Kryefaqja Aktualitet BUTRINTI – Lufta e radhës së qytetit antik  

BUTRINTI – Lufta e radhës së qytetit antik  

0
Shpërndaje

Nga Oralda Lahe

Qeveria ia ‘dhuron” Parkun Kombëtar një enti privat

Muajt e fundit një nismë e beftë e Qeverisë shqiptare për t’i transferuar përgjegjësinë e menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit një fondacioni jo-kulturor të huaj, tërhoqi vëmendjen e të gjithë opinionit vendas dhe të huaj dhe ndezi debate mes specialistëve, arkeologëve, akademikëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile, gazetarëve dhe politikanëve vendas dhe të huaj. Shumë zhurmë, shumë kundërshtime, shumë akuza, që nuk arritën asgjë. Më 23 maj 2022 maxhoranca miratoi vetëm me votat e saj një Ligj të propozuar nga Qeveria Rama, për dhënien e administrimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, e shpallur vite më parë si trashëgimi Botërore dhe pjesë e UNESCO’s, Fondacionit te ngritur nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).

Fondi, në një deklaratë të gjatë, të datës 1 maj, pothuaj tri javë para miratimit të Ligjit të propozuar nga Qeveria, u mundua të qetësojë kundërshtarët duke deklaruar se “AADF nuk është një sipërmarrje fitimprurëse dhe se synimi i tij është përmirësimi i jetës së shqiptarëve nëpërmjet projekteve që ai zhvillon…” Për treguar qëllimin e tij të mirë, në Deklartë Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit nënvizonte se: “Qëllimi ynë është të mbështesim ruajtjen, promovimin dhe menaxhimin e Butrintit si siti më i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore në Shqipëri.’

“Pronësia dhe kontrolli mbi Butrintin, ashtu si me të gjitha sitet kulturore në Shqipëri, nuk ndryshon’, u përpoq të qetësojë Fondi në deklaratë, duke premtuar se “do të kontribuojë me 5 milionë USD të tjera, në mënyrë që Parku Kombëtar i Butrintit të njihet: “… si një model i qëndrueshëm menaxhimi për zonat me elementë kulturorë dhe natyrorë, duke u bërë një qendër për ofertën turistike rajonale dhe duke u ofruar vizitorëve një eksperiencë unike, duke angazhuar komunitetet lokale dhe institucionet financiare, dhe duke shërbyer edhe si model për parqet e tjera në Shqipëri”.

Por këto deklarata janë hedhur poshtë nga Aron Tare që në diskutimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka deklaruar se prona do të regjistrohet në kadastër pas miratimit në Kuvend.

Debatet politike për Ligjin që ndryshon menaxhimin e Parkut

Reagimet e figurave të njohura të politikës brenda dhe jashtë vendit kanë qenë të forta. Ish-kongresmeni amerikan J. DioGuardi u përfshi në debatin për menaxhimin e Butrintur ndërsa u shpreh: “Shqipëria sivjet feston 110 vjetorin e Pavarësisë. Vallë a beson ndokush se Shqipëria nuk i ka kapacitetet dhe burimet për të menaxhuar vetë Butrintin…”?

Më 11 maj 2022 deputetja e opozitës, Ina Zhupa, njëherësh edhe deputete e zonës elektorale të Sarandës, ku ndodhet Parku Kombëtar i Butrintit, paraqiti në Kuvendin e Shqipërisë një nismë ligjore që kundërshtonte nismën e Qeverisë. Propozimi i deputetes Zhupa mbërriti në tryezat e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë disa ditë para se të shqyrtohej në seancë plenare Ligji i propozuar nga Këshilli i Ministrave. Në propozimin e deputetes demokrate kërkohej ndryshimi dhe shfuqizimi e neneve 171-173, të Ligjit 27/2018 ‘Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë’, pasi, sipas propozueses “janë shumë problematike sa i takon pajtueshmërisë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si dhe me Konventën e vitit 1972 të Trashëgimisë Botërore, të Parisit”.

Deputetja Zhupa theksoi në deklaratat e saj për mediat dhe në Parlament se këto nene të Ligjit i kanë hapur shteg “shmangies së shtetit shqiptar nga atributet e tij sovrane, kushtetuese dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, për administrimin apo menaxhimin e pasurive, vendeve, peizazheve të trashëmisë kulturore që janë pronë shtetërore, publike.” Për të mbyllur këto shtigje dhe me qëllim forcimin e rolit të shtetit në menaxhimin e pasurive kulturore dhe të trashëgimisë, deputetja opozitare propozoi që në Nenin 171, të përcaktohet qartësisht që pasuritë kulturore në pronësi publike, mund të administrohen nga strukturat shtetërore ose “fondacionet e krijuara nga institucionet e trashëgimisë kulturore…”, si dhe shfuqizimin e nenit 172, që është konsideruar antikushtetues, pasi i njeh të drejtën çdo fondacioni vendas apo të huaj, pavarësisht fushës së veprimit, të menaxhojë pasuritë kombëtare të trashëgimisë kulturore.

