Duararta e flokëve magjikë: Historia e sipërmarrëses që punon me flokë organikë

Bisedoi: Denisa Canameti

Një shprehje thotë: “Jepi një vajze këpucët e duhura dhe ajo do të pushtojë botën”.

Ndërsa për Rovin, korniza e bukurisë së një vajze janë flokët: “Nëse i shkatërron një vajze flokët, atëherë në mënyre të dukshme ke rrëzuar moralin e saj”. Rovi është parukiere me përvojë tashmë dhe qendrën e saj “Stil &Klas” e ka në një nga lagjet e Tiranës. Vërtet aktivitetin profesional  e ushtron në një hapësirë të vogël, të ndërtuar me mjaft dashuri dhe përkushtim, por brenda mureve të saj bëhet një punë jashtëzakonisht e madhe.

Midis të gjithave proceseve normale që përmban një parukeri e ditëve të sotme, ia vlen të flasësh me të për një teknikë shumë ‘trendi’ të kohëve të fundit, siç është përpunimi i flokut organik ose natyral, i cili ndihmon në zgjatjen e flokëve në mënyrë të menjëhershme, por mjaft të shëndetshme dhe jo vetëm për vajzat, por për të gjitha kategoritë e moshave. Rëndom midis profesionistëve ky proces quhet ‘hair extention’, i huazuar nga anglishtja që kuptimin e ka ‘shtim ose  zgjatim flokësh’.

Rovi, zgjatimet me flokë natyralë. Si lindi kjo ide dhe cilat kanë qenë fillesat?

Në një kohë të trazuar si viti ’97. Por unë përpiqesha të lidhesha fort pas së bukurës, megjithëse shumë njerëz shihnin jetën e tyre të  zhytej në shëmtinë e një periudhe të çmendur.

Thonë se rastësia është mbret, dhe kështu nis edhe historia ime.

Ndërkohë që ndiqja  shkollën, një drejtim krejt tjetër nga ky  që kam sot, vijoja edhe punën në parukeri. Duke kërkuar gjithnjë një imazh të kuruar si respekt ndaj vetes, doja të informohesha mbi teknikat e risitë e këtij profesioni. Me shumë dëshirë e pasion ndiqja seminaret e pakta të atyre viteve që zhvilloheshin në Tiranë, por pa mundur të realizoj diçka konkrete e që mund të përmbushte ëndrrat e mia. Por u gjend asokohe një mikeshë që jetonte në Itali, e cila më siguroi mësime virtuale nga Akademia e Riminit, një institucion i respektuar në fushën e estetikës, ku teknikat ishin krejt të panjohura për parukerinë shqiptare të atyre viteve. E përfshirë në nxënien sa më mirë të metodave, e lumtur që munda të zhvilloj njohuritë sipas një  prej shkollave më të mira të estetikës e parukerisë në vendin e modës, gjeta  guximin të aplikoja teknika krejt të panjohura asokohe në Tiranë, siç ishte edhe  zgjatimi i flokëve mes klientëve të mi. Pavarësisht dëshirës sime për të pasur rezultate maksimale, ato kushtëzoheshin nga materiali i vetëm që hynte në Shqipëri, ai i flokëve sintetikë.  Dhe kjo më shqetësonte jo pak, sepse teknikisht kisha arritur nivel shumë të lartë. Idetë i kisha të qarta, por ja që aq ofronte Shqipëria e atyre viteve.

Sot merresh me flokë natyralë. Dikur një ide, sot një realitet. Ç’mund të më thoni për këtë?

