Kryefaqja Aktualitet Dua të jetoj! Fëmijët me leucemi në luftë me jetën, shteti i...

Dua të jetoj! Fëmijët me leucemi në luftë me jetën, shteti i braktis

6
Shpërndaje

femijet me kancer4

Denisa Canameti / Shendeti.com.al

“Jam 3 vjeç! Dua të buzëqesh! Dua të rritem! Dua të jetoj!” Ishin këto vetëm disa nga thirrjet e sotme përpara shërbimit të Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, në aktivitetin “Thirr për fëmijët me kancer”.

“Fëmijët me sëmundje të rënda të gjakut kanë nevojë emergjente për medikamente. Çdo ditë përballen me mungesa të pajustifikueshme. Mungesa që ndikojnë në përkeqësimin e jetës së tyre.  I bëj thirrje Ministrit të Shëndetësisë, Kryeministrit që të reagojnë. Është detyrim ligjor i tyre që të sigurojnë çdo medikament për këta të sëmurë. Këta fëmijë duhet që të jetojnë. Duhet t’u japim shpresë për jetën”. Është shprehur kështu Eglantina  Bardhi, drejtoreshë e shoqatës “Together for life”, në thirrjen e organizuar sot në mbështetje të fëmijëve me kancer.

femijet me kancer

Bardhi tha se, pavarësisht përpjekjeve të shoqërisë civile në organizime të kësaj natyre, nuk mjafton, këta fëmijë kanë nevojë për shtetin.

Citostatikët kushtojnë miliona. Zgjidhja e vetme janë farmacitë private. Shteti nuk plotëson nevojat e fëmijëve për kimiopreparate. Familjarët tregojnë se nuk janë në kushte ekonomike për ta përballuar trajtimin.

“Për ta realizuar ciklin e plotë duhen 750 euro. Një flakon asparaginase kushton jo pak por 120 euro. Nipi im ka nevojë vetëm për një kuti. Pra jeta e nipit tim varet nga shifra që nuk janë aq të larta për shtetin. Prandaj, e lus, i bëj thirrje, me zemër në dorë, që të vijë të na takojë e t’i dëgjojë hallet tona. Asnjë cikël trajtimi nipi im nuk e ka bërë të rregullt. Nuk ka pasur. Nuk fajësojmë mjekët. Ata na thonë: “Shërbim iu bëjmë, për medikamente nuk kemi çfarë t’ju themi”.

Thirr per femijet me kancer (3)

“Vajza ime është vetëm 21 vjeçe. Nuk po e përballon dot gjendjen e djalit. E ka fëmijën e parë dhe të vetëm.  Nuk dimë se ku ta ngremë zërin. Vetëm Ministri i Shëndetësisë po na dha zgjidhje”, shprehet kështu me lot në sy nëna e djaloshit vetëm 3 vjeç, i diagnostikuar me leucemi acute.

Me gjysma fjalësh, ajo tregon se si nisi e gjithë kjo histori, e cila do të kthehej në një makth të vazhdueshëm për të, familjarët e tjerë, e veçanërisht për të bijën. Nga një dyshim i mjekëve për anemi, te diagnoza e rëndë e leucemisë.

femijet me kancer6

Nëpër të njëjtën dhimbje po kalon edhe Zamiri, babai i 13-vjeçarit nga Durrësi. Kloriani, djali i madh i familjes, vuan prej muajsh nga një tumor malinj që i ka prekur këmbën. Seancat e njëpasnjëshme të kimioterapisë, përpos dhimbjes, janë kthyer në sfidë ekonomike për familjarët.

“E vetmja e ardhur në familje është një pagë minimale e nënës së Klorianit, që punon në rrobaqepësi. Kemi bërë disa herë apel për ndihmë. Nuk mjafton të na sjellin një cikël. Duam vazhdimisht medikamente, deri në përmbyllje të trajtimit. Më kanë thënë ta nxjerr për kurim jashtë vendit. Unë nuk kam para as për të përballuar spitalet në Shqipëri. Për trajtim jashtë as nuk diskutohet.

femijet me kancer10

“Ilaçe, asgjë tjetër. Si prind kam bërë gjithçka për fëmijën tim. Ka disa ditë që nuk po gjejmë më ilaçe as në tregun e hapur. Nuk kemi mundësi ekonomike. Borxhe kemi gjithandej. Shteti të reagojë, të na ndihmojë”.