Sulmet politike ndaj vendimmarrjes së Qeverisë janë përshkallëzuar edhe në nivel personal, ku janë hedhur duke akuza se pas miratimit të Ligjit fshihen afera korruptive dhe interesa personale të të afërmve të drejtuesve të lartë të Partisë Socialiste. Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj nëpërmjet një statusi të gjatë në rrjete e tij sociale akuzoi drejtëpërdrejtë kolegun e tij socialist Damian Gjiknuri dhe numrin 2 të Partisë Socialiste, se një pjesë të parkut të Butrintit do t’ia jap familjarëve të tij.

Në akuzën e tij, Shehaj ka deklaruar se 50% e Kompanisë që përfitoi statusin e investitorit strategjik që do të ndërtojë në zonën që djeri dje ishte pjesë e Parkut, është kompania ‘Andi”, pronar i së cilit është djali i xhaxhait të Gjiknurit.

“Komitetit të Investimeve Strategjike, që kryesohet nga Edi Rama i ka dhënë statusin e investitorit strategjik “Manastir Resort”, 50% e të cilit zotërohet kompania ANDI’ është shprehur deputeti Shehaj, duke vazhduar se ‘nuk është vetëm ky problemi. Resorti “Manastir Resort” do të ndërtohet pranë parkut arkeologjik të Butrinit, pikërisht në zonën e mbrojtur të cilën Qeveria e zvogëloi duke nxjerrë jashtë mbrojtjes 800 hektarë, që është zona ku do të ndërtohet Manastir Resort..

Gjiknuri i është përgjigjur Shehajt se akuzat janë shpifje dhe se do ta padisë për dëmtim të imazhit.

Dhe pavarësisht kundërshtimeve dhe debateve mazhoranca dhe Qeveria Rama nuk u tërhoqën nga inisiativa e tyre dhe në datën 23 maj Parlamenti në seancë plenare plot me debate dhe akuza miratoi dhënien e administrimit të Parkut të Butrintit Fondit Shqiptaro-Amerikan. AADF-së ka qenë e angazhuar edhe më parë në Parkun e Butrintit me projekte të vogla sociale dhe ngushtësisht filantropike, por marrja e të drejtës së menaxhimit dhe administrimit të vlerave të trashëgimisë kulturore vazhdon të shihet me skepticizëm nga një pjesë e ekspertëve dhe eksponetëve politikë.

Debati në Akademinë e Shkencave si ‘kofini pas të vjelash”

Projekligji i Qeverisë për Butrintit u miratua, por debatet vazhduan. Akademikët ‘u zgjuan’ dhe në diskutimin “Butrinti – Një vështrim akademik mbi vlerat dhe vlerësimin” organizuar nga Akademia e Shkencave vetëm një ditë pas miratimit të Ligjit në Kuvendm deklaruan se nuk ishin pyetur për ligjin.  I menjëhershëm ka qenë reagimi i studiuesit Auron Tare, i cili ‘i akuzoi’ akademikët se ‘kjo nuk i shpëton nga përgjegjësia përpara ligjit. “Nuk menduam se do ta miratonin kaq herët”, i është përgjigjur kritizerëve kreu i Akademisë së Shkencave, akademiku Skënder Gjinushi.

Por sa problematik ka qenë menaxhimi i deritanishëm i Parkut të Butrintit që e detyroi Qeverinë të heqi dorë nga ‘përgjegjësia’ dhe t’ia besoj menaxhimin një fondacioni privat? Për akademikun Vasil Tole “të gjithë indikatorët që mateshin me nivelin dhe sasinë e restaurimeve, të ekspeditave, të përfshirjes së komunitetit, të investimit infrastrukturor, nivelin e të ardhurave dhe numrit të turizmit janë të gjitha në ngritje”.

Kritik akademikët shqiptar janë shprehur edhe për përbërjen e bordit që do të administrojë Butrintin, ku njëri nga pesë anëtarët pritet të jetë arkeologu britanik Richard Hodges. Arkeologu dhe akademiku Neritan Ceka solli në vëmendje se ky arkeolog në shkrimet e tij flet me nënçmim ndaj arkeologëve vendas, ndërsa kolegu i tij, Apollon Baçe, e konsideron Hodges përgjegjës për faktin që në faqen e UNESCO-s Butrinti përshkruhet si siti i një kolonie greke. “Butrinti nuk përmendet një herë si qytet kaon. Këtu kemi të bëjmë me deformim të shoqërisë”, ka deklaruar Baçe.