Ky është synim i çdo profesionisti, të arrijë të kombinojë teknikat më të mira me materialet më cilësore.  Jeta nuk është perfekte, por floku mund të jetë. Këtë doja të arrija. Dikur një përpjekje në kufijtë e së pamundurës, ndërsa sot në  përmasat e një biznesi familiar. E paimagjinueshme për kohën kur nisa të bëj përpjekjet e para, për dikë ngjante aventurë prej së cilës do të dorëzohesha një ditë, por gjithnjë e më shumë bindem se, nëse një punë e bën me dashuri dhe përkushtim, edhe fati do të jetë me ty. Sepse sa më shumë punon, aq më shumë fat ngjan se ke. A ka lodhje? Shumë! Por nëse nuk e djersin suksesin tënd, nuk shijon dot kënaqësinë prej tij.

Cilat janë përfitimet e flokut natyral krahasuar me atë sintetik të ofruar nga fabrikat? 

Jemi në një epokë ku shoqëria, ndikuar ndjeshëm edhe nga informacioni i bollshëm, i ka kthyer sytë drejt gjithçkaje bio. Që nga ushqimet, produktet kozmetike, përfshi edhe trajtimin e flokëve.

Në dy vitet e fundit i jam përkushtuar zgjatimit me flokë natyralë, rezultate të pakrahsueshme me ato të flokëve sintetikë. Ndryshimin e ndjen ngado. Në prekje, në krehje, në reagimin që floku ka ndaj kontaktit me ujin e detit a të pishinave. Po ashtu kujdesi ndaj flokëve sintetikë kërkon produkte të posaçme, gjë që është krejt e panevojshme për flokun natyral.

Problemi qëndron në faktin se floku natyral është mjaft i kufizuar. Vullnetarët pothuajse mungojnë. Jo gjithnjë standardi i tyre i përgjigjet pritshmërive në gjatësi e cilësi. Por rrjetet sociale jane bërë shpesh burimi kryesor i blerjeve duke iu përgjigjur kërkesave tona. Pra, siç e shihni, është një proces kompleks, i vështirë, por kujdesi dhe pasioni ynë drejt përsosmërisë e bëjnë të vetmen mënyrë me të cilën ne realizojmë punën tonë, atë që dimë të bëjmë më mirë.

Sa i përgjigjen vajzat kësaj thirrjeje? Cila kategori klientesh janë ato që ofrojnë flokun e tyre kundrejt pagesës? Cilës grupmoshë dhe cilit grup shoqëror i përkasin?

Interesant është fakti se shumë vajza të reja i janë përgjigjur thirrjes sonë. Madje ka pasur raste ku kemi siguruar edhe flokë të prera prej kohësh e që nënat i kishin ruajtur si kujtim prej fëmijëve të tyre.  Burimi ynë kryesor janë grupmoshat 9 – 20 vjeç. Këtu historitë njerëzore janë pa fund. Ky proces më ka bërë të njoh jetën e shumë vajzave të reja. Të interesuara për përfitimet financiare, interesat e tyre kanë qenë nga më të ndryshmet. Dikush ka dashur thjesht të ndryshojë, dikush të paguajë shkollën, një tjetër të përmbushë nevoja jetike, ndonjë për të shlyer borxhe a paguar detyrime, histori ndonjëherë edhe të dhimbshme, ndaj bëhem tejet e ndjeshme dhe i ngre çmimin për t’u ardhur sadopak në ndihmë.

Çfarë teknologjie përdorni për të ndërtuar fijet për zgjatim? Cilës procedurë i nënshtrohen flokët natyralë për të qenë gati për t’u vendosur në flokët e zonjave dhe zonjushave?

Mënyra sesi është mbajtur dhe trajtuar floku ndër vite, mënyra se si është kapur, stiluar ka shumë rëndësi. Çdo gjë ka teknikën e saj.  Do t’ju tregoj disa sekrete profesionale: p.sh.: flokët e prera e të ruajtura prej vitesh më krijojnë shumë problem në fazën e dytë, atë që ka të bëjë me përpunimin  e tyre, ndaj opsioni më i mirë është floku i prerë me mënyrën dhe teknikën time.

Cila është shpërndarja gjeografike ku ju siguroni materialin e parë? 

