Pas përfundimit të plotë të verifikimeve që mund të zgjasin deri në fund të vitit, do të dilet dhe me konkluzionet përkatëse për të bërë denoncimet e duhura lidhur me abuzimet e konstatuara, ku pritet që disa mjekë të përballen me drejtësinë
Mark Brunga
Në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror të Qarkut të Durrësit ka filluar një kontroll i specializuar me ekip mjekësh dhe juristësh mbi dosjet e personave me aftësi të kufizuar për të kaluar në sistem të gjitha të dhënat e personave përfitues.
Në sistem përfshihen shumë të dhëna që e ndihmojnë zyrën të dërgojë paratë e ndihmës në destinacionet e duhura dhe në shtresat në nevojë duke shmangur përfundimisht përfituesit abuzues. Praktika e deritanishme e punës gjatë kontrolleve të ushtruara tregon se janë gjendur edhe dosje të paplotësuara me dokumentacionin e nevojshëm.
Nga 2983 dosje të përpunuara deri tani, kanë dalë me mangësi rreth 1519 prej tyre, pra mbi 50 % e tyre, ndërsa 253 dosje s’kanë brenda tyre dokumentet e duhura. Në 1266 prej tyre janë paraqitur diagnoza të ndryshme, por që nuk janë të vërtetuara me analizat përkatëse mjekësore të kërkuara nga komisionet përkatëse.
Pas përfundimit të plotë të verifikimeve që mund të zgjasin deri në fund të vitit, do të dilet dhe me konkluzionet përkatëse për të bërë denoncimet e duhura lidhur me abuzimet e konstatuara.
Lidhur me situatën aktuale, drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Dorjan Hatibi, thotë se ky proces verifikimi ka nisur që në muajin maj të këtij viti, kohë në të cilën ka filluar rishqyrtimi i të gjitha dosjeve pa përjashtim, duke përfshirë të gjithë personat me aftësi të kufizuar që kanë përfituar KEMP –in nga Shërbimi Social Shtetëror, nga dhe rezulton se një numër i madh prej këtyre dosjeve kanë probleme me shkelje shumë të rënda.
Ato janë të natyrave të ndryshme, duke filluar nga mungesat në dokumentet e domosdoshme për t’u plotësuar e për të përfituar të ardhura, sipas ligjeve ne fuqi, deri tek problemet mjekësore të paargumentuara. Për ta bërë sa më të plotë kontrollin dhe më cilësor janë ngritur edhe kontrollet rajonale, deri tani peshën më të madhe e ka qyteti i Durrësit me atë të Krujës.
Nga kjo situatë, komisioni i vlerësimit të paaftësisë së përkohshme për punë ka ndeshur në një sërë vështirësish për shkak edhe të abuzimeve të rënda që janë konstatuar e që kanë të bëjnë me plotësimin e kartelave në mënyrë fiktive.
Kjo ka vënë në vështirësi jo të vogël personelin e bluzave të bardha që afron shërbimin përkatës duke u bërë të ditur se plotësimi kartelave në mënyrë fiktive, të pamerituar, do i përballë ata me një ndëshkim ligjor.
Udhëzimi numër 78, datë 11.4.2014 i nënshkruar nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe ai i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, ka udhëzuar në detaje gjithçka që ka të bëjë me mënyrën e përzgjedhjes. Dosjet kanë nisur të rishihen një nga një dhe informacionet për pjesën e dosjeve të kaluara në dorën e specialistëve flasin për abuzime.
Qarku i Durrësit ka rreth 6600 dosje që janë bërë objekt i rikomisionimit në KEMP. Drejtori këtij shërbimi për qarkun e Durrësit, Hatibi, ka bërë të qartë se kontrolli ka përfunduar në 4 njësi, ndërsa bashkia Durrës dhe ajo e Krujës vijojnë. Bashkia e Durrësit ka tashmë edhe 2955 dosje që do të verifikohen nëse përfituesit janë trajtuar sipas ligjit, ndërkohë që bashkia e Krujës ka 348 dosje të tjera.
Hatibi e ka cilësuar jonormale dhe të kundërligjshme përfitimin e KEMP-it pa afruar bllokun e analizave të kryera. Një tjetër shkelje e vënë re nga specialistët që kanë këqyrur një nga një të gjitha dosjet, ka të bëjë me faktin se 370 dosje nuk kanë fare të përcaktuar diagnozën e saktë të përfituesit të KEMP-it. Hatibi ka saktësuar se abuzime shumë të mëdha dhe të rënda janë bërë me persona të cilat kanë paraqitur probleme mendore.
Urdhri numër 78, datë 11.4.2014 i nënshkruar nga ministri i Shëndetësisë dhe ai i Mirëqenies Sociale në pikën numër 8 ka saktësuar ndjekje penale për akuzën “shpërdorim detyre” ndaj çdokujt që ka plotësuar dosje fiktive. Pas konkluzioneve përfundimtare pritet që disa mjekë të përballen me drejtësinë.