Ndërkohë, nëna e Sabianit 8 vjeç tregon gjithashtu kalvarin e vuajtjeve nëpër të cilin po kalon çdo ditë. Djali i madh i saj, i diagnostikuar me leucemi, nuk ka mundur të bëjë asnjë cikël kimioterapie të plotë. Ajo tregon se po humbet çdo shpresë, sepse shteti po i mohon të birit të drejtën për të jetuar.

“Sabiani është djali im i madh. Kam edhe një djalë tjetër 1 vjeç në Greqi. E kam lënë me të atin. Dua që djali im të trajtohet siç duhet. Shteti të bëjë detyrën e vet. Nuk po kërkojmë asgjë tjetër. Vetëm ilaçe. Çfarë e duam jetën nëse nuk kemi fëmijët. Jemi të detyruar t’i shohim fëmijët tanë se si treten çdo ditë, sepse kur vjen koha për të bërë kimioterapi, shihemi me mjekë në sy. Nuk ka ilaçe. Marrim recetat në dorë dhe zbresim poshtë. Çfarë të bëjmë? Disa herë i blejmë, herë të tjera jo, sipas mundësive. Nuk na ka ngelur i afërm pa marrë borxh. Tani është bërë e papërballueshme. Kërkoj ndihmë për djalin. Pa të nuk e dua as unë jetën”, shprehet e ëma e Sabianit.

femijet me kancer1

Përveç thirrjes së drejtpërdrejtë përmes kamerave të medieve, familjarët nënshkruan një peticion ku i kërkonin Ministrit të Shëndetësisë që të ndërhyjë menjëherë. Në shenjë simboli fëmijët lanë shenjat e tyre të duarve mbi një çarçaf të bardhë, mbi të cilin ishte qëndisur një fjali në formë lutje: “Zoti Ministër! Kjo është dora ime, bëje të jetojë”. Peticioni bashkë me “firmën” e fëmijëve do t’i postohet Ministrisë së Shëndetësisë, me shpresën për reagim.

femijet me kancer5

Thirrjes për të mbështetur këta fëmijë iu bashkua edhe Xhuljana Elmasllari, vajza 18 vjeçare e cila gjithashtu vazhdon luftë e saj me kancerin. Midis shumë njerëzve të tjerë ishin edhe organizuesit e koncertit të bamirësisë për fëmijët me kancer “Tungjatjeta”, ishte Ambra Meda si përfaqësuese e përballjes së suksesshme me këtë sëmundje, si dhe përfaqësuesit e shoqatave të pacientëve.

femijet me kancer8

Aktiviteti do të pasohet nga një sërë nismash të tjera me në fokus fëmijët më sëmundje të rënda, deri në realizimin e kërkesave të tyre të ligjshme.

Gjendja në shërbimin e onkohematologjisë është alarmante. Ky shërbim më të drejtë konsiderohet nga vetë bluzat e bardha “klinikisht i vdekur”.

femijet me kancer9

6 Komente

  1. […] Thirr për fëmijët me kancer! Këngëtarja e njohur Aurela Gaçe i bashkohet nismës së ndërmarrë nga Shoqata “Together for Life” dhe gazeta “Shëndet+” për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të prekur nga kanceri. Ajo ka dhuruar një shumë parash për njërin prej fëmijëve dhe, sipas burimeve të “Shëndet+”, e ëma e të miturit i ka përdorur këto para për të blerë ilaçin Asparaginasen për të gjithë pacientët e vegjël. Nëpërmjet një postimi në Facebook, ajo tregon dhimbjen e madhe që ka ndjerë pasi ka parë fëmijët duke u lutur për jetën e tyre, dhe prindërit që vuajnë teksa shohin fëmijët në atë gjendje dhe ndihen të pafuqishëm për të gjetur një shpëtim. […]

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here