Pas një pune intensive, që e kam ndjekur me shumë kujdes për vite me radhë, kemi arritur të sigurojmë flokë natyrale nga shumë rrethe të Shqipërisë. Nuk do t’ia kisha dalë e vetme, gjithsesi. Dhe jam e lumtur që njeriu që m’u gjend në krah duke u bërë pjesë e këtij biznesi është shoku im më i mirë, bashkëshorti im. Tashmë ky është biznesi ynë dhe e falënderoj me zemër që më kuptoi, mbështeti e u investua fort në një ëndërr timen që sot është angazhimi ynë i përbashkët. Së bashku ia dolëm të krijojmë një rrjet me shtrirje të gjerë. Bashkëpunimi është zgjeruar me parukeri jo vetëm në Tiranë, por edhe qytete të tjera, nga ku sigurojmë edhe materialin e parë.

Cila është ambicia juaj? Ku dëshironi ta shpini këtë sipërmarrje?

Që kur nisi kjo histori, e dija që nuk do të ndalesha derisa të realizoja një sipërmarrje të vërtetë. Ajo çka dua, është bashkëpunime me të gjithë kolegët e mi që gjenden në Shqipëri, madje edhe jashtë saj. Dua shtimim e fuqisë punëtore sot e në vijim dhe e gjithë kjo për të siguruar një vijimësi të kësaj sipërmarrjeje, që të bëhet unike për vendin tonë “zgjatimi me flokë natyralë”. Krijimi i një rrjeti edhe më të mirë marketing që më prezanton edhe  tek ato që nuk e dinë se ekziston një mundësi e tillë. Sepse kështu as vajzat e as gratë nuk do ta çojnë dëm flokun e tyre. Kjo do të krijonte mundësinë e një tregu me produkt shqiptar që hap mundësi për shumë të rinj e të reja.

Mendoni se një nismë e tillë i nevojitet tregut shqiptar të prodhimeve të bukurisë? 

Patjetër, një produkt shqiptar që arrin të përmbushë qëllime estetike e punësimi.

Keni menduar ndonjëherë ta patentoni prodhimin tuaj? 

Ky është synimi i radhës, tashmë me përvojën e testuar dhe rrjetin e ngritur, rezultatet e kënaqshme në një  kohë të konsiderueshme e bëjnë patentimin domosdoshmëri.

A keni tentuar ndonjëherë të krijoni lidhje me profesionistë jashtë, që punojnë si ju?

Kërkesat vërshojnë nga vendet fqinjë. Edhe nga Italia janë ofruar, por duhet ende të konsolidohen prurjet që bashkëpunimi të marrë udhë.

Na tregoni disa nga përshtypjet nga vajzat që kanë vënë flokë natyralë për herë të parë…

Si gjithmonë, mikeshat janë të parat që na besojnë. Dhe me to e nisa, duke siguruar shpejt rezultate të shkëlqyera. Por ka ndodhur edhe e kundërta: shumë vajza me të cilat kam punuar me flokë natyralë i kam bërë mikesha. Duhet ta provosh se çfarë mrekullie krijojnë në kokë flokët natyralë. Një përvojë që shtohet dita-ditës, e justifikon veten.

Krahasuar me flokun sintetik, a ka një kosto më të lartë?

Jo, çmimi është i njëjtë me flokun sintetik. Dhe këtë e kam bërë qëllimisht. Ka raste kur në derën time trokasin vajza skeptike për rezultatin e flokut natyral.  Është mirë që të gjitha janë bindur shpejt. Pak ditë pas vendosjes, shprehen shumë bukur: “I bëra vetes dhuratë një kurorë që nuk dua ta heq më”. Dhe këtu fillojnë shumë pyetje: Sa zgjat ky flokë? Si mund të kemi menjëherë të njëjtin pas periudhës që duhet ndërruar etj etj. Në këtë pikë unë marr kënaqësinë e çdo profesionisti në atë që bëj.