Akuzat e Tares ndaj arkeologut anglez janë më të forta “Ajo që po bëhet sot në Butrint është mohimi i punës që ju keni bërë, i drejtohet ai arkeologëve shqiptarë. Shikoni CV-në e Hodges, që thotë se Fondacioni i Butrintit dhe Hodges kanë themeluar Parkun Kombëtar të Butrintit. Dhe kjo kur të vdesim ne të gjithë do vazhdojë.”

Madje Tare hedh poshtë edhe pretendimin e Qeverisë shqiptare dhe Fondacionit që përfitoi administrimin e Parkut se Butrinti do të jetë përherë pronë publike. “Lexoni marrëveshjen, pas miratimit do të shkojnë në kadastër të regjistrojnë pronën në kadastër! Dhe e gjitha kjo të nderuar profesorë jua ndalon Konventa e Parisit e 1972, dhe ju tani i bini vërdallë. Keni emër profesor pse i lejoni? Sot Giora Solar, i ka çuar letër UNESCO-s ku i thotë se kjo që po ndodh në Shqipëri s’ka precedent! Dje është dorëzuar territori, ju e dini se Butrinti është histori, do ju ngelet emri në histori që dorëzuat Butrintin”, ka deklaruar në debatin e e Akademisë së Shkencave Tare.

Butrinti – mikrobota e historisë së Shqipërisë

Butrinti (Buthrotum antic) shtrihet 3 km larg ngushticës së Korfuzit, mbi një kodër të vogël, rrethuar nga gjelbërimi dhe nga ujrat e liqenit të Butrintit që lidhet me detin Jon nëpërmjet kanalit të Vivarit. Dëshmia më e hershme e popullimit të Butrintit daton rreth shekullit të 12-të para Krishtit, por do të lulëzonte vetëm pas shekullit të 8-të para Kr. Monumentet e tij janë ndërtuara gjatë periudhave të ndryshme historike nëpër të cilat qyteti ka kaluar dhe pasqyrojnë copëza të kësaj historie të gjatë dhe komplekse.
Emri dhe historia e Butrintit të lashtë lidhet me legjenda të trasmetuara nga Homeri dhe Virgjili, sipas të cilave qyteti u themelua nga mërgimtarët trojanë, pas rënies së Trojës në shekullin e 13-të para Kr.. Vendbanimi më i hershëm në Butrint ka të ngjarë të ndodhej në kodrën e Akropolit, një bërthamë e vogël e Epokës së Bronzit të Vonë. Ndërkohë qyteti u bë një nga pikat kryesore të një fisi lokal të quajtur Kaon që e kishin qendrën në Finiq. Gjatë pjesës më të madhe të historisë së tij të lashtë, Butrinti funksionoi si një qendër kulti kushtuar Asklepit, perëndisë së shëndetit. Besimtarët duhej të flinin në faltore, duke shpresuar të shihnin ndonjë ëndërr ose vegim, që do të sillte shërimin e tyre nga sëmundjet. Shumë nga këto objekte janë zbuluar gjatë gërmimeve të bëra në faltore, në fund të viteve 1920. Në Butrint adhuroheshin edhe përëndi të tjera, si Apoloni, Artemisa, Athinaja, Demetra dhe Zeusi.
Qyteti u kthye në boshtin qëndror të luftërat civile romake midis Cezarit dhe Pompeit, dhe Oktavianit (Augustit) dhe Mark Antonit dhe aleates së tij Kleopatrës së Egjiptit që u bënë përgjatë këtij bregdeti.
Gjatë gjithë historisë së vet, Butrinti kaloi nga paqja e lulëzimi, në periudha lufte dhe rënieje. Megjithatë, qyteti vazhdonte të zgjerohej dhe të ndryshonte arkitekturën fillestare të tij. Drejtuesit e qytetit ishin të famshëm dhe të fuqishëm dhe I fundit në radhë është Ali Pashë Tepelena i cili në 1807 ndërtoi një kështjellë në hyrje të kanalit të Vivarit për të parandaluar sulmet nga perëndimi.

***
Tashmë Butrinti po përballet me ‘luftën’ e radhës mes premtimit për lulëzim dhe zhvillim dhe frikës së justifikuar të tjetërsimit dhe zhbërjes. Të gjithë urojmë që nga kjo  përballje dhe nga ky ndryshim Butrinti të dalë ‘më i fortë se kurrë’, duke vazhduar të ndriçojë kulturën dhe trashëgiminë tonë historike. Të rrojmë dhe ta shikojmë…

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here