Kryefaqja Box 1 Dyndje regjistrimesh në kopshte, drejtueset: nuk kemi kapacitet

Dyndje regjistrimesh në kopshte, drejtueset: nuk kemi kapacitet

0
Shpërndaje

Nga Elena Beta

Forumi i katërt komunitar “Lëviz për kopshtin tim”, mblodhi bashkë drejtuese, prindër, psikologë e mjekë nga kopshtet e njësisë numër 2 dhe jo vetëm të qytetit të Tiranës, të cilët diskutuan lidhur me problematikat  më shqetësuse që prekin kopshtet në Kryeqytet. Ajo që u evidentua nga diskutimet e aktorëve të pranishëm, ishte në përputhje të plotë edhe me të dhënat e nxjerra nga procesi i monitorimit që shoqata “Together for Life” ka bërë në një fazë më të hershme të projektit. Vihet re fenomeni i mbikapaciteteve të hapësirave. Në 89% të kopshteve të monitoruara (nga të cilat 24 janë të nismës “Adopto një kopsht”), prej të cilave u morën informacione të sakta dhe të plota, vihet re një numër fëmijësh për grup përtej normave të këshilluara për mirërritjen e tyre.

Drejtoresha e kopshtit 40, Loreta Dervishi sqaroi situatën duke përmendur faktin se kopshti që ajo drejton ndodhet tek tregu elektrik dhe ndërkohë vijnë kërkesa për regjistrim nga banoret e sheshit “Avni Rustemi”. “Prindërve që banojnë tek sheshi Avni Rustemi,  ju takon të regjistrojnë fëmijët tek kopshti 19, por këtë kopsht e përfshin njësia 3 dhe nuk i regjistron fëmijët. Ne na është komunikuar kështu: nga data 4 deri në datën 5 do të rregjistroni të gjithë banorët e zonës që ju përkasin, me rrugë të përcaktuara. Disa rrugë i kam unë, disa i ka kopshti numër 18, disa 41-shi, në mënyrë që të kemi një ndarje korrekte mes njera – tjetrës. Nëse ke vende bosh, nga data 5 deri në datën 9 regjistrohen kopshtet jashtë zone. Mbingarkesa është e madhe sepse shtrirja e njësisë është shumë e madhe  dhe është gjithashtu zonë që frekuentohet nga prindër që rrinë me qera në këtë zonë. Nuk mund t’ua privoj prindërve regjistrimin e fëmijës pasi më sjellin dokumenta të rregullta, shkresë nga kryeplaku si dhe të dy prindërit janë në punë. Si ti le në listë pritje unë? Për mendimin tim çalimi i punës qëndron pikërisht këtu, ka  numër shumë të lartë fëmijësh dhe ne nuk kemi kapacitete”, përfundoi Kryemadhi.

Kjo problematikë duhet se është ekzistente edhe në kopshtet e tjera. Behare Titi, drejtoresha e kopshtit 24, vuri gjithashtu theksin tek numri i madh i fëmijëve në kopësht, duke pohuar se kjo problematikë është evidente kudo. “Mbipopullimi vihet re tek të gjithë kopshtet, jo vetëm tek kopshti im. Kriter për regjistrimin e fëmijëve në kopsht është fakti se duhet të jetë banor i lagjes gjë e cila nuk respektohet pasi pavarësisht se nuk janë banorë të lagjes, i regjistrojmë, nuk mund ti leme rrugëve. Kjo është dhe thyerje e ligjit por e tillë është situata. Ne e kemi raportuar këtë si situatë por siç duket është ende pa zgjidhje”, vijoi Titi.

E nëse flitet për njësinë numer 2, një nga shkaqet e mbipopullimit të kopshteve është edhe mungesa e një kopshti me drekë në zonën e Saukut. “ Nëse kopshti i Saukut do të ishte me drekrë, gjithë dyndjet e asaj zone nuk do të vinin në kopshtet 40, 41, 18, u shpreh drejtoresha e kopshtit 40 duke përmendur faktin se kopshti që ajo drejton nuk ka kapacitet fizik për të përballuar prurjet që vijnë ccdo vit.

Ndërsa kjo situatë vazhdon të jetë prezente në pjesën më të madhe të kopshteve të Tiranës, pavarësisht ankesave të cilat kanë shkuar deri në institucionet përkatëse, fëmijët vazhdojnë të flenë ngjitur me njëri –tjetrin duke i’u shkelur kështu standardet që ju takojnë me ligj.

“Lëviz për Kopshtin tim” është një  projekt i zbatuar nga shoqata “Together for life” me mbështetjen e Lëviz Albania i cili ka për qëllim monitorimin e infrastrukturës dhe investimeve të 43 kopshteve publike të Tiranës, me qëllim informimin e qytetarëve dhe medias për të nxitur përgjegjshmërinë dhe transparencën e pushtetit vendor për përmirësimin e cilësisë së shërbimit në kopshtet e Bashkisë së Tiranës./shendeti.com.al

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here