Sa kujdesen vajzat për flokët?

Një shprehje thotë se floku i bukur është hakmarrja më e mirë. Dhe besoj e kuptoni për çfarë hakmarrjeje flasim (qesh). Floku është korniza e fytyrës. Nëse i dëmton flokun një vajze, i ke krijuar rënie morali. Shumë vajza e nisin ditën me të njëjtën gjendje që ndiejnë flokët. Ndaj kujdesi është shumë i madh dhe kjo shton përgjegjësinë time.

Si  nis një ditë e zakonshme e jotja? Sa e vështirë është të jesh “gjithçka”: grua, nënë, sipërmarrëse?

Nuk jam supergrua të bëj gjithçka, ama në gjithçka bëj, jepem me përkushtimin e njeriut që dëshiron të mos lërë asgjë mangët. Kjo më ndihmon të krijoj edhe kushtet e domosdoshme për të lehtësuar angazhimet mes familjes e punës. Ky është biznes familjar, edhe vajza ime është çdo ditë me mua në dyqanin tonë. E kemi ditën të programuar dhe rrallë dalim nga ky rregull.

Vajza është pjesë e kësaj pune… E keni orientuar ju apo është dëshirë e saj?

Unë nuk kam dashur ta ndikoj, e kam lënë të lirë të zgjedhë. Vajza studion për kontabilitet – financë, por është rritur duke parë përkushtimin e prindërve të saj dhe kjo e ka lidhur me punën. Është rritur në dyqan me mua, duke mësuar e dashuruar këtë profesion. Do ta kisha lënë të lirë të vijonte pasionet e saj, por për fat ato përkuan me të miat.

A je paragjykuar ndonjëherë për faktin se je grua dhe përpiqesh të pozicionohesh kaq mirë në botën e biznesit?

Jam paragjykuar. Kjo u vjen më e lehtë njerëzve se pranimi i suksesit prej përkushtimit. Por nuk i kam dhënë rëndësi. Nëse i gjuan çdo qeni që të leh rrugës, nuk arrin kurrë në destinacion. Ndaj kam ecur përpara. Jam vlerësuar në mënyrë të vazhdueshme  nga klientet e mia, miket e mia, duke fituar respektin ndaj meje prej punës. Them se kjo mjafton të shuash çdo zë ziliqar e keqdashës që shoqëron ngritjen tënde.

Beson se një ditë do të jesh faktor në tregun shqiptar?

Shpresoj. Punoj çdo ditë për të bërë një punë cilësore, për të kënaqur pritshmëritë e klientëve, për të shtuar fuqinë punëtore e për të konsoliduar një produkt shqiptar. Faktor na bëjnë rezultatet dhe puna është shpërblimi më i mirë.

Jam paragjykuar. Kjo u vjen më e lehtë njerëzve se pranimi i suksesit prej përkushtimit. Por nuk i kam dhënë rëndësi. Nëse i gjuan çdo qeni që të leh rrugës, nuk arrin kurrë në destinacion. Ndaj kam ecur përpara.

Postime të ngjashme

Miopia - pandemia e shekullit 21! Okulisti: Alarmante tek fëmijët, ja shkaku
Mjalti, sekreti natyral për një lëkurë të shëndetshme dhe të shkëlqyeshme
Si do të dukeshin në të vërtetë personazhet e famshme pa kirurgji kozmetike, sipas IA-së
Zgjedhja e fondatinës sipas tipit të lëkurës: Kujdes jo thjesht estetikë
Uji i orizit, trendi i ri viral i TikTok për flokë të shndritshëm, të shëndetshëm dhe të fortë
Si ndikon koha para ekranit në zhvillimin e trurit të fëmijëve
9 gjërat që çdo prind i ri duhet të dijë, sipas mamive
“Kremi i diellit duhet të jetë kudo", thotë një grua me kancer