Rasti i pacientit në Durrës, MSHMS urdhëron nisjen e hetimeve

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka urdhëruar hetim të thellë administrative, për mënyrën e trajtimit të një pacienti 52-vjeçar me iniciale A.A.

Sipas MSHMS, drejtuesit e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe të Shërbimit Social Shtetëror janë në terren për të kryer verifikime të drejtpërdrejta dhe për të mbikëqyrur procesin e hetimit administrativ të strukturave në qytetin e Durrësit.

Njoftimi:

Lidhur me trajtimin e rastit të pacientit 52-vjeçar A.A., nga qyteti i Durrësit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka urdhëruar nisjen e një hetimi të thelluar administrativ, i cili do të shqyrtojë në mënyrë të plotë jo vetëm procedurat dhe masat e marra nga struktura spitalore, por edhe veprimet dhe përgjegjësitë e strukturave të shërbimit social të përfshira në këtë rast.

Në kuadër të këtij procesi, drejtuesit e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe të Shërbimit Social Shtetëror janë në terren për të kryer verifikime të drejtpërdrejta dhe për të mbikëqyrur procesin e hetimit administrativ të strukturave në qytetin e Durrësit.

Ndërkohë, pacienti ndodhet nën kujdesin e strukturave shëndetësore në spitalin rajonal të Durrësit.

Gjithashtu, po verifikohet i gjithë dokumentacioni shëndetësor dhe administrativ, si edhe përgjegjësia e personave të përfshirë në menaxhimin dhe transportimin e pacientit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale mbetet e angazhuar për të garantuar transparencë të plotë, zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe marrjen e çdo mase administrative apo ligjore që do të rezultojë e nevojshme.

Ngjarja:

Rasti i pacientit u bë publik nga JOQ, sipas të cilëve një pacient i trajtuar në këtë spital kishte ndërruar jetë.

Disa orë më vonë, Spitali Rajonal Durrës reagoi duke thënë se informacioni nuk ishte i vërtetë dhe se ai ishte gjallë.

Në një prononcim për mediat, kirurgu Dr. Naim Mediu, tha se bëhet fjalë për Artan Andonin, 52 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në repartin e Terapisë Intensive (Reanimacion), në gjendje të mirë shëndetësore.

Sipas kirurgut, ndërhyrja e dytë kirurgjikale ka përfunduar me sukses dhe pacienti po monitorohet nga stafi mjekësor. Ai thekson se, bazuar në ecurinë aktuale, nuk pritet të ketë komplikacione pas operacionit.

Reagimi i plotë i Spitalit Rajonal të Durrësit:

Në lidhje me lajmin e publikuar në media, sipas të cilit një pacient i trajtuar më parë në Spitalin Rajonal Durrës ka ndërruar jetë, sqarojmë se ky informacion nuk është i vërtetë.

Pacienti është paraqitur sërish ditën e djeshme në Shërbimin e Urgjencës të Spitalit Rajonal Durrës, ku vijon të qëndrojë nën kujdesin dhe vlerësimin e personelit mjekësor.

Për informimin e plotë të opinionit publik bëjmë me dije se pacienti ishte trajtuar më parë në QSUT, ku i ishte kryer një ndërhyrje nga mjekët kirurgë vaskularë në enët e gjakut të këmbës së majtë. Pas komunikimit ndërmjet mjekëve, ai u shtrua në Spitalin Rajonal Durrës, ku qëndroi dhe u trajtua për disa javë, duke marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor në përputhje me gjendjen e tij shëndetësore.

Pas stabilizimit të parametrave klinikë dhe përfundimit të trajtimit spitalor, pacientit iu përgatit epikriza dhe iu komunikua dalja nga spitali. Duke qenë se ai deklaroi se nuk kishte një vend ku të qëndronte, strukturat e spitalit njoftuan shërbimin social dhe organet e Policisë së Shtetit, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të sigurt sociale dhe familjare.

Pas komunikimeve të kryera nga strukturat përkatëse, një familjar deklaroi se do ta merrte pranë banesës së tij. Pacienti u transportua me autoambulancë deri në destinacion, i shoqëruar nga punonjës të Policisë së Shtetit, dhe iu dorëzua familjarit.

Për rrjedhojë, sqarojmë se pacienti nuk është nxjerrë apo braktisur në rrugë nga Spitali Rajonal Durrës, siç pretendohet në publikim. Dalja e tij nga spitali është kryer pas përfundimit të trajtimit, me dokumentacionin përkatës mjekësor dhe pas koordinimit me strukturat sociale, policore dhe familjare.

Spitali Rajonal Durrës u bën thirrje mediave që, veçanërisht në raste kaq të ndjeshme, informacioni të verifikohet pranë institucioneve përkatëse përpara publikimit.

Institucioni ynë mbetet i angazhuar për ofrimin e kujdesit shëndetësor dhe për bashkëpunimin me çdo autoritet kompetent, duke respektuar konfidencialitetin e të dhënave shëndetësore dhe dinjitetin e pacientit.

Postime të ngjashme

Këto 8 ushqime mund të ulin rrezikun e goditjes në tru
Nobeli i Mjekësisë shkon për “çelësin e dritës” që ndez dhe fik neuronet
Gjashtë fëmijë të një kopshti përfundojnë në spital në Korçë, dyshohet për helmim
829 raste të reja me kancer gjiri në 2025, ISHP: Ulet vdekshmëria, ja qarqet me incidencën më të lartë
Vitamina D3: Përfitime për shëndetin dhe si ta merrni në mënyrën e duhur
Uri fizike apo emocionale? Endokrinologia shpjegon si ta kuptoni pse po hani
Dërgonin pacientë me kancer në klinikat private, SPAK mbyll hetimet për Onkologjikun
Fruthi rikthehet fuqishëm në SHBA, 5 viktima në Pensilvani/ Mbi 3,650 raste gjatë vitit 2026