Dygjuhësia, këshilla për prindërit

Rekomandime për prindërit nga psikologia Alketa Berzani

Meqenëse gjuha në 10 vitet e para të jetës është një bazë mjaft e rëndësishme për arritjet shkollore dhe shprehitë sociale të fëmijës, nuk është e tepërt të reflektojmë se çfarë është e rëndësishme në mësimin e gjuhës, pavarësisht nëse është një, dy apo më shumë gjuhë.

CiaoPrindër, ju rekomandojmë disa metoda për të lehtësuar këtë proces tek fëmijët tuaj:

1. Përdorni atë/ato gjuhë të cilat ju vijnë natyrshëm në familje. Sigurohuni që fëmija t’i dëgjojë të gjitha gjuhët në mënyrë të vazhdueshme dhe në rrethana nga më të ndryshmet. Krijojini mundësi fëmijës që t’i përdorë të gjitha gjuhët që dëgjon. Lexojini fëmijës vazhdimisht kur e vini në gjumë, kur keni kohë të lirë, kur ka një detyrë shkollore. Lexoni së bashku me të libra në të gjitha gjuhët që janë të rëndësishme në jetën e tij.

2. Flisni me fëmijët tuaj të njëjtën ose të njëjtat gjuhë. Gjuha është e lidhur me emocionet. P.sh. nëse ju përdorni një gjuhë me djalin e madh (shqip) dhe një gjuhë tjetër me djalin e vogël (italisht), ndonjëri prej tyre mund të ndihet i përjashtuar ose inferior, gjë e cila do të ndikonte në reagimet dhe sjelljet e tyre.

3. Shmangni ndryshimet brutale në mënyrën se si flisni me fëmijët tuaj, veçanërisht kur ata janë më të vegjël se sa 6 vjeç. Mos vendosni papritur t’u flisni atyre anglisht, kur keni përdorur më parë vetëm shqip. Pra, bëni kujdes kur një profesionist (p.sh. mjek, mësues) ju thotë të ndaloni menjëherë së foluri në një gjuhë të caktuar me fëmijët tuaj.

4. Nëse ndiheni mirë kur komunikoni me fëmijën tuaj në një gjuhë të caktuar, p.sh. në shqip, kërkojuni atyre ta përdorin këtë gjuhë sa herë ata janë me ju. Nga ana tjetër, inkurajojini të përdorin edhe gjuhën tjetër, p.sh. gjuhën gjermane, por kërkojuni atyre të përsërisin bisedën në gjuhën shqipe. Ndihmojini fëmijët në të tilla raste, duke u paraqitur fjalë dhe shprehi të përshtatshme të gjuhës tuaj (shqip), sipas tematikës. Kjo do të ishte një ndihmë për ta dhe aspak e palogjikshme. Është njëlloj sikur u kërkoni të thonë “Të lutem!” përpara se t’u jepni një çokollatë.

5. Mos e bëni gjuhën një çështje madhore. Mos privoni, as mos i ndëshkoni fëmijët tuaj për përdorimin apo mospërdorimin e një gjuhe. Nëse ndjeni se fëmija juaj nuk flet ashtu sikurse duhet të bënte një parashkollor, provoni të bëni një test dëgjimi, edhe nëse edukatorja apo mësuesi ju thonë se dygjuhësia është shkaku i çdo lloj vonese gjuhësore.

(Materialin të plotë mund ta lexoni në numrin e 1 marsit 2014 të gazetës “Shëndet+”)

Postime të ngjashme

Shqipëria vijon të shuhet, lindjet ranë me 10.5% në T3, shtesë pozitive vetëm Tirana e Durrësi
Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak