimi naiv që përmirësohet cilësia e mësimdhënies duke ulur numrin e kuotave. Është krejt e kundërta: cilësia e mësimdhënies shtohet me rritjen e numrit të kuotave. Ne kemi  futur elementët më të mirë, me 10 absolute. Kemi një staf pedagogjik të jashtëzakonshëm që përbëhet nga profesorët elitarë dhe liderë në fushën e mjekësisë në Shqipëri. Mos harroni që Qendra Spitalore Universitare realizon mbi 60% të aktivitetit mjekësor në vend. Janë pikërisht ky grup profesorësh që janë shumë aktiv në trajtimin e këtyre të sëmurëve. Pra, bashkëveprimi i këtij grupi studentësh të rinj me këtë grup profesorati padyshim që prodhon ekselencë.

Po, por ekselenca nuk pranon të shkojë dhe të punojë në spitalet e rretheve…

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë nuk ka sesi të bëjë politika për shpërndarjen. Në vitin e parë ne kemi një modul që deri tani ka qenë i shpërndarë. Por tani do të jetë drejtpërdrejt nën administrimin tim moduli që kemi për shkencën e komunikimit dhe psikologjisë në mjekësi.

Pra, do mundohemi që t’u transmetojmë atyre modele etike që mjekësia nuk bëhet vetëm në spitalet e mëdha. Ajo që dua t’u transmetoj studentëve përmes edhe këtij moduli mësimor dhe etikës mjekësore në përgjithësi është që profesioni mjekësor është po aq i bukur edhe në një rreth apo në një qendër të vogël shëndetësore. Kjo duket naive dhe idealiste, por në fakt është e vërtetë. Flas për atë që vërtet e dëshiron këtë profesion. Por kush e kërkon këtë profesion si një mjet për t’u pasuruar, i them të zgjedhë më mirë një profesion tjetër.

Kontratat me specializantët, a nuk duhet të ketë një detyrim pa të drejtë shlyerje me gjobë për të qëndruar aty ku bëhet shpërndarja, duke ndihmuar kështu edhe mbulimin e rretheve me shërbim shëndetësor?

Kontratën e bën Ministria e Shëndetësisë. Bashkëpunimi ynë me ministrinë ekziston me gjenerimin e kuotave. Kur gjenerohen kuotat e specializimit propozimi është i përbashkët. Pra, Ministria e Shëndetësisë që ka një vision të plotë me nevojat kombëtare, paraqet tek ne dhe ne paraqesim mundësitë që kemi për specializimet. Dhe numri që del, është një bashkëveprim i këtyre dy numrave.

A ka vërtet një ulje të cilësisë së mësimdhënies? Flitet shumë për degradim të sistemit arsimor edhe atij mjekësor…

Nga unë mos prisni një gjykim të tillë. Unë i njoh shumë mirë të dy sistemet, edhe tjetrin, edhe këtë sot. Ju kujtoj që Fakulteti i Mjekësisë ka kaluar dy momente të rëndësishme reformimi në të cilën duke marrë modelin francez, po themi, bëri një transformim radikal të kurrikulës. Që nuk ka ndodhur në asnjë universitet tjetër. Në mjekësi kurrikula ka ndryshuar në mënyrë radikale brenda pak vitesh. Më kuptoni që shpeshherë shumë gjykime negative, janë gjykime të individëve. Por kjo vjen nga një dozë problematike edhe personale. Dhe nuk është mirë që eksperiencat personale , iluzionet apo deziluzionet që pëson gjatë profesionit, t’i faturohen fakultetit apo mjekësisë në përgjithësi.

Çfarë vlen të përmendet si problematikë në këtë fakultet, që ju e keni në listën e prioriteteve?

Kam 4 vjet zëvendësdekan dhe pedagog prej vitesh 21 vjetësh. Unë kam mbuluar sektorin shkencor, i cili vërtet ka pasur një hop cilësor. Në 7-8 vitet e fundit është e konsoliduar struktura akademike e Fakultetit të Mjekësisë. Ka marrë tamam atë çka meriton. Njerëzit që bënin mësimin, morën dhe titullin. Ky ka qenë vizioni im në pozicionin e zëvendësdekanit të sektorit shkencor. Kush bën mësimin, cili është aktiv aty, cili është pjesë aktive e kërkimit shkencor, ka dhe titullin përkatës, sigurisht sipas kërkesave të ligjit. Kjo mendoj se është realizuar plotësisht. Në kohët e sotme të gjithë njerëzit që kanë punuar dhe kanë qenë aktivë, i kemi të doktoruar dhe të titulluar sipas kërkesave të ligjit. E them me përgjegjësi të plotë.

Dhe sa kohë i duhet Fakultetit të Mjekësisë që të plotësojë nevojat e vendit të vet me mjekë?

Në çdo moment ka qenë i aftë për këtë gjë. Nuk është se mungesat janë një përgjegjësi e faktit që sistemi nuk ka prodhuar dot numrin e duhur. Unë do ta mirëprisja shumë që të kishte dhe fakultete të tjera. Do të mendoja që do ishte një gjë shumë e mirë. Do të shtonte kompeticionin. Nuk flas për strukturën private. Nuk është e thënë që këtë fakultet ta mbajmë gjithmonë “monopol”. Do të dëshiroja shumë që të krijoheshin universitete të reja, gjithmonë në aspektin shtetëror.

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin